Standard.al

Guvernatori “duar kryq” para euros, “këmbëkryq” në sofrën Sulltan Salepit!

0

Një njoftim i Bankës së Shqipërisë i ditëve të fundit bëri të ditur për një fakt interesant. Dhe jo në kuptimin pozitiv të fjalës. Banka e Shqipërisë, e cila bëri blerje të përmasa të jashtëzakonshme në muajt qershor, korrik e gusht me synimin për të ndaluar forcimin e mëtejshëm të lekut, duket qartë se ka adoptuar një tjetër strategji, në kahun e kundërt, duke hequr dorë nga blerjet gjatë muajit shtator.

Banka e Shqipërisë ka blerë shuma të vogla valute gjatë viteve të mëparshme, por ajo ka shtuar shumë blerjet në vitin 2017 në 72 milionë euro. Ndërsa, në total gjatë këtij viti BSH bleu gjithsej 258 milionë euro, një shifër kjo e barabartë me afro 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rreth 78 milionë euro ishin blerjet e programuara për llogari të shtimit të rezervës valutore të vendit, ndërsa 180 milionë ishin blerjet e kryera në qershor, korrik dhe gusht. Kulmi duket se u shënua në muajin korrik me 72 milionë euro të blera. Banka e Shqipërisë shpalli ndërhyrje të jashtëzakonshme në 6 qershor pas forcimit të shpejtë të lekut në tregun e këmbimit valutor. Forcimi i lekut sugjerohet se është pasojë e të ardhurave në valutë nga aktivitetet e paligjshme të shqiptarëve në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, kryesisht trafik droge. Leku është forcuar nga kuota 140 lekë për euro në fund të vitit 2016, në 123 lekë për euro aktualisht. Gjatë këtij viti, leku është forcuar nga 133 lekë për euro, në 123.

Ndërkohë që euro ka vijuar të dobësohet si vlerë në tregun e shkembimeve, logjika ekonomike kërkonte që Banka qendrore të vijonte të ishte gjithnjë e më shumë prezente në këtë treg, duke blerë euro, që të ulej sadopak forcimi artificial i lekut. Në të kundërt, me sa duket duke iu bindur një urdhëri politik (nga qeveria) guvernatori Gent Sejko, ka tëhequr aksionin normal të BSH, duke lënë që euro të forcohej vazhdimisht.

Në këtë drejtim, ai është favorizuar edhe nga fakti se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë kishin mbetur vetëm tre, ata të caktuar nga një tjetër mazhorancë parlamentare kishin ikur të gjithë, pasi iu kishte mbaruar mandati dhe ai ishte i lirë të bënte atë që dëshironte qeveria. Por, me sa duket, edhe tani kjo lojë e pistë e BSH, e dirigjuar nga Edi Rama, do të vijojë, duke qenë se anëtarët e rinj u zgjodhën nga mazhoranca aktuale, përfshi edhe disa ish-opozitarë, që njihen mirë se bëjnë lojën e oligarkëve.

Po përse BSH është tërhequr nga blerja masive e valutës, që do të ishte logjika normale e gjërave? Kjo lidhet me faktin që shumë oligarkë, të cilët blejnë jashtë me euro, por shesin me lekë në vend, janë të interesuar të kenë këty një euro të dobët, për të rritur fitimin, që e ndajnë me kupolët e qeveritarëve dhe të Bankës së Shqipërisë. Në dëm të prodhuesve eksportues, që kanë shpallur në shumë raste falimentin.

Në fakt, Banka e Shqipërisë nuk mund të ketë rast më të mirë për të blerë euro të lirë në treg, për të krijuar mundësinë e uljes së detyrimeve ndaj botës së jashtme, që Shqipëria i ka jo pak, por 8.1 miliardë euro, sipas statistikave zyrtare. Por ajo nuk ndërhyn, jo vetëm duke lënë pa mbrojtjen institucionale këta eksportues, që mbajnë me bukë 100 mijë punonjës dhe familjet e tyre në mbarë vendin, por duke krijuar edhe kushte ideale për pastrimin e parave të pista, që pushtetarë dhe kriminelë mund t’i blejnë më lirë në vend, për t’i transferuar ato më pas jashtë vendit në kanale të ndryshme.

Pastrimi i parave

Pastrimi i parave është procesi përmes të cilit të ardhurat kriminale shndërrohen në të ardhura ‘në dukje’ të ligjshme. Në Shqipëri, ky proces varion në kompleksitet dhe sofistikim, por në thelb ka për qëllim të fshehë origjinën e të ardhurave të paligjshme, të ndryshojë formën e tyre dhe t’i zhvendosë duke tërhequr sa më pak vëmendje.
Fushat ku janë investuar para me origjinë nga veprimtari të organizuara kriminale janë të larmishme dhe përfshijnë pothuaj çdo lloj veprimtarie ekonomike. Ekspertët vërejnë se pjesa dërrmuese e “parave të pista” është investuar në fushën e ndërtimit, me një ritëm të ekzagjeruar, që nuk përputhej me nivelin ekonomik të vendit. Sipas ekspertëve dhe raporteve të ndryshme, fusha të tjera përfshijnë biznese si karburante, veprimtari prodhuese, fabrika moderne përpunuese, kompani import-eksporti, infrastrukturë, prodhim energjie, biznese të lojërave të fatit, miniera, turizëm dhe agjenci turistike.
Metodat e përdorura nga grupet e organizuara kriminale për pastrimin e parave janë nëpërmjet bankave, zyrave të këmbimit valutor si dhe transaksioneve të parave në cash. Pavarësisht ekzistencës së një sistemi funksional në funksion të parandalimit të pastrimit të parave, grupe të organizuara kriminale dhe grupe korrupsioni qeveritar arrijnë të kryejnë transaksione të dyshimta në llogari bankare, sigurojnë garanci bankare të dyshimta dhe marrin kredi për të justifikuar të ardhura të paligjshme. Zyrat e këmbimit valutor janë gjithashtu të ekspozuara ndaj pastrimit të parave, për shkak të marrëdhënieve sporadike me klientët, përdorimit të parasë në dorë, shumave relativisht të ulëta të transaksioneve të kryera, transferimit të shpejtë të fondeve në vende të ndryshme dhe mundësive të kufizuara për bllokimin e mundshëm të transaksioneve nga autoritetet ligjzbatuese.
Për shkak të natyrës së paligjshme të transaksioneve, është e pamundur të raportohet një statistikë e saktë mbi sasinë e parave të pastruara çdo vit.
Tregu shqiptar ka qenë shprehimisht i përmbytur nga eurot, sidomos vitet e fundit, si pasojë e vërshimit të parave të drogës dhe korrupsionit. Vetëm kjo mund të shpjegojë uljen e vlerës në tregun tonë, kur në asnjë cep tjetër të botës nuk vërehet dobësim i valutës evropiane. Nuk mund të quhet rastësi fakti, që dy ministra të Brendshëm të qeverisë Rama janë zbuluar si të lidhur me familjarë me trafikun e drogës. Nuk është rastësi që qeveria ka vendosur nën tutelë Prokurorinë e Përgjithshme për të mbyllur dosjet më të nxehta të ministrave të saj të lidhur me drogën apo edhe drejtorët e policisë që ende “nuk gjenden”. Bankat kanë ulur kreditimin ndonëse ndërtime po shtohen dhe janë paratë e drogës që pastrohen përmes betonimit të qyteteve që po zhvlerësojnë dhe euron.

Dhe Banka e Shqipërisë është bashkëfajtore në të gjithë këtë proces, me guvernatorin ulur këmbëkryq në sofrën e Sulltan Salepit kryeministër.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.