Standard.al

“Batonorgjia e dhimbshme e Kryeministrit të vendit tim!”

0

 

Nga Luan Rama

Ai, Kryeministri i vendit tim, më e pakta do të duhej të heshtëte. Të heshtëte dhe të reflektonte mundësisht një herë të vetme nga lartësitë e përgjegjësisë së Kryeministrit, e të mos bëhej argument i papërgjegjshmërisë së rradhës me të cilën ai trajton shtetin, kushtetutën, ligjet dhe institucionet e vendit!
Të heshtëte dhe të kërkonte ndjesë për gjithë sa gatoi e bëri me propozimin për Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, të një kandidature më shumë se të papërshtatshme e të padenjë, fyese dhe provokative, e madje që nuk di as ta flasë e as ta shkruajë minimalisht në mënyrë të kuptueshme, se në mënyrë korrekte jo e jo gjuhë shqipe!
Dhe nesër, pra pasi të kishte heshtur sot, rë reflektonte e të kërkonte ndjesë, do të duhej të shfaqej i matur, serioz dhe i përgjegjshëm mbi argumentat që paraqiti Presidenti i Republikës, dhe si Kryeministër i përgjegjshëm i vendit tim të dëshmonte se di t’a tejkalojë lajthitjen ( njerëzit të gjithë gabojnë!), dhe të shkonte kah udha e zgjidhjes së drejtë, të ligjshme dhe në përputhje me interesat e vendit!
Mirëpo, ai, Kryeministri Edi Rama nuk di as të heshtë, as të kërkojë ndjesë, as të reflektojë, as të shfaqet i matur dhe i përgjegjshëm, as bashkëpunues e në shërbim të interesave të vendit e të shtetit.
Ai bëri të vetmen gjë që di të bëjë; batonorgjinë e rradhës, duke përdorur Kosovën si lëvere për të mbuluar kinse lakuriqësinë e vet!
Dhe, medemeke, i kërkon falje Kosovë, sepse, a thua Kosova na qenkërka ndjerë e fyer dhe e lënduar nga mosdekretimi prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të kandidaturës anonime të batonorgjisë kryeministrore për Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, a thua se edhe Batonit vetë nuk i mjafton Ministria e Arsimit që sapo e mori, pasi ka marrë më herët edhe vetë Kryeministrin!
Gjithë kjo batonorgji është e turpshme, është fyese për vetë dinjitetin e Shqipërisë dhe të Kosovë si dy shtete sovrane, por edhe për shqiptarët si një komb, që nuk e meritojnë talljen e të tjerëve që vazhdojnë të thonë se shqiptarët nuk dinë as të bëjnë shtet dhe as të qeverisen, ndërkohë që ne qeverisjen e kemi shndërruar në batonorgji!
Kjo është batonorgjia e dhimbshme dhe po aq e turpshme e Kryeministrit të vendit tim, e cila nuk mund të mbulohet as me miellin serb dhe as me licensat e qeverisë së Tiranës, dhe që është shfaqur edhe më parë, me idenë idiote të partneritetit strategjik me Serbinë, kur Shqipëria që prej rrëzimit të sistemit komunist është shprehur me vullnet popullor dhe kombëtar se partner strategjik i saj janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa të cilat as Shqipëria dhe as Kosova nuk do të ishin këto që janë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.