Zbulohen abuzimet që ndodhin në ushtrinë shqiptare…

0
101

Gjyqi ndaj katër ushtarakëve të akuzuar për vjedhjen e ar.mëve në bazën ushtarake të Pashalimanit në Orikum të Vlorës, kanë zbuluar para gjykatës abuzimet që ndodhin në Ushtri pavarësisht se jemi vend i NATO-s.

Lesko Ramosaçaj, Edlir Nelaj, Ardit Ramaj dhe Ervist Memsullaj kanë dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë të akuzuar për shpërdorim detyre. Prokurori Hyrjet Lamaj kërkoi “arrest me burg” për katër të akuzuarit për “shpërdorim detyre”, kërkesë e cila u pranua nga gjykatësja Herila Çela, pavarësisht kërkesës së avokatëve për një masë më të lehtë.

Në dëshminë e të arrestuarve, dolën në pah disa abuzime me bazën ushtarake të Pashalimanit. Sipas tyre, depoja e armatimeve nuk ka kushtet minimale të sigurisë dhe armatimet mbahen në një ambient pa ndriçim dhe pa kamera sigurie.

Një prej të arrestuarve, Edlir Nelaj, i cili kryen rolin e infermierit thotë se ka marrë shërbimin në orën 08:00 në bazën ushtarake dhe nuk ka të bëjë aspak me grabitjen e armëve që ka ndodhur gjatë natës.

“Jam infermier i Qendrës Shëndetësore Pashaliman, nuk kam punë të bëj shërbim. Por meqë këta thonë do vesh atje se s’kemi njerëz, na mbajnë të sforcuar. Nuk më takon të bëj shërbim”, tha 42-vjeçari Nelaj.

Ndaj tij rëndon dhe akuza e falsifikimit të dokumenteve, pasi ka firmosur në vend të rojës që nuk ishte paraqitur. Shërbimi i rojës në bazën ushtarake, sipas të ndaluarve, është kryer në kushte mjaft të vështira. Për këtë arsye, Ervist Memsullaj që ishte në shërbimin e rojës, ka treguar se është larguar nga vendi i rojës rreth orës 02:30, për shkak të temperaturave të ulëta.

“Kam ikur pasi nuk e përballoja dot të ftohtin”, tha 23- vjeçari. Avokati Edmond Dëma, i cili mbrojti në seancë infermierin dhe oficerin roje, bëri me faj për shkeljet komandantin e bazës ushtarake. “Përgjegjësit e bazës kanë shkelur rregulloren e jetës së brendshme ushtarake, duke i detyruar efektivët të bënin 12 orë roje. Në zonë nuk ka ndriçim dhe kamera sigurie. Në vend të këtyre duhej të ishte arrestuar komandanti i Pashalimanit”, tha avokati. Ndërsa Ardit Ramaj, i cili është ende student, në bazë të urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes nuk duhet të ishte caktuar të kryente shërbim roje.

“Ardit Ramaj është ende në shkollë, ndaj nuk mund të kryejë detyrën si oficer roje dhe shërbimi në kundërshtim edhe me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes dhe për këtë qëllim nuk mund të marrë asnjë përgjegjësi. Në vendin ku është depoja e armatimit nuk ka rrethim”, tha avokati i 25-vjeçarit. I arrestuarit tjetër, Lesko Ramosaçaj, është përgjegjës i rojeve, i cili tha se depoja nuk ka kushte sigurie. “Bëra aktkontrollet, por nuk ka pasur ndriçim në pjesën që është kryer vjedhja dhe nuk ka kamera në atë zonë”, ka thënë Ramosaçoj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here