Ëndrra nuk zgjat pafund!…

0
142

Erl KODRA

(Kjo është ëndrra ime që e shoh prej vitesh. Mbrëmë e pashë për herë të fundit)
Shpesh ëndërroj sikur Shqipëria është bërë vend i normal. Në ëndrrën time qytetet kanë ujë 24 orë në ditë, drita pa ndërprerje, ndërsa faturat e energjisë elektrike janë normale, diku afër 30 Euro në muaj, aq sa paguajnë mesatarisht në vendet e BE-se.
Kodrat, fushat dhe malet e Shqipërisë nuk mbillen me drogë në ëndrrën time, përkundrazi. Sepse ashtu siç ëndërroj unë, droga është zhdukur nga territori shqiptar. Të rinjtë nuk merren me këtë lloj trafiku. As që duan të dëgjojnë për trafiqe ilegale, sepse të ardhmen e tyre e shohin tek puna, biznesi, profesioni, prona, dhe zhvillimi ekonomik. Sepse të ardhmen e tyre e kanë gjetur në hapësiren mbarëshqiptare rajonale.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi tashmë, në ëndrrën time janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e një popullsie të re, që punon fort dhe konsumon shumë. Me një zhvillim të qartë dhe të qëndrueshëm.
Policia është realisht në shërbim të qytetarëve, në luftë me krimin dhe mafien. Asnjë polic nuk është i korruptuar. Asnjë mafioz nuk mban uniformën e Policit të Republikës. Të rreptë në zbatimin e ligjit. Duke respektuar liritë dhe të drejtat tona. Pikë.
Në ëndrrën time nuk shoh të varfër ashtu siç është koncepti sot për varfërinë. Sepse sot të varfërit nuk janë të varfër, por janë disa qenie të mjera, përtej përfytyrimit që ka patur Viktor Hygo kur ka shkruar romanin e famshëm “Të mjerët”. Në ëndrrën time të varfërit jetojnë në banesa sociale, marrin paga sociale dhe bëjnë një jetë dinjitoze.
Në ëndërrimet e mia të varfërit zvoglohen, sepse gjejnë punë, shkollohen, shpëputen nga kthetrat e mospasjes. Ata tashmë, në ëndrrat e mia janë plotë shpresë se nesër fëmijët do të jenë të aftë për të ndryshuar jetën e tyre. Kjo në Shqipërinë e ëndrrave të mia, sigurisht.

Ekonomia në Shqipërinë që ëndërroj unë është e orientuar nga turizmi dhe prodhimi. Prodhimi bujqësor dhe prodhimi i produkteve ushqimore dhe shërbimeve cilësore. Biznesi konkuron ndershmërisht dhe nuk përzihet në punët e politikës, madje as politika nuk i ngre kurthe biznesit. Përkundrazi, shoh një aleancë normale të një Qeverie që orienton politika, harton programe, mbështet dhe zhvillon me të gjitha mjetet e ligjshme ekonominë kombëtare. Një ekonomi e mirëfilltë tregu, duke luftuar kontrabandën, korrupsionin dhe informalitetin. Korrupsion nuk ka në atë çfarë ëndërroj unë. Të korruptuarit gjenden nën vëzhgimin e rreptë të institucioneve ligjzbatuese.
Gjykatat janë absolutisht të pavarura në fantazinë e ëndrrave të mia. Domethenë, aq të pavarura dhe të pa kapura nga asnjë lloj konflikti interesi, sa të duket punë fort e mërzitshme të punosh Gjykatës i Republikës. Gjyqtarët në ëndrrën time janë disa qenie të zbardhura nga qëndrimi në hije, larg vëmendjes tonë, që thjeshtë bëjnë punën e tyre në zbatim të ligjeve të Republikës dhe… kaq. Çfarë mrekullie!
Në ëndrrën e dëshirave të mia taksat janë të thjeshta dhe të ulta, por i paguajnë të gjithë. Nëpunësi i shtetit është një burokrat i ftohtë që zbaton ligjin, nuk merr ryshfet, nuk shet shërbime, por punon tetë orë ne ditë në zbatim të ligjit dhe rrëgullave të shtetit. Gjithashtu në të gjitha zyrat e shtetit punojnë disa njerëz profesionist, te heshtur dhe fjalëpakë, që marrin rroga të mira dhe janë të sigurtë se puna e tyre vlerësohet drejt.
Ata nuk kanë frikë se nesër do të gjenden në mes te rrugës, nëse thjeshtë do te zbatojnë rregullat dhe ligjet e shtetit.
Ëndrra ime është e gjatë dhe e gjerë, prandaj unë shoh aty edhe Kryeministrin e Shqipërisë, të heshtur, fjalëpakë, gjithmonë serioz, ashtu siç e kërkon detyra, të rrethuar nga burra të ndershëm, të zgjuar dhe punëtor.

Kryeministrin e vendit në Shqipërinë e ëndrrave te mia nuk e shoh shpesh në televizion, as në mediat e shkruara, përkundrazi, mezi pres të dalë para gazetarve një herë në muaj, në ndonjë aktivitet qeveritar duke dhënë mesazhe shprese por edhe llogari për premtimet që ka bërë gjatë kohës që na mbushte mendjen për ta votuar atë dhe partinë e tij.
Parlamentin e shoh shpesh në debate koherente për ligjet që miraton. Shoh edhe deputetë të partisë së Kryeministrit që e thërrasin këtë të fundit për të dhënë shpjegime dhe llogari për probleme madhore të zhvillimit të vendit. Në Parlament shoh profesionist të vertetë, njerëz dinjitoz dhe plot itegritet, zakonisht me tituj doktorë dhe profesorë.
Media është një tribunë e madhe idesh, debatesh koherente, analizash. Profesorë dhe gazetarë, njerëz të fjalës së lirë, punëtorë të vyer të së vërtetës, reporterë dhe analistë mbushin hapësirën tonë informative me raportime te sakta, analiza shterruese dhe ide të reja se si dhe çfarë mund të bëhet më mirë për vendin. Televizionet bëjnë vetëm punë televizive, asnjë punë tjetër. Të gjithë respektojnë fjalën dhe debatin, por janë koherent. Në ëndrrën time nuk e shoh Mero Bazen. Ai është zhdukur në një epokë tjetër bashkë me disa të tjerë, të gjithë përversë të dënuar nga përbuzja dhe neveria e njerëzimit.
Por ëndrra ime nuk zgjat pafund. Dhe ky është ai çasti kur zhgënjimi të godet si një shkëmb. Shoh dhe e kuptoj se njeriu është veçse një ëndrrimtar i pashpresë, një qenie e dobët që i ka shpikur ëndrrat për t’i ikur ferrit rreal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here