Standard.al

Basha: Opozita e bashkuar do të udhëheqë revoltën qytetare, së shpejti do të nisin protestat mbarëpopullore…

0

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se opozita e bashkuar do të udhëheqë revoltën qytetare duke paralajmëruar nisjen e protestave mbarëpopullore. Në një deklaratë të shkurtër po koncize pas mbledhjes me aleatët dhe krah për krahë me Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin, Mesila Dodën, Edi Palokën, Nard Ndokën, Fatmir Mediun, Dashamir Shehin, Basha tha se opozita do bëjë gjithçka për të rrëzuar Edi Ramën që sipas tij, ka ngritur një parlament privat, qeveri private e shtet privat.

“Gjatë gjithë kësaj kohe opozitës i është kërkuar të jetë në parlament. Sot e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa se si në parlament Edi Rama i hoqi opozitës dhe të drejtën më elementare kushtetuese, të drejtën për të folur. Vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit dhe diktuaturës. Edi Rama ka tani një parlament privat për të shkatërruar interesat kombëtare, ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët, ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët. Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është vendi. Prandaj në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Kreu i PD tha se ky është vendimi i opozitës dhe se të shtunën PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar kur do të nisin protestat. “Ky është vendimi i opozitës së bashkuar. Ditën e shtunë PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të përcaktuar ditën e nisjes së protestave popullore dhe secila prej partive, anëtare të koalicionit të opozitës së bashkuar, përfaqësuesit parlamentarë të të cilëve dhe përfaqësuesit e tjerë po kështu do të mbledhin forumet e tyre do të vendosin dhe do të komunikojnë shumë shpejt nisjen e protestave popullore sipas vendimit që kemi marrë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i shërbyer objektivit që shpallëm këtu, largimit një orë e më parë të Edi Ramës”, theksoi Basha.

I pyetur nëse i qëndron kërkesës për zgjedhje parlamentare dhe lokale njëherësh, Basha tha se për të gjitha të tjerat do ketë kohë për të diskutuar. Me të njëjtin qëndrim është shprehur dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila tha se çdo gjë do bëhet e ditur hap pas hapi.

Ditën e sotme kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI kërkuan që të merrnin fjalën për debat për dekretet e Presidentit, kërkesë që u hodh poshtë nga kryetari i Kuvendit, çka solli më pas dhe vendimin e opozitës për protesta.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.