Standard.al

Emergjenca e protestës/ Ndryshimet ligjore në arsimin e lartë ishin një krim i paralajmëruar…

0

Keqadministrimi i universitetit në tre dekadat e fundit prej masivizimit pa kriter të studimeve të larta dhe mungesës së vizionit për të lidhur diplomat me tregun e punës kanë krijuar së fundmi një emergjencë ndër studentë, të cilët e kanë parë zgjidhjen te protesta.
Tre vite pas zbatimit të një reforme të re në arsimin e lartë, rezultatet tregojnë se situata është përkeqësuar në drejtim të autonomisë, financimit, infrastrukturës dhe cilësisë në universitete. Auditorët po braktisen, numri i studentëve ka rënë me 25% në katër vjet. Shkaqet që “rrënuan” universitetin dhe mundësitë për daljen nga situata sipas ekspertëve.

Tre vite pas zbatimit të saj, reforma në arsimin e lartë ka rezultuar aq defektoze, sa ka detyruar mijëra studentë dhe pedagogë të kërkojnë nëpërmjet protestave në rrugë ndryshimin e ligjit, i cili, përveçse rriti tarifat me rreth 40% për studentët ka shtuar problematikat në lidhje me administrimin e universiteteve dhe ka rritur korrupsionin. Hallkat shtesë të krijuara në ligjin e ri dhe rritja e kontrollit të qeverisë ndaj arsimit të lartë kanë shtuar burokracinë në marrjen e vendimeve dhe administrimin financiar të universiteteve, duke u bërë shkak për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në infrastrukturën dhe cilësinë e universiteteve, në vend të përmirësimit të saj.

Nëse një departamenti i duhen pajisjet më të thjeshta, karrige ose tavolina, me ligjin e ri duhet të ndjekë një rrugë të gjatë për sigurimin e tyre që kalon nga Senati Akademik, Rektori dhe më pas te Bordi i Administrimit që vendos nëpërmjet Administratorit. Me ligjin e vjetër, procedura ishte më e thjeshtë, pasi Rektori dhe Kancelari ishin hallkat kryesore dhe burokracitë, më të vogla, shpjegojnë pedagogët.

Me ligjin e ri të 2015-s, qeveria ka rritur kontrollin mbi universitetin, thotë Redi Muçi, pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë. Administrimi i Universitetit të Tiranës bëhet nga një Bord Administrimi me 7 anëtarë. Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor përcakton se, numri i anëtarëve dominohet nga institucioni, që siguron masën më të madhe të financimit për universitetin. Në rastin konkret, 70% e financimeve sigurohen nga qeveria dhe 30% nga universitetet. Ministria e Arsimit ka të drejtë të ketë shumicën në bord, i cili merr vendimet financiare për investimet në infrastrukturën e universiteteve dhe ekzekuton buxhetin e tyre. Duke qenë se shumica e anëtarëve në bord nuk kanë lidhje me universitetin, për rrjedhojë vendimet e tyre kanë qenë larg nevojave që ka universiteti, tha Klement Qerimi, pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Me ligjin e vjetër për arsimin e lartë, që i takonte vitit 2007, organet drejtuese dhe administruese në institucionet publike të arsimit të lartë ishin senati akademik, rektorati, këshilli i administrimit, këshilli i etikës dhe këshilli i fakultetit ose institutit, të cilët zgjidheshin edhe me votat e studentëve dhe pjesë e universitetit.
Studentët dhe pedagogët pohojnë se forma e re e administrimit ka rritur korrupsionin në universitete. Për çdo mbledhje, Bordi i Administrimit që dominohet nga qeveria shpërblen anëtarët e saj me 35,000 lekë për mbledhje, ndërsa vendos të blejë mjete dhjetëfish me çmime më të larta se të tregut. Më parë, nevojat për mjete plotësoheshin nga kancelari, i cili ishte në varësi të rektorit dhe pjesë e trupës akademike të universitetit.

Olti Rrumbullaku, Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se reforma fshiu dhe e bëri zero demokracinë e fakulteteve me heqjen e këshillave të fakulteteve. Bordet e administrimit me ligjin e ri, varen nga ministria dhe më e rëndësishmja, për një vendim duhen shumë miratime njëkohësisht dhe shumë rrallë merret ndonjë vendim, shton ai. Çdo gjë bllokohet lehtë.

Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se ndryshimet ligjore në arsimin e lartë ishin një krim i paralajmëruar. Që në krye të herës, akademikë e specialistë, kërkuan që ky ligj të mos miratohej, pasi do të kishte probleme të mëdha. Zoti Mehmeti tha se qeveria dhe posaçërisht kryeministri Rama, dëgjoi vetëm veten, miratoi një ligj të keq, i cili, kishte këto të meta në parim: I referohej një sistemi krejtësisht të ndryshëm nga ai shqiptar sikundër ishte ai britanik. Ne jemi krejt ndryshe dhe shumë vite drite larg autonomisë, ndërsa u cenua rëndë autonomia, pasi Bordet e Administrimit kaluan në dorë të Ministrisë së Arsimit, duke vënë në konflikt të hapur studentët me drejtuesit e universiteteve.

Nga 2013 në 2018, tarifat për studimet e larta janë rritur 45%
Tarifat e studimit në arsimin e lartë janë rritur në mënyrë të dukshme gjashtë vitet e fundit me shumë se 40% për të gjitha nivelet e studimit, por rritja më e fortë është aplikuar për tarifat master. Sipas të dhënave zyrtare në vitin akademik 2012-2013, një master shkencor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës kushtoi 174,720 lekë, ndërsa në vitin akademik 2018-2019 kushtoi 252,000 lekë. Rritja e tarifës është 44%. Po në këtë masë, tarifat janë rritur për të gjithë masterët shkencorë dhe profesionalë në të gjitha fakultetet.

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, tarifat e masterit shkencor janë rritur me 44% në raport me vitin akademik 2012-2013. Për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tarifat janë rritur me 40%, në Fakultetin e Drejtësisë me 44%, në atë të Politeknikut me 57%. Tarifat në Universitetin Bujqësor në Tiranë janë rritur me 23%. Në nivele të ngjashme, tarifat janë rritur edhe për studimet master.

Shqipëria renditet ndër vendet europiane me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në vitin 2016. Sipas Eurostat, të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin 30% e mesatares së të ardhurave për frymë të BE, duke e renditur vendin tonë të fundit në Europë si për nivelin e të ardhurave dhe konsumit. Nga ana tjetër, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të larta për arsimin në Europë. Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, një peshë gati katër herë më e lartë se e familjeve europiane në vitin 2017.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë – Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Për Kukësin, qarkun më të varfër të vendit, duket se shpenzimet për arsim rëndojnë më shumë se në qarqet e tjera të vendit. Për familjet kuksiane, shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.
Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana, me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve. Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim. Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3% të totalit të shpenzimeve të tyre.

Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Për nivelin e studimeve master, viti akademik për gradën e Masterit Profesional është 72 mijë lekë (studimet e plota 144 mijë), ndërsa për Masterin Shkencor është 105 mijë lekë (dy vite 210 mijë lekë). Në universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro, në 3500 euro.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.