Shpërthimi i klerikut: Duhet dikush të thotë: “boll ma”!

0
107

Nga Dom Gjergj Meta

Për lisat që u bënë shkurre dhe ujin që shitet

Ndërsa lëviz nëpër dioqezën ku Zoti ka dashur të jem, dhe dioqeza e Rrëshenit përfshin jo vetëm Mirditën, por edhe Dibrën, Bulqizën, Klosin dhe Matin, më vijnë shumë mendime. Është areali që ka mbajtur mbi supe shumë histori. Është areali i dokumentit të parë të gjuhës shqipe, i Formulës së Pagëzimit. Është hapësira e njërës prej rezistencave më të mëdhaja ndaj hordhive turke si në Dibër ashtu edhe në Mirditë. Nuk mund të harrojmë se në Mirditë mbeti i paprekur jo vetëm besimi katolik, por edhe organizimi juridik dhe identiteti arbëror. Këtu kanë qenë dioqezat e lashta të Lisit (Lisiense), të Stefanikisë (Stefanense), Abacia e Oroshit, të cilat ishin nën emërtimin e madh të dioqezave arbanense, sufragane të Metropolisë së Durrësit. Me shumë gjasa, sikurse dëshmon varri i gjetur në Suç të Matit, këtu krishtërimi është në shekullin e tretë ose të katërt së paku. Është një zonë ende e paeksploruar për qytetërimin e saj të lashtë që sigurisht shkon deri në kohën e Maqedonisë parasllave të Aleksandrit të madh.

E megjithatë këtu nuk dua të bëj histori për të cilën do të kemi kohë të merremi. Këtu dua të vajtoj se çka shohin sytë e mi sa herë shkel në malet e Mirditës, të Lurës, Matit e Dibrës.

Komunizmi i shfrytëzoi nëntokën Mirditës, Matit e Dibrës e nuk i dha asgjë në këmbim, por i la trashëgim vetëm varfërinë. Ende sot Bulqiza shfrytëzohet nga të pasurit e Tiranës ndërkohë që banorët e saj janë më të varfërit në Shqipëri. Po ashtu miniera e Spaçit e aty nuk ka më banorë.

Por komunizmi të paktën la mbitokën, la pyjet e prrojet. E pasi ujku i kuq iku, mbetën çakejtë e zinj që në vitet 90’ prenë pyjet e sot shumë prej pasanikëve të Tiranës, Durrësit, Lezhës janë pasuruar me pyjet e prera të Mirditës, Lurës, Dibrës, Matit e kështu me rradhë e nuk i dhanë asgjë mbrpasht këtyre zonave. Tani sheh male shkretë që dikur kishin lisa të lartë, florë e faunë e shumë jetë në to. Dikur nanat mallkonin: t’përpjektë Zoti me lisa t’malit, por sot kjo fjalë nuk ka më vlerë, se lisat janë bërë shkurre.

E megjiatë as kjo nuk mjaftoi. Tani që mbaruan të gjitha, mbetën koncesionet e lumenjve, prrojeve e gjithçkaje hidrike. Edhe shiut, madje edhe borës po ia drejtojnë shtegun që kur të shkrijë të prodhojë energji për të pasurit e Tiranës e të Stambollit. Kështu u bë me Fanin, të madhin e të voglin, kështu po bëhet me Urakën e bukur që përshkon krejt Selitën për t’u bashkuar me Mat. Lejet e koncesionet vazhojnë të jepen në emër të partneritetit publik privat. Uraka me mrekullitë e saj, që hyn e del nga toka për të mos u ndalur kurrë, tashmë po pëson fatin e Lumit Fan e të shumë lumenjve të tjerë nëpër Shqipëri. Ka mbetur thonë Radika e Dibrës, por nuk e di edhe sa do ta mbrojnë dibranët. Një namë tjetër ka qenë motit: blefsh ujin që pin. Kur ujin ta marrin përdhuni e me koncesion, nuk të mbetet vetëm se ta blesh.

E megjithatë asnjë centimeter rrugë (përjashto rrugën e Bukmirës) në fshatra, përmirësim të jetesës së njerëzve në zonat rurale, por vetëm e përsëri varfëri e dëshirë për të ikur nga këto vende të bukura që në fakt të bukura janë vetëm në fotot e kohës.

Një ditë natyra do të rebelohet. Të parin rebelim e ka bërë se ka nxjerrë jashtë faunën, shpendët e qiellit e kafshët e tokës e po nxjerr dalëngadalë edhe njerëzit që janë aty. Sot në një portal thuhej se janë disa bashki që po shkojnë drejt shuarjes. Është e besueshme. Nuk u gjet në atë listë asnjë nga bashkitë e dioqezës së Rrëshenit, por aty aty janë edhe ato. E përse e gjitha kjo? Nga varfëria.

Ky proces zhvatje duket se është i pakthyeshëm, sepse interesat janë më të mëdha se sa ndjeshmëria për natyrën, familjet e varfëra dhe banorët e zonës. Prandaj sot më shumë se kurrë duhet një strategji kundër varfërisë e sidomos një aleancë kundër dëmitimit të natyrës që është ushqimi ynë, frymëmarrja jonë. Para se të rebelohet natyra me ne, të rebelohemi ne me ata që vazhdojnë të prishin tokën e nëntokën, ta shfrytëzojnë atë vetëm për veten e tyre në mënyrë të padrejtë pa u dhënë asgjë njerëzve që banojnë aty me shekuj e shekuj, dhe sidomos komunitetit. Duhet dikush të thotë: boll ma!

Nuk mund të zhfrytëzosh Fanin, Urakën, Radikën etj., pa menduar se ata njerëz që banojnë brigjeve të tyre ia kanë ndjerë zhurmën me shekuj e shekuj, janë larë në to e kanë marrë jetë prej tyre. Këto njerëz e komunitete duhet të jenë partnerë, familje për familje, duhet të jenë ortakë, sepse janë në të tyren.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here