Mehmetaj ‘sulmon’ Ramën: Plani i tij është të përçajë qytetarët…

0
94

Deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj në një deklaratë për mediat sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa akuzoi këtë të fundit se ka në plan për të përçarë qytetarët.

Teksa u ndal tek protesta e banorëve të Unazës së Re, në emër të LSI-së Mehmetaj tha se Rama pavarësisht se u premtoi atyre legalizime, me këtë projekt do të fitojë miliona euro.

Po ashtu ajo theksoi se në protestat e këtyre banorëve janë futur edhe persona provokatorë, për të sjellë incidente.

Deklarata e plotë e Kejdi Mehmetaj:

Sapo kthehemi nga protesta e radhës e zhvilluar nga banorët e zonës së Unazës së Re, sot në ditën e 20-të të saj.

Ndjejmë dhimbje për të gjithë situatën e rënduar që është krijuar ndërmjet banorëve të asaj zone ku një pjesë e madhe e tyre kanë provuar tmerrin e dhunës dhe një pjesë tjetër dergjen birucave vetëm e vetëm, sepse po protestojnë për të mbrojtur pronën e tyre.

Edhe njëherë duam të denoncojmë të gjithë aktet e dhunës që janë zhvilluar ndaj banorëve me urdhër të Edi Ramës apo provokimet e vazhdueshme për ta gjeneruar protestën e tyre legjitime në dhunë dhe konflikt.

Këta banorë nga vetë Kryeministri kur në mënyrë të paturpshme mashtronte qytetarët dhe u premtonte që do të legalizonte pronën e tyre, sot me të drejtë dalin dhe protestojnë.

Edhe njëherë do të sjellim në vëmendjen tuaj momentin kur Kryeministri i paturp i premtonte qytetarëve të zonës së Unazës së Re.

Edi Rama për të mbajtur pushtetin dhe për të fituar miliona nga afera e rëndë korruptive e ndërtimit të rrugës së re në këtë zonë, ku një kilometër barazohet me 22 milion euro që vijnë nga votat e shqiptarëve , ka filluar të zbatojë mbi banorët planin e tij makiavelist.

Këto metoda makiaveliste të kryeministrit për të përçarë shqiptarët e për t’i vendosur ato përballë njëri-tjetrit, nuk do të funksionojë dhe as nuk do ti trembi qytetarët.

Të lënë në mes të katër rrugëve, pa asnjë zgjidhje apo shpjegim, me të drejtën që u japin ligjet e këtij vendi, banorët e Unazës së Re vazhdojnë të protestojnë për pronën e tyre, për shtëpitë e tyre.

Kryeministri ogurzi, i cili kur kërkonte votat për t’u zgjedhur në krye të vendit, u premtonte banorëve legalizimet e pronave ashtu siç vetë ju e dëgjuat dhe vetë pranonte se ishin ndërtuar me djersë e gjak, sot i ka vendosur ata nën diktatin e dhunës dhe shkatërrimit.

Ditën e djeshme, ndërsa me arrogancë e përçmim kërkonte këndin e duhur për të bërë foto nga spitali, ogurziu Kryeministër i drejtohej me përçmim njërës prej grave protestuese të shtruara në Spitalin e Traumës e me pasoja të rënda nga dhuna që ishte ushtruar.

Ai thoshte se nuk do t’ia dijë për qytetarët, i thoshte se duhej të zhdukeshin një orë e më parë. A është e denjë që një Kryeministër t’u thotë qytetarëve të tij që duhet të zhduken një orë e më parë?

Kryeministri dhe e gjithë struktura e Policisë së Shtetit duhet të japin shpjegim përpara shqiptarëve për të gjitha rastet e dhunës që janë bërë publike nga mediat dhe banorët e zonës së Unazës së Re.

Gjithashtu duhet të japin shpjegime se përse gjatë protestave të qytetarëve vendosen provokatorë, te cilët janë identifikuar nga protestuesit dhe që synojnë të sjellin konflikt brenda protestës.

Tani po sjell përpara jush me figurë, të cilat ju i keni parë gjatë këtyre ditëve moment nga protesta:

-Rasti i një minoreni, një minoren që dhunohet në mënyrë barbare nga policët dhe aty kemi qenë vetë prezentë për ta vërtetuar këtë. Ja ku është i njëjti rast, sërisht me një minoren, i cili ndodhej në të njëjtin spital, por kryeministri kishte mendje vetëm të bënte deklarata e shoë përpara medias.

A ka ndonjë fjalë që mund të tregojë më shumë, se sa rasti i thinjave të bardha të kësaj nëne, e cila mbronte pronën e saj, të fëmijëve të saj, të nipërve të saj, të cilët nesër mund të mbeten në mes të katër rrugëve.

Keni rastin e zonjës Lindita, e cila përveçse është rrahur e në kurrizin e saj ka shenja, rrahje nga Policia e Shtetit, në të njëjtën kohë fëmija i saj ndodhet i arrestuar. Keni këtu një rast tjetër e shikoni këtu sërisht, së bashku me burrin e saj, një zonjë tjetër e cila është dhunuar nga Policia e Shtetit. Keni edhe një zonjë tjetër, Adelina Shehu, e cila ka thyer këmbën gjatë protestës edhe ka dëmtime të rënda nga protesta që është zhvilluar dje. Keni po prapë foto dhe situate të cilat aksesohen lehtësisht nga qytetarët.

Ja pra, ky Kryeministër, Edi Rama sot kthehet në simbolin e dhunuesve të grave, në simbolin e shkatërruesit, në simbolin e atij që vjedh paratë nga xhepat e shqiptarëve dhe për këtë Kryeministër nuk duhet të ketë më as mëshirë e as durim.

Edhe njëherë po theksojmë këtu përpara qytetarëve shqiptarë, që secili prej nesh sot është banor i Unazës së Re dhe kushdo që mendon se mund të shkatërrojë pronën e qytetarëve shqiptar pa e dëmshpërblyer atë, duhet të mendohet mirë, sepse pasojat do të jenë shumë të rënda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here