Standard.al

Klajda Gjosha: Opozita e bashkuar, në 28 Janar nuk do të ndalemi. Kemi vetëm një qëllim…

0

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha në intervistën për televizionin Ora News, është shprehur se opozita ka një bashkëpunim të plotë, dhe se protestat nuk kanë munguar, gjë e cila tregon qartë depresionin shoqëror.

Intervista e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha në televizionin Ora News

Opozita e bashkuar ka paralajmëruar protesta masive deri në rrëzimin e qeverisë. A kemi një plan konkret dhe një skenar për këto protesta, kur mund të vijojnë?

Opozita është në një bashkëpunim të plotë për sa i përket vijimësisë së gjithë aksionit të saj politik. Tashmë është bërë e qartë që do të ketë protesta dhe është normale në një moment të tillë ku depresioni shoqëror ka arritur majat dhe limitet. Ku kemi një eksod të jashtëzakonshëm të shqiptarëve. Ne vetëm para pak ditësh kemi pasur një deklaratë të komisionarit Hahn me çështjen e azilkërkuesve që është një problem jo vetëm i mbartur , por edhe i shtuar gjatë kohëve të fundit. Kemi çështjen e studentëve, çështjen e Astirit, e taksave të larta. Kemi çështjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, që është drejt falimentimit dhe një problematike shumë të madhe ekonomike.

Të gjithë këto protesta do të nisin dhe do të kenë pikënisjen e tyre në datën 28 janar dhe ato do të jenë të pandalshme, thuajse të përditshme, deri në qëllimin kryesor që është pikërisht largimi i kryeministrit Rama në krye të kësaj qeverie. Për arsye sepse gjithçka që e kanë sjellë vendin deri në këto momente, deri në këtë pikë ku ne ndodhemi, ka një emër. Dhe fatkeqësisht ky është kryeministri i vendit, i cili tashmë ka gllabëruar çdo pushtet, çdo karrige, çdo institucion, çdo vizion, gjithçka që ka të bëjë me pushtetin dhe me qeverinë. Pra ne shohim një pa ngopje dhe është për të ardhur keq që në një vend të vogël si Shqipëria, ku me të vërtetë qytetarët shqiptarë pjesa më e madhe jetojnë në varfëri, të shohësh njerëz të tillë që duan të kenë gjithçka dhe janë të pangopur në pushtet.

 

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të PD-së u vendos që të mbështetet si zgjidhje politike e krizës në vend edhe krijimi i një qeverie kalimtare. Me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe me standard europiane. A do të ishte kjo sipas jush zgjidhja e duhur dhe a do ta mbështesë LSI?

Është një opsion i diskutuar, patjetër që ne kemi qenë gjithë kohës në diskutim bashkë me PD dhe me aleatët e tjerë opozitarë. Është një opsion i cili patjetër do të jeptë një zgjidhje, do të jeptë mundësinë për një qeveri teknike që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Duke pasur parasysh që ne vuajmë sidomos gjatë periudhave zgjedhore, nga kapja e institucioneve, përdorimi i policisë së shtetit dhe administrata e shtetit pikërisht për marrjen e sa më shumë votave apo zhvatjen e votave. Dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria të garantojë votën e qytetarëve të saj. Tashmë ky është dhe një kusht i Bashkimit Europian dhe besoj që është një detyrë e të gjithëve ne të parandalojmë një fenomen të tillë.

A nuk do të ishte e udhës që të miratohej kodi i ri zgjedhor që të shmangeshin këto problematika?

Ka pasur diskutime dhe për Kodin e Ri Zgjedhor. Madje nga opozita ka pasur një shtysë të jashtëzakonshme për të vazhduar me gjithçka që është kërkuar nga OSBE-ODHIR duke shtuar këtu edhe ato çështje që opozita ka ngritur, si votimin elektronik që është jo vetëm përshëndetur por dhe është mbështetur nga LSI. Patjetër që do duhet provuar, ndoshta dhe në ndonjë projekt pilot. Por çfarëdo lloj reforme dhe ndryshimi ligjor të bëhet në këtë vend, duhet të kemi parasysh që fenomeni kryesor që mbërthen gjithmonë periudhën zgjedhore është shit-blerja e votës. Ndaj të gjitha energjitë duhen shpenzuar në gjetjen e mekanizmit të parandalimit të këtij fenomeni.

Si ish-ministre e Integrimit, çfarë efekti mendoni se do sjellë në diplomacinë shqiptare emërimi i Kryeministrit Rama dhe në postin e Ministrit të Jashtëm duke pasur parasysh faktin që Shqipëria është një një moment tepër delikat sa i përket procesit të integrimit në BE?

