Paradoksi i semaforit të kuq…

0
381
Nga Armir Shkurti:
8 pa 10, 31 dhjetor. Semafor i kuq! Punë e madhe! Ja, pak sekonda e bëhet jeshil. Në shtëpi presin, tryeza është gati, zjarri ndezur….Pse vonohet semafori? Puna e tij! E di shteti që e ka vënë. Ata e dinë më mirë….Kalon një minutë. Semafori vazhdon i kuq. Në të djathtë është një tjetër veturë e pas saj edhe një tjetër. Shoferi i së parës shesh majtas e djathtas. Siç duket kontrollon për polic. Por polic nuk ka. Ai e nis makinën ngadalë duke kontrolluar si për policë ashtu edhe për makina të tjera. Pastaj ia shkel. Të njejtën gjë bën edhe ai pas.
“Unë nuk mund ta bëj! Përderisa shteti thotë “jo” unë do respektoj shtetin. Ky semafor nuk është thjeshtë një llampë. As një dritë e kuqe. Është shteti vet! Ç’rëndësi ka në është polic, inspektor me uniformë civile, vijë e bardhë, kamera sigurie a semafor? Ai është aty e pikë. Shteti është shtet e duhet respektuar me korrektësi. Përndryshe biem në anarki”
– Biiiiip! Bip -biiiip! – i bie borisë ai që është pas. Një tjetër veturë paskësh ndaluar pas duke pritur semaforin
“..por ky qenkësh i paduruar. A nuk e sheh semaforin e kuq? ” – Biiiii–iiiiiip! “Bjeri bjeri se i bike bukur! Të shkel ligjin unë ë? E kush dënohet pastaj? Unë! Pse e bëre? – do të më pyesë polici – Po ja…se më tha njëri nga pas. Po ti shkon me mendjen e kujtdo që të thotë një gjë apo respekton ligjin? …E unë jam një nga ata që respektoj ligjin! Për mua ligji është i shenjtë. I mirë – i keq, këtë e dinë të tjerët. Kur ligji bëhet duhet respektuar…”
Dy vetura të tjera ndalojnë në krah. Shoferi sheh këtej, sheh semaforin, sheh nga ana tjetër e i jep gaz.
– Biiiiiiiiii—bip bip bip biiiiiiiiiiiiiiiip! – ky i çmenduri pas. Ikën ai që ishte pas makinës ngjitur, ikën edhe ky i çmenduri pas meje, që kur më parakalon shan e bën me këmbë e me duar.
“Po mo po! Me mendjen tuaj unë! Ju u futët me të kuqe e shkelët ligjin. Unë kam një jetë që s’kam një gjobë, s’kam shkuar një herë në komisariat, pale në prokurori e në gjykatë. Pse? Se respektoj ligjin. I mirë – i keq. E dinë të tjerët. Ja ku po futet me të kuqe edhe ky tjetri. Ufff..u bë vonë! Mos ka defekt semafori? U futën të gjithë. “Po nëse mbyten të gjithë në lumë, do mbytesh edhe ti?” do të më pyesë polici siç pyeste mësuesja në klasë. PSE E SHKEL LIGJIN? “
Papritur ndizet llampa e karburantit. Do të thotë se nuk ka mbetur edhe shumë. “O Zot! Do ndizet kjo jeshilja apo si e ka hallin”. Fik ngrohësen e makinës që të kursej sadopak karburant. Nuk i dihet! Ora 8.02 dhe semafori vazhdon të jetë i kuq. Mbase ashtu do të mbetet për një kohë të gjatë…mbase përgjithmonë. “Duhet lajmëruar shteti! Kjo është demokracia që kemi zgjedhur në fund të fundit! Ka institucione shteti! Nuk funksionon një gjë? Atëhere ke detyrën të njoftosh institucionin përkatës. Jo ta zgjidhësh vetë, as të veprosh vetë. Se pastaj quhet vetgjyqësi e dënohesh…Po kë të njoftoj? Policinë patjetër! Nëse nuk punon semafori duhet njoftuar policia”
– Alo, mirëmbrëma! Jam në qendër por semafori ka të paktën 7 minuta që është i kuq.
– Po?
– Domethënë…..kur do bëhet jeshil dua të them…
– Pyesni Bashkinë zotri se me funksionimin e semaforëve nuk merremi ne, por është një ndërmarrje e posaçme në Bashki. Ne thjesht kontrollojmë qarkullimin , më kupton? Pra nëse ti kalon me të kuqe, unë kam detyrë të të vendos gjobë, të të marr patentën, të të çoj në komisariat, më kupton..?
– P..po po po!! J..ju kuptoj! Po sonte është nata e vitit të ri dhe ora është 8.03…Nuk ka njeri në atë ndërmarrjen e bashkisë…
– Më datë 3 fillojnë punën institucionet!
– Po mirë…nëse semafori është i kuq dhe dikush , ta zemë , kalon me të kuqe, ju, ç’bëni?
– Direkt i merret patenta zotëri, sepse , nëse ti po hyn me të kuqe, ti po konsumon një vrasje me dashje. Pavarësisht nëse ka apo jo viktimë apo aksident.
– Falemnderit dhe gëzuar
“Po këto mornica ç’janë? Frikë nga burgu që më përmendi polici apo makina që u bë kallkan ngaqë fika ngrohësen? Ç’të bëj? Të kaloj? Të shkel ligjin se nuk më sheh polici? Po ç’më dallon pastaj mua prej një hajduti të rëndomtë që merr një gjë se nuk e sheh kush? Thjesht unë kam ndërgjegjje dhe ndershmëri e ai jo. Kaq e thjeshtë është. Mbase sonte vdes këtu në këtë makinë, i bërë akull, por është më mirë kështu sesa të torturohem gjithë jetën prej akuzës së ndërgjegjes: “TI JE SHKELËS I LIGJIT”! Pa mendo sikur diku të jetë fshehur një polic, që ka 10 minuta që më përgjon. Do ta shkelë apo jo ligjin ky tipi – pyet veten. Edhe ai po ngrin, ndoshta pas një peme. Edhe ai ndoshta ka dilema: “pse unë duhet të ngrij këtu, pse unë nuk jam në tryezën e vitit të ri, me familjen , si të gjithë” por nëse ai është aty, ka fituar shteti!…Po edhe nëse nuk është ai, është semaforit. Dreq semafori! Po…a duhet ta gjykoj unë semaforin apo jo? Ka të tjerë që e bëjnë! Unë thjesht kam votuar! Kjo është detyra ime! Kjo është demokracia! Unë votoj një herë në katër vjet për t’i deleguar pushtetin atyre që e bëjnë më mirë këtë punë. Po nëse gabojnë? Përgjigjen ata! Ata jenë fajtorë dhe ligji e shteti merret me ta. Çdo berr varet nga këmbët e veta! Ndoshta edhe ky dreq semafori ka ngelur gabimisht i kuq. Ndoshta kështu do të qëndrojë deri më 3 janar në mëngjes! Dhe dikush do të përgjigjet detyrimisht për këtë! Ndoshta do të përgjigjet edhe për shëndetin tim…pse jo për jetën time, që mund ta humbas duke pritur në këtë semafor të mallkuar”
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here