Standard.al

Rexhep Qosja, vlerësim për Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”

0

Akademik Rexhep Qosja

Më gëzoi letra e kryetarit Ago Nezha për ftesën që të marr pjesë në Kuvendin e Gjashtë të Labërisë në Vlorë. Është një rast i veçantë ky për mua: që të shihem me njerëzit e mendimeve e të ndjenjave të mia:

e para, me labët dhe labet e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe me anëtarët e tjerë të saj dhe,

e dyta, që të shoh Vlorën, që të shoh zhvillimet, ndërtimet e saj e të mësoj për gëzimet dhe shqetësimet e saj.

Por, nuk munda të vi. Nuk munda të jem në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit ku isha i ftuar. Dhe, nuk munda të isha as në Panairin e Librit. Megjithatë do të jem me ju me mendime e me dëshira që punimet e Kuvendit të Gjashtë të jenë sa më të suksesshme dhe sa më jehuese në jetën shoqërore, kulturore dhe, pse jo, politike mbarëkombëtare. Në jetën shoqërore, kulturore e politike shqiptare sot po flitet shumë, më shumë se ndonjëherë tjetër në historinë tonë dhe po flitet gjithçka. Po flitet çka duhet dhe si duhet, por edhe çka s’duhet e si s’duhet! Kultura e bashkë-marrëveshjeve, që adhuruesit e fjalëve të huaja i thonë komunikim, e bashkë-marrëveshjeve të dëshiruara politike është zvetënuar pamatshëm. Interesat e përgjithshme, publike, po cenohen rëndë prej disave dhe po cenohen, jo vetëm në institucionet e vendit, të brendshme, por edhe në institucionet e jashtme, të huaja! Disa parti janë shndërruar në institucione të spiunazhit të haptë kundër vendit të vet! Përkatësitë e ndryshme më të ngushta po vihen mbi përkatësitë e përbashkëta, të përgjithshme! Shoqëria shqiptare është rrëgjuar në dy shtresa të mëdha: në shtresën e politikanëve që po pasurohen gjithnjë e më shumë duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur postet politike edhe më pamëshirshëm se pushtuesit e dikurshëm dhe në shtresën e popullit që po varfërohet gjithnjë e më shumë! Korrupsioni i të gjitha prejardhjeve, nepotizmi i të gjitha përkatësive, zhvatjet e pasurive kombëtare të të gjitha mënyrave, privilegjet e të gjitha llojeve, lukset, ahengjet, turizmet e të gjitha pasaportave janë bërë mjetet që cenojnë, zhvlerësojnë, përbuzin barazinë e ëndërruar të dinjiteteve, barazinë e ëndërruar shoqërore, aftësitë profesionale, dhuntitë krijuese dhe vlerat e tjera që e kanë mbajtur gjallë e të dinjitetshëm në histori popullin shqiptar! Në Shqipërinë shtetërore po bëhen përpjekje për pengimin dhe mënjanimin e të keqes së madhe: privatizimit të gjyqësorit dhe të shtetit, kurse në Kosovë shteti, nga shumë të këqija i plagosur rëndë, është bërë shtëpi private e sundimtarëve bashkëkohorë shqiptarë! Numri më i madh i intelektualëve, i krijuesve të arteve e të shkencave, si kurrë më parë i shpërfillur e i diskriminuar prej sundimtarëve politikë, vazhdon t’i shikojë gojëmbyllur gjithë këto të këqija të rënda në jetën shoqërore, politike, shtetërore, kulturore! Për të gjitha arsyet e sipërthëna është e nevojshme, shumë e nevojshme, që të dëgjohet shumë më shpesh ,se viteve të fundit zëri i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, zëri i Labërisë. Dhe, të dëgjohet zëri i saj politik pa ngurrime, se është Shoqatë kulturore, vetëm kulturore. Ajo është Shoqatë Atdhetare. Ajo, më në fund duhet të flasë me Zërin e gjithmonshëm të Labërisë, të Labërisë që ishte gjithmonë zëri i gjithë-shqiptarisë.

Juaji me përkushtime vëllazërore, Rexhep Qosja

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.