Ç’po ndodh me bankat në Shqipëri, edhe Tirana Banka shitet, blerësit i vendosën kushte

0
620
 Konkurrenca miraton shitjen e Tirana Bank te grupi Balfin dhe Komercijalna Banka, por me kushte.
  Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë autorizimin për shitjen e 98,83% të aksioneve të Tirana Bank SHA nga Piraeus Bank SA tek grupi më i madh në vend, Balfin SHPK, dhe Komercijalna Banka AD Skopje, ndërsa ka shprehur shqetësimin në raport se  “Aksionari kryesor i Tirana Bank, shoqëria Balfin SHPK ka kontrollin e një numri të madh shoqërish si brenda dhe jashtë vendit dhe aktiviteti i Tirana Bank pritet të ndikohet nga veprimtaria ekonomike e shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK, dhe performanca ekonomike dhe financiare e këtyre shoqërive do të jetë garancia e stabilitetit të Tirana Bank dhe e gjithë sistemit bankar në tërësi”.

Konkurrenca ka vendosur dhe disa kushte dhe detyrimet për blerësit:

-Të mos zbatojë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;

– Të mos vendosë kushte për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë;

– Të mos ushtrojë veprimtari bankare ose financiare me dhe në përfitim të personave të lidhur me të;

– Transaksioni të sigurojë eficencë ekonomike dhe të japë siguri mbi qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punës së stafit ekzistues të Tirana Bank SHA .

Ndërsa për Bankën e Shqipërisë, Autoriteti ka rekomanduar, që:

  1. Për çështje të stabilitetit financiar, të gjitha shoqëritë tregtare të kontrolluara nga Balfin SHPK, që zotërojnë pozitë dominuese ose që do të marrin në të ardhmen këtë pozitë, duhet të monitorohen dhe të trajtohen si aktivitete të lidhura me sistemin bankar, pavarësisht objektit të veprimtarisë së tyre.
  2. Të parashtrojë përpara Autoritetit të Konkurrencës çdo ndryshim në strukturën e shoqërive të monitoruara, ku mund të krijohet apo forcohet pozita e dominuese në treg.

Autorizimi i miratuar me këtë vendim do të hyjë në fuqi pas miratimit të transaksionit nga Banka Qendrore e Shqipërisë, thuhet në vendimin e Autoritetit ku është vendosur dhe monitorimi i sjelljes së shoqërisë Tirana Bank SHA, për një periudhë 1 vjeçare nga data e marrjes së këtij vendimi

 

Shqyrtimi i marrëveshjes

Marrëveshja e shit-blerjes së aksioneve ishte nënshkruar në 3 Gusht 2018 dhe Autoriteti u njoftua brenda afatit në 29 gusht.

Pasi mori njoftimin, Konkurrenca vendosi kalimin në procedurën e thelluar të vlerësimit të transaksionit me argumentin se, pavarësisht faktit që tregu bankar në Shqipëri është një treg mesatarisht i përqendruar pa praninë e bankave me pozitë dominuese dhe Tirana Bank SHA zotëron në një pjesë të vogël në këtë treg, pritet që pas një kohe të shkurtër, Tirana Bank SHA mund të rrisë pjesën e tregut të shërbimeve, pasi të gjitha shoqëritë tregtare të kontrolluara nga Balfin SHPK do ti orientojnë transaksionet dhe do të marrin shërbime nga Tirana Bank SHA.

Kjo situatë mund të sjellë ndikimin e veprimtarisë së Tirana Bank SHA nga veprimtaria ekonomike e shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK, si dhe mundësinë e një sjellje jo konkurruese të Tiranë Bank SHA për klientët e tjerë kredi marrës të cilët mund të operojnë në tregje të njëjta më shoqëritë e kontrolluara nga Balfin SHPK, thuhet në raportin e konkurrencës.

Konkurrenca nisi korrspondencë me autoritetet domethënëse, ku banka e Shqipërisë ktheu përgjigje se “Në këtë proces, Banka e Shqipërisë vlerëson se transferimi i pronësisë së aksioneve të Bankës së Tiranës nuk do të ndryshojë pozicionin e saj në treg. Gjithashtu vlerësohet se kytransaksion nuk do të ndikojë negativisht në zbatimin e politikës monetare dhe atë të këmbimeve valutore në zbatuar nga BSH”.

Konkurrenca, pas diskutimeve me palët përkatëse vlerësoi se transaksioni i synuar mes Bankës së Pireut dhe shoqërisë Balfin SHPK e Komercijalna Bank është një përqendrim konglomerat ku ndërmarrjet pjesëmarrëse operojnë në tregje të ndryshme dhe strukturat e tregut nuk ndikohen në mënyrë të menjëhershme nga transaksioni i ndodhur, por në periudhë afatgjatë, tregu mund të gjenerojë ndryshime të influencuar nga faktorë të jashtëm.

Duke qenë se Balfin SHPK nuk operon në tregun e shërbimeve bankare apo në tregje të lidhura me tregun bankar dhe Komercijalna Bank AD nuk operon dhe nuk gjeneron të ardhura në Republikën e Shqipërisë, pas transaksionit, në situatën aktuale nuk rezulton të kemi ndryshim të strukturës së tregut.

Por, konkurrenca ka vlerësuar se blerja e aksioneve të Tirana Bank nga shoqëria Balfin SHPK mund të orientojë gjithë qarkullimin e likuiditetit dhe shërbimet bankare të shoqërive tregtare të zotëruara nga Balfin SHPK drejt Tirana Bank, e cila pritet të rrisë pjesën në tregun bankar.

