Standard.al

Ekspozita “Plein Air” në vitin e katërt, 13 piktorë të njohur prezantojnë vepra të panjohura për publikun

0

Ekspozita “Plein Air” mbërrin në edicionin e katërt në Muzeun Historik Kombëtar. Grupimi i piktorëve peisazhistë sjell ekspozitën me vepra, që janë realizuar gjatë këtij viti, dhe prezantohen për herë të parë para publikut. Në ekspozitë prezantojnë punimet e tyre autorë të njohur dhe secili prej tyre prezantohet me nga pesë vepra pikture. Kryetari i Shoqatës së Plenerit, piktori Buron Kaceli shprehet se në këtë aktivitet nuk mungojnë dhe autorë të ftuar nga jashtë Shqipërie. “Event i rëndësishëm artistik. Më datë 14 dhjetor, ora 18: 00 në sallën e ekspozitave të Muzeut Kombëtar përurohet hapja e ekspozitës së pikturës së 12 artistëve pjesëmarrës anëtarë të Shoqatës së Pleinerit. I ftuar në këtë edicion artisti Jorgo Mici nga qyteti i Janinës. Urojmë të kemi një pjesëmarrje të mirë të artdashësve kryeqytetas dhe më gjerë”, shkruan piktori Buron Kaceli, për ekspozitën që hapet sot në MHK. Prezantimi në ekspozitë vjen pas një pune, që është bërë nga këta piktorë peisazhistë në vende të ndryshme të Shqipërisë, por nuk mungojnë dhe tablo të tjera që janë realizuar jashtë kufijve. Peisazhet e pikturuar në natyrë mbajnë emrat e piktorëve të njohur shqiptarë, autorë të cilët prej dekadash janë vlerësuar për krijimtarinë e tyre, ku dhe në këtë prezantim pritet të jetë interesi i publikut dhe vlerësimi për punën e artistëve. Edhe këtë vit autorët Kujtim Buza, Buron Kaceli, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sefedin Stafa, Agim Kadillari, etj, prezantojnë punimet e tyre në ekspozitë. Autorët, që janë anëtarë të grupimit “Artistët e Plein Air” edhe pse secili me individualitetin e tij krijues që ndjehet për nga këndvështrimi, mjetet shprehëse si dhe nga dashuria për natyrën, janë mbledhur së bashku për të realizuar edhe ekspozitë të katërt, duke bërë që tashmë kjo të jetë në traditë

Puna me veprat

Piktori i njohur Nikolin Ivanaj tregon se për të realizuar veprat e tyre kanë qenë deri dhe në fshatrat arbëreshe në Itali. “Ne në ekspozitë vijojmë traditën tonë, jemi autorët që quhemi piktorët e Pleinerit, por vijnë dhe të ftuar. Jemi të gjithë piktorë peisazhistë, sepse gjinia që ne lëvrojmë në këtë ekspozitë është vetëm peizazhi lirik. Në këtë ekspozitë të katërt, janë punime që janë të realizuara nga trevat e Shqipërisë, kemi qenë edhe në Kosovë e Maqedoni, por dhe në Itali nga fshatrat arbëreshe. Kemi vijuar me punën tonë edhe në Firence, ku ishim një grup më i vogël. Në ekspozitë secili autor prezantohet me nga pesë vepra”, tregon piktori Nikolin Ivanaj. Por në reagimin e tij piktori shprehet se ekspozita vijon të realizohet vetëm nga vetë autorët pjesëmarrës. “Edhe këtë edicionin, janë piktura që vijnë të realizuara nga natyra. Ne jemi dhe të vetmit në vend që bëjmë vetëm peizazhin si grupim piktorësh. Ekspozita bëhet vetëm me forcat tona. Katalogun ka bërë një nga miqtë tanë, që është dashamirës për të botuar katalogun që dhe kushton shumë. Në Muzeun Historik Kombëtar ne paguajmë shpenzimet që duhet për sallën. Kështu kanë ardhur punët tani, në vend që të na paguajë ne shteti, paguajmë ne shtetin”, shprehet piktori Nikolin Ivanaj. Një vit më parë piktorë të “Plein Air” janë shprehur se natyra ka qenë dhe do të mbesë përherë objekt i artit dhe artisti si subjekt, ku veprat që ata prezantojmë në këtë ekspozitë do të mbesin si një pasuri e vlefshme në kuadrin e zhvillimeve artistike në vend dhe do të zënë një vend të rëndësishëm në panoramën e gjerë të artit tonë bashkëkohor kombëtar. Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë për publikun deri më datë 22 dhjetor.

Nga Julia Vrapi

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.