Standard.al

Loja e pistë e oligarkëve/ Roli i parave të pista dhe pasojat tragjike që presin Shqipërinë….

0

Ka muaj që në Shqipëri po ndodh një fenomen i çuditshëm, i cili lidhet me dobësimin e vazhdueshëm të euros në këmbim me lekun. Ky fenomen nuk ndodh në këmbimet e valutës evropiane me dollarin. Nuk ka ndodhur as edhe në rajonin e Ballkanit me valutat e vendeve të tjerë. Duke ndjekur këtë trend, euro e ka nisur javën e fundit të këtij viti, duke u nënçmuar me shpejtësi në raportet e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet tani me pak më shumë se 122 lekë, duke vendosur një tjetër rekord të ri që prej muajit gusht 2008, kur këmbehej mesatarisht me 121.44 lekë. Fenomeni është i çuditshëm dhe me shpjegimin e tij po merren shumë specialistë. Por elozhi më i pakuptimtë në këtë mes që i është bërë qeverisë shqiptare, nisur nga kjo situatë, vjen nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Gent Sejko deklaroi dy ditë më parë se kjo tregon forcimin e lekut, jo dobësimin e euros.

Po ku e sheh kreu i bankës qendrore logjikën e një forcimi pozitiv të lekut?

Mjafton të shohim reagimin e djeshëm të industrisë fasone, për të kuptuar se masa e madhe e bizneseve kanë vetëm të këqia nga dobësimi i valutës së përbashkët evropiane. Dhoma e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve i është drejtuar dje qeverisë me një letër të hapur. Përfaqësuesja e më shumë se 500 sipërmarrësve në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nën rregjimin e përpunimit aktiv (fason) ka treguar hapur situatën ekonomiko-financiare që po kalon sektori fason. SHKPV arriti në konkluzionin se dy janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e tejskajshëm të gjendjes ekonomike të ndërmarrjeve prodhuese fason: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek dhe Mosrimbursimi i TVSH-së. “Mbivlerësimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet e prodhimit fason. Të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë. Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve (të ardhurave) për këto kompani. Theksojme se fitimi mesatar i ndërmarrjeve të prodhimit fason është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit”, theksojnë ata.

Dhe fjala është për një industri që punëson jo pak, por 100 mijë vetë!

Faktet të lenë të kuptosh se rënia e vlerës së euros ka shkaqe të thella. Le t’i analizojmë ato, para se të arrijmë në një konkluzion. Shqipëria, 90% të produkte jetike e shërbimeve bazike i importon, duke mbijetuar vetëm nga importet. Bizneset 95% të blerësve, i kanë me kontrata paraprake porosie, në euro me kuotë tregu malli të momentit të nënshkrimit të kontratave, që do të thotë, më shumë stoqe, më pak prodhim, më pak të ardhura fitime, më pak vende pune e më shumë paga të ulëta në lekë, por edhe paga në euro, të zhvlerësuara si fuqi këmbimi e blerëse, në kushtet e një euroje, që ka marrë tatëpjetën e pandalshme.

 

Që pas janarit 2014, eksporti shqiptar, që i jep ekonomisë 2.2 miliardë euro në vit, pësoi goditjen e parë fatale e të pandalshme, duke humbur 36 milionë euro çdo vit, vetëm nga një loja e pisët, që nisi qeveria me Bankën e Shtetit për ndërhyrje të mbrapshtë në tregun valutor. Gjatë vitit 2016, humbja që pësuan eksportet, ishte 39 milionë euro, ndërsa për vitin 2018, parashikohet 42 milionë euro humbje, vetëm për shkak, se prej një viti, euro është futur totalisht edhe me kurs këmbimi bankar shtetëror në këtë lojë.

Vetëm në Shqipëri ndodh, që qeveria nuk bën politika për lehtësim, fuqizimin e mbrojtjen e prodhimit vendas, sidomos atij për eksport që mbush arkën e shtetit, duke e “vrarë” këtë biznes, përveç taksave, edhe me kursin e sajuar të euros, me ulje të thella e ngritje minimale, sipas kursit të interesave, që kanë qarqet përfituese brenda e jashtë pushtetit, politikës dhe oligarkisë së lidhur me to.

Sipas ekspertëve, zhvillimet e dy tre viteve të fundit kanë rezultuar të paparashikueshme në tregun valutor vendas, teksa rënia e fortë e euros nuk shpjegohet zyrtarisht me përmirësim të dukshëm të bilancit të llogarisë korente (hyrje-daljeve të valutës në vend). Në tremujorin e parë dhe të tretë sivjet, madje ky bilanc u përkeqësua, çka teorikisht duhet të kishte ndikuar në forcimin e euros, por në fakt ndodhi e kundërta.

Banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh në qershor, kur euro ra me shpejtësi, nga rreth 134 lekë në fillim të vitit, në 124.17 lekë në 5 qershor, ku bleu më shumë se 100 milionë euro, por nga muaji shtator ajo sinjalizoi tregjet për tërheqje, duke e “hapur krahun”, çka bëri që monedha e përbashkët të hynte sërish në një trajektore të pandalshme rënëse.

Ata që përfitojnë në këto situata janë kompanitë e mëdha, të cilat importojnë në euro dhe më pas shesin mallrat në lekë në tregun vendas. Pikërisht këta janë edhe mxitësit kryesorë që qeveria dhe BSH të ndikojnë me veprimet dhe mosveprimet e tyre duke forcuar lekun. Kjo ka sjellë, nga ana tjetër, një nivel të ulët i qarkullimit të monedhës vendase. Ky fakt konfirmohet dhe nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës, paraja gjithsej në ekonomi, ndryshe agregati M3, shënoi rënie gjatë muajit tetor në raport me tetorin e vitit 2017, duke u tkurrur me 1.2 miliardë lekë. Krahas ofertës së shtuar të eurove në tregun e lirë (niveli i të cilave nuk matet dot nga Banka e Shqipërisë), qarkullimi i ngadaltë i lekut vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kryesore që po forcon monedhën vendase përtej pritshmërive. Thjesht, njerëzit e thjeshtë kanë më pak para në dispozicion. Kështu, kur oligarkët majmen, bashkë me qeveritarët, shtresa e mesme dhe e ulët luftojnë për mbijetesë.

Së fundit, po jo me pak e rëndësishme, është edhe rrjedha pa fund e parave të pista që qarkullojnë pushtetarët në vend. Ato miliarda euro që vijnë nga trafiqet e kontrolluara prej tyre nuk mund të mos ndikojnë dukshëm edhe në kursain e këmbimit. Që ka të bëjë me euron, ndërkohë që dollari apo paundi britanik nuk ndryshojnë, pasi edhe trafiqet bëhen me vendet e Eurozonës. Mjafton kjo për të vënë në alarm Prokurorinë. Por kjo vazhdon të flejë, duke lënë vendin në mëshirë të kryeministrit, ministrit të Financave dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në lojën e tyre, tashmë të demaskuar keq, por shumë të dëmshme, me kursin e euros.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.