Për mua kjo është një lëvizje qesharake, është pangopje. Që të kesh një Kryeministër dhe Ministër të Jashtëm të njëjtë. A thua se në Shqipëri kanë mbaruar diplomatët, kanë mbaruar njerëzit e shquar që e njohin politikën e jashtme. Është shumë e rëndësishme që diplomacia të kishte në krye të saj një njeri që e njeh gjuhën diplomatike. Fatkeqësisht kryeministri nuk ka fare të bëjë me diplomacinë. Nuk ka pasur lidhje që në ditën e parë të detyrës së tij. Unë nuk do të habitesha nëse Kryeministri nuk do të mbajë qëndrime të ndryshme si Kryeministër dhe të ndryshme kur të jetë përballë ministrave të jashtëm dhe të sillet si ministër i jashtëm. Mund ta presim dhe këtë. Në këto momente të cilat ndodhet vendi pikërisht para një vendimi që mund të merret në qershor para çeljeve të negociatave, kjo është lëvizja më e gabuar që mund të bëhej. Sepse unë kam bindjen që Kryeministri nuk do ta përfaqësoj dot Shqipërinë në të gjitha mbledhjet kryesore dhe ato bilaterale. Ishte e pamundur shpeshherë dhe vetë për ministrin e jashtëm të ndiqte të gjitha takimet bilateral dhe ato të procesit të integrimit. Jo më për një Kryeministër i cili në radhë të parë duhet të mendojë për ekonominë dhe financat e vendit. Ashtu siç i tha dhe Komisioneri Hahn duhet të analizojë pse ikin shqiptarët. Unë nuk besoj te ky kryediplomat që është zgjedhur tani për Ministrinë e Jashtme.

Rama ka deklaruar se kjo do të jetë një lëvizje e përkohshme deri në formimin e Gjykatës Kushtetuese. Mendoni se z.Cakaj do ta fitojë betejën Kushtetuese dhe do të emërohet ministër i jashtëm?

Unë besoj se nuk ka asnjë mundësi të kthehet mbrapsht vendimi i Presidentit të Republikës aq më tepër që sot ai është gardiani i parë i Kushtetutës së vendit.

Rikthehemi edhe njëherë tek protesta e cila do të fillojë siç e deklaruat edhe ju pak më sipër më 28 janar. Do doja të dija ju si Kryetare e Lëvizjes së Gruas në Integrim, çfarë roli do të kenë gratë në këtë protestë?

Gratë kanë pasur gjithmonë një rol të jashtëzakonshëm, madje kanë qenë promotore të të gjitha ngritjeve apo lëvizjeve, si brenda LSI-së, ashtu edhe në udhëheqjen e shumë protestave. Sepse një nënë të jeni të bindur që lufton shumë herë më shumë sesa çdo burrë dhe çdo i ri brenda partisë. Pavarësisht se forca jonë politike është shumë e angazhuar drejt rinisë, unë e them gjithmonë që gratë zënë një vend të veçantë dhe ato marrin me vete edhe të rinjtë, fëmijët e tyre dhe i tërheqin drejt një rruge të drejtë. Kjo është një shtyllë kryesore. Pra gratë dhe vajzat në LSI janë një shtyllë kryesore dhe janë vota më e madhe tek e cila mbështetet LSI-ja.

Do doja dhe mendimin tuaj në lidhje me Paktin e Universitetit, është prezantuar dje nga qeveria. Si e vlerësoni ju?

Unë kam qenë pjesë e këtij Pakti. Kam qenë ministre 4 vjeçarin që shkoi, ku kryeministri në ato kohë sërish bëri një pakt të tillë, jo për universitetet po për shkollat e mesme. Ky është një show dhe një propagandë që nuk funksionon. Ne e kemi provuar njëherë. Kam qenë dhe unë pjesë e këtij lloj pakti. Nuk mund të funksionojë. Aq më tepër për universitetet sepse ato janë të pavarura me ligj. Dhe nga momenti kur kryeministri i këtij vendi shkon dhe kryen takime të tilla me dekanë, me rektorë, me pedagogë, ka shkelur ligjin e Republikës së Shqipërisë. Atë ligj që e ka trumbetuar si fitues, si një nga ligjet më të suksesshme që është Ligji i Arsimit të Lartë. Ndaj dhe kjo jo vetëm që është një sho, por duhet të ndalojë në mënyrë të menjëhershme sepse brenda universitetit nuk mund të ndërhyjë ministrja e arsimit, e jo më ministrja e shëndetësisë, e kulturës e kështu me radhë. Pra ju e kuptoni vetë se çfarë teatri luhet në këto momente.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.