Standard.al

“Zëri i Amerikës”: DSIK nuk u dha përgjigje pretendimeve të Presidentit për Gent Cakaj

0

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta ju drejtua sot parlamentit me kërkesën për një hetim parlamentar lidhur me veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për procedurat e ndjekura për pajisjen me ceritifikatë sigurie të zotit Gent Cakaj, të cilat sipas kreut të Shtetit janë mbyllur brenda 24 orësh. Zoti Cakaj, u propozua nga kryeministri Edi Rama për postin e Ministrit të Jashtëm, por u refuzua dje nga Presidenti Meta.
Fakti që për 7 muaj me radhë, në postin zëvendësministrit të Jashtëm, zoti Gent Cakaj kishte shmangur sipas presidentit të Republikës, pajisjen me certifikatë sigurie, ishte një nga shkaqet zyrtare që cuan në vendimin e kreut të Shtetit për të refuzuar emërimin e tij në krye të diplomacisë shqiptare. Sipas shpjegimeve të zotit Meta, veprimi i zotit Cakaj “është shkelje penale, dhe një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Një ditë pas vendimit për refuzimin e kandidaturës së tij, sot kreu i Shtetit ju drejtua parlamentit për të kërkuar një hetim ndaj Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, pikërisht për rastin e zotit Cakaj. Ky i fundit, sipas shkresave zyrtare së cilave i referohet zoti Meta, ka aplikuar për Certifikatën e sigurisë vetëm me 3 Janar, dhe ka marrë përgjigjen brenda 24 orësh. Koha mjaft e shkurtër e verifikimit “nuk ofron besueshmërinë e duhur të certifikatave të sigurisë”, shprehet zoti Meta, aq më tepër që sipas Presidencës, duke qenë se zoti Caka, mban dy shtetësi, dhe atë të Kosovës, si dhe ka studiuar jashtë në Belgjikë e Hungari për një kohë të gajtë, verifikimet ndaj tij duhet të ishin shtrirë dhe në këto shtete. “Një proces verifikimi I kryer në me pak së 24 orë krijon dyshime të rëndapër veprimtarinë aspak objective dhe në kundërshtim me ligjet”, shkruan presidenti në kërkesën drejtuar Parlamentit.

Në një deklaratë publike, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar shprehet megjithatë se ajo ka kryer të gjitha procedurat konform me ligjin dhe se “administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i Republikës Kosovës. Referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për zotin Gent Cakaj, nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ”.

Drejtoria pranon se e ka lëshuar certifikatën me 4 Janar, pa treguar se kur e ka marrë kërkesën dhe duke lënë pa përgjigje pretendimin e presidencës se ajo duhet të kishte bërë verifikime dhe në Belgjikë e Hungari.

Vendimi i djeshëm i presidentit Meta për të refuzuar kandidaturën e zoti Cakaj, hapi dhe një herë debatin mbi kompetencën ose jo të presidentit të Republikës për të ndërmarrë një veprim të tillë. Për momentin mbetet e paqartë se si do të shkojë kjo përplasje e re mes Qeverisë dhe Kreut të Shtetit, i cili nuk ka pranuar në ndërkohë të firmosë as shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati, pa dhënë asnjë shpjegim ligjor për këtë vendim, i cili duket më shumë si një përpjekje për të mos i lënë mundësi kryeministrit që ta drejtojë diplomacinë përmes zoti Cakaj, edhe nga pozicioni i zëvendës ministrit.

Pasdite, ishte opozita që nisur nga informacionet dhe shqetësimet e ngritura nga opozita dorëzoi në parlament kërkesën zyrtare për ngritjen e një Komisioni hetimor, i cili sipas saj do të duhet të ketë objekt hetimi 4 çështje: “Verifikimin e ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK; Rolin e Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”; Arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjellë për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE; Autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.

Në kërkesën e saj, opozita thekson se konstatimet rreth procedurave për pajisjen me certifikatë sigurie të zotit Cakaj “evidentojnë një situatë të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe ngrenë dyshime serioze mbi cënimin e detyrimeve që vendi ynë ka si vend anëtar i NATOS. Në këto kushte, është ne detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë kontroll parlamentar dhe eventualisht të individualizojë përgjegjësitë e institucioneve shtetërore në këtë çështje.”

Opozita kërkon që komisioni të ketë 9 anëtarë, ku kryetari të jetë nga PD, si dhe një afat kohor prej 3 muajsh/ VOA

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.