Recepsionisti i që fallsifikoi firmën e Sekretarit të Shtetit? Ky eshte Ilir Rrapaj emigranti i koncesionit 100 mln USD!

0
123

Opinioni publik u shokua nga falsifikimet e tenderit të Unazës, ku një recepsionist anonim spitali 26 vjecar pa asnjë lidhje me rrugët, rezulton fitues i një tenderi 20 mlion USD për Unazën e Tiranës. Por nuk është rasti i parë. Një emigrant shqiptar pa lidhje me shëndetësinë, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie të vogël ndërtimi fitoi tenderin e kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit

Nga Elton Qyno

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Pas qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1.000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013.

Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë.

Ilir Rrapaj gjatë nje takimi të ministrit Ilir Beqaj me ambasadorin Italian në Tiranë dhe kreun e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini, më 11 dhjetor 2014 | Foto nga : Ministria e Shëndetësisë

I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi ministrit iu dërguan disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”

“Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin me objekt ‘Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale…’, rezulton se z. Ilir Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose Operatorëve Ekonomikë (OE) që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi,” u shpreh Beqaj.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë mohon që oferta e konsorciumit ku përfshihet Rrapaj të jetë mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat si “shpifje.”

Rrapaj nga ana tjetër refuzoi t’i komentonte kontaktet e tij me ministrin Beqaj, duke u mjaftuar me pretendimin se procedura e dhënies së koncesionit kishte qenë sipas tij e suksesshme.

Tenderi i dyshimtë

Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.

Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

Ky shërbim parashikohet të ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Vlera e fondit limit të koncesionit është arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Është marrë në studim viti 2013 dhe është vlerësuar numri total i ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë përllogaritur përafërsisht shpenzimet e kryera në blloqet operatore, kryesisht në spitalet rajonale dhe ato universitare, të cilët kanë aktivitet të shkuar kirurgjikal,” tha Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje të një kërkese për informacion.

Ministria sqaroi më tej se analiza e situatës ishte kryer pasi kishte mbledhur informacion nëpërmjet një pyetësori dhe kishte arritur në përfundimin që sistemi i menaxhimit, sterilizimit dhe mirëmbajtjes së sallave kirurgjikale apo instrumenteve kishte probleme serioze.

Sipas ministrisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.

Ilir Rrapaj, ministri Ilir Beqaj dhe z/ministri Klodian Rrjepaj, më dt. 19 Dhjetor 2013, gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Shëndetësisë në Rajonin e Peruxhias, Itali. | Foto nga : Facebook

Me datën 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 Maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë.

Në një vlerësim të dytë pas një ankese kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë. Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, u rivlerësua me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.

Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k.

Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.

Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.

Lidhjet midis Ilir Rrapajt dhe Ilir Beqajt

I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90’ dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549 euro.

Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.

Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë” | Foto nga : Facebook

Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.

Fotot të siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.

Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.

Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.

Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.

Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.

“Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi,” tha Beqaj gjatë nënshkrimit të Memorandumit në Tiranë me presidenten e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini.

Beqaj shtoi Memorandum i Bashkëpunimit është paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes :”Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.”

Tre kompanitë fituese të koncesionit për pajisjet kirurgjikale, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed janë pjesë e “Polo Biomedical Umbria,” por mbetet e paqartë nëse Protokolli i Bashkëpunimit ka luajtur ndonjë rol në procedurën e prokurimit.

Kompania e Rrapajt, Investital Llc është regjistruar në Prishtinë në korrik të vitit 2014. Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruhet si një agjenci investimesh, me interesa në sektorin e industrisë, turizmit dhe shëndetësisë.

Duke komentuar fotot ku shfaqet përkrah Ilir Rrapajt, ministri Beqaj pranoi që biznesmeni nga Peruxhia në të paktën një okazion zyrtar ishte i ftuar i ministrit të shëndetësisë.

“Fotoja e parë duhet të jetë shkrepur në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë, në një darkë që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shtroi për nder të Ambasadorit Italian, z. Massimo Gaiani, dhe një grupi përfaqësuesish të Rajonit të Umbrias, këshillit drejtues akademik të Universitetit Shtetëror të Peruxhias (Università degli Studi di Perugia) dhe dhomës tregtare Confimi Impresa (Konfederata Italiane e Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme),” tha Beqaj.

Ai shtoi në një komunikim të dytë se nga nëntori 2013, deri në dhjetor 2014 ishte takuar katër herë më biznesmenin Ilir Rrapaj, në cilësinë e tij si përfaqësues Confimi Impresa.

Kurse Ilir Rrapaj, i pyetur mbi akuzat se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë”.

*****

Marrë me shkurtime nga BIRN

Tituuli redaksional

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here