Protesta e studentëve po i jep fund modelit arkaik të tranzicionit

0
124

Nga Shezai Rrokaj

Protesta e studentëve po rrëzon përfundimisht modelin arkaik të kryeministrit që nuk ndahet dot nga kryetari i partisë në ushtrimin dhe ndarjen e këtyre dy detyrave.

Në praktikën politike të vendeve me traditë e kulturë demokracie këto dy funksione mund të mishërohen tek i njëjti person, por ato janë qartësisht të ndara, sepse kur i njëjti person është edhe kryetar partie edhe kryeministër problemi i ndarjes së dy roleve bëhet nëpërmjet faktit se partia imponohet përmes programit elektoral që bëhet program qeverisës, dhe aty pushon roli politik partiak i kryetarit të partisë, i cili në vijim kryen vetëm detyrën e kryeministrit.

Te ne, për mungesë përvoje demokracie, ndarja e këtyre dy pushteteve tek i njëjti person ka qenë deri sot praktikisht e pamundur. Arsyja kryesore është se sindroma e sistemit totalitar vijon edhe sot të përqendrojë në mënyrë të nëntëshme tek i njëjti njeri pushtete absolute të kryetarit të partisë dhe të kryeministrit, madje të sanksionuara deri në Kushtetutë, e cila e rëndoi edhe më shumë këtë situatë me ndryshimet e vitit 2008.

Protesta studentore na e bëri edhe më të qartë këtë fakt. Mjafton të qasen dy modelet aktuale të Macron-it dhe Ramës, ku i pari veproi si kryeministër ndaj ‘jelekverdhëve’, të cilët protestonin për çmimin e naftës, kurse tek ne Kryeministri ynë pohon se kërkesat janë të realizueshme dhe i pranon, mirëpo duke qenë edhe Kryetar i PS-së, ai është i varur nga një zë i brendshëm që i thërret për të marrë përfitimin politik nga kjo situatë. Pra, si kryeministër ushtrimi i detyrës i thotë: ‘mirato ose jo kërkesat”, kurse si kryetar i partisë ai kërkon përfitimin politik si sukses të Rilindjes.

Kjo lloj qeverisjeje e ka shoqëruar gjithë tranzicionin shqiptar, por në këtë mandat kjo Qeveri e shpuri këtë model arkaik deri në sgrip. Të ndalemi në disa fakte sesi gradualisht Rilindja ra plotësisht në kurthin ideologjik të partisë-shtet. Nuk pati asnjë program elektoral. E gjithë fushta u bë për tepsi, timon e kazan. U anatemua LSI-ja si “delja e zezë” e çdo keqqeverisjeje në mandatin e parë, duke e kërkuar pushtetin vetëm e me çdo çmim. Në funksion të këtij qëllimi u përdor kanabizimi i vendit dhe grupet kriminale për blerjen e votës. Më pas objektivi ishte kapja e pushteteve të drejtësisë (që filloi me Prokuroren e Përgjithshme dhe më pas procesi i vettingut) dhe të medias, si dhe vënia nën kontroll të ekonomisë kombëtare me një grup oligarkësh me të cilët Qeveria u bë palë për ndarjen e fitimit. U synua dobësimi i opozitarizmit dhe vetë opozitës me qëllim krijimin e një modeli putinist të partisë së popullit me kundërshtarë politikë të dobët. Në funksion të këtij qëllimi u ndërtua edhe propaganda “Shqipërinë që duam”, “policinë që duam”, “mësues për shqipërinë”, “shkolla qendër komunitare”, “llogaridhënie para popullit” etj. Konkurrenca si element i qenësishëm i shoqërisë demokratike u zëvendësua me konkurrencën qeveritare të like-ve dhe të share-ve.  Me pak fjalë, u ndërtuan dy realitete: njëri i propagandës së ERTV-së dhe i makutërisë së pushtetit dhe tjetri, ai popullit, me rritjen e varfërisë, braktisjen massive të vendit, sidomos nga popullsia aktive, dështimin gradual të reformave në arsim, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë etj. Qeveria u përfshi në demonstrime publike pompoze duke trumpetuar kinse reformat të një realitet imagjinar, ku ra brenda vetë krijuesi i këtij realiteti, Kryeministri, me gjithë establishmentin e servilve, pseudoreformatorëve, gënjeshtarëve, mashtruesve që pushteti i krijon me bollëk.

Kjo është arsyeja përse kryeministri nuk bën detyrën dhe të miratojë kërkesat, por do ta shesë si nder për të përfituar kapital politik partiak si kryetar partie. E mundon detyra e kryetarit të partisë-shtet dhe nuk kupton se ka qytetarë edhe jashtë politikës dhe vetë krijesës së tij, Rilindjes, se hallet e qytetarëve nuk kanë parti dhe nuk ndahen në halle të majta dhe të djathta. Kështu është edhe protesta e studentëve, të cilët kanë nevojë për një kryeministër, që bën detyrën dhe jo një kryetar partie që bën propagandë me monologë për kinse akademi dhe kërkon t’i konsiderojë studentët politikisht, duke u thënë se “unë dhe ju” do t’i realizojmë bashkë kërkesat. Teksa gjen gjithfarë alibish dhe viktima për t’ua kaluar fajin, ai harron të thotë se përse qeverisja e tij e ka lejuar vetë këtë gjendje. Ai nuk tregohet i sinqertë dhe të japë llogari para tyre dhe gjithë shoqërisë se përse nuk e ka bërë deri tani subvencionimin për arsimin 5% të PBB-së, (i vendosur në objektivat e Strategjisë së Arsimit Parauniveristar SAPU 2014), sikundër po veprojnë të gjitha shtetet rrotull nesh. Për çfarë dialogu do të vijnë studentët, z. Kryeministër? Që Ju të bëni monolog me ta, të flisni dhe ata vetëm të dëgjojnë, siç ndodh rëndom në takimet tuaja publike dhe që pastaj t’i shisni si marrje a përballje mendimesh me grupet e interesit? Ta mësuan njërëzit këtë avaz, z. Kryeministër. Studentët nuk janë ekspertë financash, reformatorë programesh qeverisjeje, që të vijnë dhe të bëjnë llogari për plotësimin e kushteve të tyre. Është detyra Juaj. Gjendja e familjeve shqiptare është shumë e rëndë ekonomikisht dhe nuk kanë mundësi të paguajnë tarifa shumë të larta. Ata duan punë sipas profileve dhe jo të shkojnë nga halli në call-center apo kamerierë. Studentët po të thonë shumë thjesht bëhu kryeministër nuk kanë nevojë për kryetar partie. Por këtë Ju nuk doni ta kuptoni dhe nuk e duroni dot, sepse tek Ju veprojnë bashkë edhe kryetari edhe kryeministri. Ndahuni nga ky dyzim, thonë studentët. Dhe kjo këmbanë demokracie për Ju tregon fundin e një cikli a modeli qeverisës, ndaj duhet të dëgjohet prej kujtdo që nesër do të jetë në vendin Tuaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here