Standard.al

Kur guri zëvendëson letrën e pëlhurën. Artisti që përjetëson portretet përmes pikturimit në…

0

Faruk Begolli, Sami Frashëri, Nënë Tereza dhe Skënderbeu janë portretet që ta marrin shikimin me të hyrë në atelienë e Shqipërim Fejzullahut, artistit nga Presheva. Atelie kjo që ka filluar punën e saj në vitin 2001 e që çdo ditë po mbushet me emrat e atyre që janë vetë historia. Këtë herë këto portretet po i shohim në një mënyrë më të veçantë të prezantimit. Për gazetën “Zëri” artisti Fejzullahu tregon se pse ka zgjedhur që përmes gurit t’ia rrisë jetëgjatësinë veprave të tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kur guri zëvendëson letrën e pëlhurën

Pikturimi në sipërfaqe të gurit e jo në letër ose në pëlhurë, siç ndodh rëndom, e ka shndërruar punën e artistit Shqipërim Fejzullahu në një punë atraktive e tërheqëse që adhuruesit e artit po e pëlqejnë çdo ditë e më shumë. Për gazetën “Zëri” Fejzullahu tregon se ky proces është kompleks nga fillimi e deri në momentin e finalizimit.

“Procesi është kompleks derisa të realizohet. Zakonisht gurët për të punuar i gjej vetë duke marrë përsipër edhe hulumtimin nëpër natyrë, duke hulumtuar nëpër fshatra e nëpër qytete për të rënë në gurin më të veçantë për nga forma”, theksoi Fejzullahu.

Artisti tregon se ka pasur raste dhe kur është detyruar t’i blejë gurët në momentin që ka hasur në ndonjë gur të veçantë dhe nuk i ka rezistuar. Përveç Preshevës, Suhareka, Peja dhe disa qytete tjera janë lokacionet të cilat përmbushin nevojat e Shqipërimit për gurët më karakteristikë në dukje. Ajo që sipas Shqipërimit konsiderohet e veçantë është se format natyrore nuk preken duke intervenuar, por origjinalitetin e sheh si mënyrën më të mirë për punë.

 

Image

Ngjyrat e vajit dhe akrilikë janë ngjyrat me të cilat punon Shqipërimi sepse ai konsideron që kanë jetëgjatësi më të madhe.

“Këto lloje të ngjyrave kërkojnë më shumë kohë. Procesi i tharjes së gurit merr kohë, por pas përfundimit të punës këto piktura kanë jetëgjatësinë prej më shumë se 200 vjetëve, pa u dëmtuar dhe duke i rezistuar shumë kohërave”, tha ai.

Puna në gur e artistit nga Presheva ka filluar para pesë vjetëve dhe portreti i parë të cilin e ka punuar është ai i Albert Ajnshtajnit. Duke u mrekulluar me punën e këtij fizikani dhe duke lexuar shumë për të artisti e sjell në gur Ajnshtajnin edhe atë i punuar në tri projeksione në tri gurë. “Arti 3D është i pëlqyeshëm kohëve të fundit, unë kam dashur të bëj diçka më sfiduese dhe më komplekse. Pikturat që i bëj unë të japin përshtypjen se janë skulptura, por unë veç pikturoj dhe nuk modeloj si në skulpturë”, tregon ai.

Image

Idetë novatore, çelësi i suksesit 

“Cikli i portreteve” është emëruar puna e fundit në gur e Fejzullahut. Ky cikël u kushtohet të gjithë atyre që artisti ka dashur t’u bëjë një portret në gur, sepse sikur gurët që kanë jetëgjatësinë edhe jeta e tyre të jetë e pavdekshme.

“Skënderbeu, Sami Frashëri, Faruk Begolli, Hipokrati, Nënë  Tereza janë figurat më unifikuese që karakterizohen si pjesë e këtij cikli, të cilat janë bërë me shumë pasion sepse secila prej tyre ka historinë unike”, cilëson artisti.

“Cikli i pikturave portret” është cikli tjetër i artistit ku ka pikturuar Linkolnin, Gandin, Churchillin…, që karakterizohet me personalitetet më të shquara të historisë. Kurse disa nga fotografitë e vjetra si “Lidhja e Prizrenit” dhe “Qyteti i Preshevës” janë punime tjetra të veçanta që shihet në atelienë e artistit.
Puna e fundit e artistit preshevar, që është duke e zhvilluar për këtë vit, është “Cikli i fluturave”, që sipas Shqipërimit janë simboli i suksesit.

Sipas Fejzullahut, ka dhe shumë tema e motive të ndryshme që ka trajtuar e prej tyre ka edhe tjera portrete, objekte kulturore, peizazhe. Shqipërimi thotë se ka ardhur në përfundim që idetë e reja novatore sjellin suksese.

“Për çdo artist që e do profesionin e vet propozoj që të mos punohet vetëm kur ka kërkesa për të punuar, por të punohet për pasion dhe për profesionalizëm”, ka kërkuar sidomos nga artistët e rinj Fejzullahu.

Image

Shqipërimi thotë se artisti ka nevojë të shprehet sikurse këngëtarët që këndojnë edhe kur nuk kanë audiencë. Artisti kërkon që sikur shkenca edhe arti duhet të jetë në trend me kohën.

“Kam me mijëra punime, vizatime skica duke u munduar ta perfeksionoj profesionin, që të arrihet një kulm i suksesit i cili do të ketë sa më pak gabime dhe gjithmonë të jemi në kërkim të gjërave të reja, të shpikim dhe të kemi risi për të dhënë”, tha ai.

Së fundmi Fejzullahu tregon se merr informacione shkencore për gurët me të cilët ai punon, interesohet për vjetërsinë, për format, për emrat dhe kjo falë profesorit të gjeomorfologjisë Jahi Murati-Staneci, i cili ka zbuluar se artisti Fejzullahu ka pikturuar “Fluturat e tij” në një gur që daton me vjetërsi 200 milionë vjet. Sipas tij këtë informacion ia ka dokumentuar profesori në mënyrë shkencore.

Preshevari Shqipërim Fejzullahu që shkollimin e mesëm, fakultetin dhe masterin në fushën e artit e ka përfunduar në qytetin e Prishtinës, rikthehet në qytetin e lindjes pas 12 vjetëve për të jetuar dhe për të vepruar.

“Kam vendosur të kthehem në Preshevë pas 12 vjetësh. Kam ardhur për të zhvilluar punën time në vendim tim dhe në një qytet kulturor siç është Presheva. Artistë si unë për kah shkollimi ka edhe në Gjilan, edhe në Prishtinë, por edhe në shumë vende të tjera të Kosovës. Preshevës i duhen njerëzit e vet që ta promovojnë kulturën”, shprehet Fejzullahu, duke cekur se ky profesion është  problematik sepse varet nga rrethanat, nga faktorët ekonomikë, por që ia vlen kontributi dhe sakrifica.

Krahas kësaj Shqipërimi ka dhe një kurs, në të cilin përgatit studentët që kanë vendosur të studiojnë arkitekturë dhe art. Fejzullahu tregon se ka zhvilluar aktivitete duke punuar me të rinjtë dhe duke u munduar gjithmonë që me ta të nxjerrë artin, i cili zhvillohet me kohën.

Planet dhe programet që ka paraparë Shqipërimi për vitin e ardhshëm kanë të bëjnë me organizimet e ekspozitave në vende të Evropës e që së fundmi ka marrë një kërkesë nga Kroacia dhe nga Zvicra. Sipas tij, receta për vepra të mira është të punosh ngadalë që veprat të ekspozohen sa më profesionalisht e që kjo do punë me përkushtim dhe kohë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.