Konkurrenca ka marrë dhe informacion lidhur me detyrimet e Balfin në banka, por të dhënat janë konfidenciale. Grupi ka kredi në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe pjesa tjetër nga banka në vende të huaja, kryesisht në Kosove, Maqedoni dhe Slloveni.

Pas informacionit, konkurrenca ka gjykuar se likuiditetet e lira të Tirana Bank nuk do të ndikohen nga portofoli i kredive të shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK.

Në funksion të stabilitetit ekonomik të bankës dhe ndikimit të saj nga aktiviteti i shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK, janë vlerësuar indikatorët e përformancës financiare të të gjitha shoqërive nëpërmjet normës së fitimit, normës së kthimit të aktiveve ROA (Return on Assets) dhe normës së kthimit nga kapitali ROE (Return on Equity). Këta indikatorë janë tregues të eficesës ekonomike të shoqërisë në lidhje me shfrytëzimin e investimeve të kryera dhe vlerësimin e aftësisë paguese të shoqërive për shlyerjen e detyrimeve financiare.

Nga vlerësimi i treguesve të përfitueshmërisë së shoqërive të kontrolluara nga Balfin SHPK në lidhje me treguesin e normës së fitimit, treguesin e rentabilitetit të aseteve (ROA) dhe treguesi i kthimit të investimit (ROE), konstatohet se shoqëritë e kontrolluara nga Balfin SHPK mund të ndikojnë pozitivisht në aktivitetin ekonomik të bankës, duke mundësuar që banka të jetë një konkurrent potencial në treg.

 

Blerësit dhe shitësi

Piraeus Bank, bazuar në udhëzimet e Fondit të Stabilitetit Financiar Helen dhe politikat e brendshme të bankës, duhet të hiqte dorë nga investimet e kryera në vende të tjera, përveç Greqisë. Ajo ka shitur dhe degët e saj në Bullgari e Rumani.

Sipas të dhënave të depozituara nga shoqëria, Balfin SHPK nëpërmjet paketave kontrolluese të shoqërive në Shqipëri, zotëron përkatësisht sipërmarrje në tregun e e nxjerrjes së mineralit të ferrokromit; tregut të nxjerrjes dhe përpunimit të mineralit të kromit; tregut të shitjes së pajisjeve elektronike; tregut të shitjeve online të produkteve jo ushqimore; tregut të administrimit dhe dhënies me qera të hapësirave tregtare; tregut të shitjes më pakicë të artikujve ushqimore; tregut të blerjes dhe shitjes së energjisë; tregut të spedicionit detar si dhe disa ndërmarrje të tjera më pjesë më të vogël tregu.

Shoqëria Balfin SHPK ka shtrirë aktivitetin e saj nëpërmjet shoqërive të kontrolluara në tregun ndërkombëtar, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni.

Komercijalna Banka AD Shkup, është themeluar në vitin 1955 dhe aktivitetet financiare të kësaj banke, sipas ekstraktit të shoqërisë, përfshijnë mbledhjen e depozitave dhe burimeve të tjera të fondeve të kthyeshme; kreditimin në vend, duke përfshirë faktorizimin dhe financimin e transaksioneve tregtare; lëshimin dhe administrimin e mjeteve paguese; lëshimin e parave elektronike; leasing financiar; operacionet e shkëmbimit; operacionet e pagesave në vend dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe blerjen e valutës; transferimin e shpejtë të parave; lëshimin e garancive të pagesave, letrave me vlerë dhe formave të tjera të kolateralit etj.

 

Shitblerjet e bankave

Sipas raportit të konkurrencës, Sektori Bankar, gjatë viteve 2017-2018 është prekur nga një numër i konsiderueshëm i  transaksioneve të shitblerjes së kuotave, të cilat kanë konsistuar në ndryshimin e drejtpërdrejtë të kontrollit të disa prej tyre, si: transaksioni nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjes Veneto Banca S.p.A. nga Intesa Sanpaolo S.p.A2; transaksioni i shitjes dhe transferimit të aksioneve të Bankës NBG Albania SHA nga Banka Kombëtare e Greqisë S.A. tek Banka Amerikane e Investimeve SHA3 – pas transaksionit Banka Amerikane e Investimeve përthithi Banka NBG Albania SHA, duke ulur kështu në 15 numrin e bankave pjesëmarrëse në tregun bankar në Shqipëri; transaksioni nëpërmjet shitblerjes së aksioneve prej 88.89% të Societe Generale Albania SHA nga Societe Generale tek OTP Bank Nyrt”, OTP Bank (bankë hungareze) hyn në tregun e shërbimeve bankare nëpërmjet degëve të bankës Societe General Albania SHA4; transaksioni mes Union Bank dhe ICB Financial Group Holdings AG për shitjen e aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare, përfundon njoftimi i konkurrencës.

 

Transaksioni

Banka e Pireut në Greqi njoftoi zyrtarisht në fillim të gushtit se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank. http://www.monitor.al/grupi-balfin-dhe-komercijalna-banka-blejne-tirana-bank-per-57-3-milione-euro/

 

Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

Tirana Bank është banka e gjashtë më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, totali i aktiveve të bankës ishte rreth 80 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ose rreth 5.3% e totalit të aktiveve në sistem. Banka ka 4.2% të stokut të kredive dhe 5.2% të depozitave dhe e kishte mbyllur vitin 2017 me një fitim prej 69 milionë lekësh. Numri i punonjësve ishte 439 në fund të vitit 2017, teksa banka ka 39 degë.

Kjo është banka e dytë me kapital grek që shitet, pasi NBG u ble në muajt e parë të këtij viti nga Abi bank. Abi Bank kishte shprehur interes edhe për blerjen e Tirana Bank.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here