Ke shumë të drejtë z. Kryeministër!

0
95

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Përtej gjithë zhurmës së madhe, dialog, protestë, kërkesa të drejta ose jo, ligji i arsimit të lartë, buxheti 2019, të gjitha këto ngjajnë si fjalë kyçe të ndonjë punimi shkencor, a studim rasti që me shumë gjasa nuk për të parë ditën e botimit. E dini pse? Sepse z. Kryeministër ka të drejtë, bile-bile, shumë të drejtë. Që në krye të herës studentë, pedagogë e gjithë shoqëria nuk e kanë lëçitur mirë ligjin, reformën që do t’u jepte begatën arsimit të lartë. I gjithë dituri e hodhi në treg, me plot finesë këtë reformë, por…. Ja që i ndodhi “fatkeqësia”, që ia vetë nuk e priste. Reformën e mori ta lexonte e më pas ta kuptonte, një popull i paditur. E ku qëndron faji i kryeministrit në këtë rast. Pra ai ka shuam të drejtë kur thitë se ju nuk dini të lexoni por vetëm flisni kot, qorrazi, kundër së mirës që e kishin në prag e në vend që t’i thoshim kismet i thamë lanet.

Ai u kërkon në dialog, studentët, bënë fotot sipër kokave të tyre, nxjerr selfie me emoji interesante në Twiter, është gati të shtoj dhe 2 pika plus tetë në shportën e dhuratave për Vitin e Ri. Por ata “të paudhë studentë”, mbetësa, njerëz aksidental, me kosto por shoqërinë si parkimi i gabuar nuk e dëgjojnë atë.  Ai, kryeministri ishte gati t’u jepte në tepsi “kokën” e ministres së arsimit, por ata e qëlluan me shishe, nuk e pritën tek bulevardi dhe për më keq e zbythën së bashku me taborin e drejtorëve që kishte me vete. Madje vunë dorë edhe mbi “gruan e hekurt” të arsimit duke e qëlluar me shishe. Dhe në këtë rast i kujt është faji i studentëve. Pra deduksioni është i qartë: Kryeministri ka shumë të drejtë.

Njësoj si Zeusi i pamëshirshëm që lëshonte rrufetë kundër armiqve të tij, Kryeministri drejtoi gishtin e tij plot kërcënim, mbi dekanë e rektorë, që e kishin marrë më qafë qeverinë dhe në mënyrë të veçantë ministren e arsimit me ato palo tarifa. Njësoj se tek filmi “Në fillim të verës”, kryeministri gati sa nuk tha “për atë zot ma hodhën këta dekanë e rektorë”. Kush e kishte fajin në këtë mes, kryeministri apo ata që e morën në qafë. Madje ai jua tha në sy dhe ata akademikët, nuk lëvizën as muskulin më të ndjeshëm të fytyrës.  Pra Kryeministri ka përsëri të drejtë.  Tarifat ai kryeministri inë vizionar i vuri pak të larta (30-50%), në vitin 2014, “kur bumi ekonomik” shqiptar habiti BE dhe SHBA. Por tani që IAL-të kanë “pavarësi të plotë” nga vetja e tyre dhe të varur nga qeveria, duhet t’i rishikojnë vetë e mos t’ia hedhin fajin qeverisë, e të qurravitjen pranë saj për çdo gjë. Pra me “logjikë” të ftohtë kryeministri ka përsëri të drejtë.

Konvikte, kushte banimi të këqija, kequshqyerje të studentëve, si mund të jenë faji i kryeministrit. Fajin e kanë ata që kanë marrë me qera, mjedise për punësim, të firmosura nga drejtorët që ka vendosur kryeministri. Fajin e kanë për më tepër edhe vetë njerëzit, studentët, që nuk durojnë dot 3-5 vjet, derisa investimi gjerman (që do të paguhet sërish nga ne) të japi frytet e veta. Shoqëria jonë, si gjithmonë duhet të jetë e gatshme të sakrifikoj, si gjithmonë, një, dy e më shumë breza e këtu nuk ka ndonjë të keqe. Por të mohosh përpjekjet, lutjet, telefonata, takime e përqafimet e Kryeministrit me kancelarin Merkel, vetëm që të merrte ca miliona euro për studentë dhe të mirën e tyre, ky është “mëkat i madh”.

Si mund të shkosh në protestë të studentëve, të shash mbarë e prapë qeverinë dhe kryeministrin dhe të përkrahësh studentët? Procedimin penal, Aliaj, Tupja, e të gjithë me radhë e kanë pak. Në burg qafirat që prishin rehatin e qeverisë dhe nuk rrinë në shtëpi të shijojnë të mirat që i sjell kjo qeveri çdo ditë. Pake ngrihen edhe do pensionistë e marrin rrugën për tek vajzat dhe djemtë në kryeministri. Po “këta trutharë”, çfarë duan, që “ju zëntë sytë” 50 dollarshi dhuratë nga kryeministri për Vitin e Ri. Pra kryeministri ka të drejtë. Nuk mund të jesh kaq mosmirënjohës, përpara të mirave që u para syve dhe nuk i sheh.

Punë e palodhur të kryeministrit në shërbim të kombit, e vuri re fare rastësisht e na i bëri me dije, prej Inglitere, vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Vleiaj. Ai na i koqiti mirë se ku qëndronte thelbi i kësaj proteste. “Lacat e partive, kishin gënjyer studentë, u kishin fryrë në vesh” dhe këta të fundit na prishën festimet e bukura rreth kalit të Skënderbeut me sallam, birra e verë që nuk e gjen në asnjë treg evropian e më gjerë. Mirëpo Veliaj harroi të na thoshte nja dy fjalë për lacin e Bashkisë, Mazniku, si bashkautor i ligjit që ne nuk e kemi kuptuar ende. Mazniku duhet të kishte dalë e të qartësonte ujërat e të shpëtonte nga ky siklet i madh Kryeministrin. Sigurisht në krah të tij të ishte edhe z. Gjonçaj që na solli përvojën britanike, për të rregulluar njëherë e mirë universitet. Por në fund të fundit, Veliaj doli që të na mbushë mendjen se Kryeministri ka të drejtë dhe të tjerët nuk e kuptojnë po nuk u ulën gju me gju me shefin e kryetarit të bashkisë.   Me të drejtë kryeministri mund te ngrejë pyetjen: Një jetë të tërë në pushtet kaluar për të mirë e popullit, e  prapë se prapë ky popull, nuk ta di as për nder e as për respekt. Kush e ka fajin në këtë rast? Populli që nuk e kupton e nuk merr vesh, ndërsa kryeministri ka të drejtë. Kryeministri mund të ndiqte edhe një rrugë tjetër të mundishme, por që me shumë bujari ja ka treguar motete e vite më parë, “idhulli” i tij, Konica: “Ati ynë që në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të. Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim ja vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here