Zaptuesit profesionistë!

0
226

Nga Gëzim Saliu

Në kulmin e protestës së banorëve të Unazës së Re, Kryeministri mbajti sot në Parlament një fjalim që më shumë se sqarues të problematikës, i ngjante një fletërrufeje me emra e atyre që u cilësuan si “zaptues profesionistë” apo “abuzuesit e Unazës” . Në parantezë vlen të theksojmë se drama e ndërtimeve pa leje është një histori 28-vjeçare që ka pllakosur vendin për shkak të rrethanave të kohës. Si shumë gjëra që rrodhën me ekstremitet në vend pas 45 vitesh diktat të Partisë Komuniste, duke nisur nga liria, emigrimi, e jeta sociale, ashtu edhe çështja e ndërtimeve mori një rrjedhë që ishte në kundërshti me të drejtën e pronës . Ishin të shumtë banorët që në fillimet e viteve ‘90 dhe më pas, lanë zonat e thella nga ku banonin, mes varfërisë e mjerimit dhe erdhën në zonat urbane për një jetë më të mirë, duke zënë edhe toka të pronarëve të ligjshëm. Në rrukupujën e një shteti në hapat e para të demokracisë, një fenomen i tillë ishte absolutisht i pashmangshëm, kjo edhe në saj të mungesës së eksperiencës së duhur të shtetarëve të kohës. Dikush zuri një tokë pa “nam e nishan”, dikush tjetër përvetësoi një pronë të një pronari të ligjshëm e dikush tjetër nuk nguroi të ndërtonte në toka shtetërore. Padyshim ky fenomen mbante mbi krye emrin “varfëri”, pasi ishte kjo arsyeja kryesore që detyroi pjesën më të madhe të këtyre qytetarëve të braktisnin zonat e thella ku banonin, pa asnjë perspektivë zhvillimi në atë kohë, për t’u vendosur në zona të ndryshme urbane, herë me prona të ligjshme e herë me ndërtime pa leje. Askush nuk vë në dyshim paligjshmërinë e këtij procesi, por duhet kuptuar nga ana tjetër edhe realiteti social i kohës.

Më pas historia e pronave u bë edhe më e vështirë përmes ligjeve e akteve nënligjore që asnjëherë nuk i dhanë zgjidhjen e duhur, as pronarëve me dëmshpërblim e as të ardhurve që kërkonin legalizim për pronat. Dëmshpërblimet për pronarët kanë ecur me hapin e breshkës e ndërsa legalizimet u kthyen në një proces partiak, aq më tepër që në këto 5 vite mazhoranca socialiste e kishte si kartë të saj elektorale “legalizimet falas”. Por ndërsa tani po gjendet në ethet e një revolte popullore, Kryeministri Rama nuk i kujton më premtimet e tij të fushatave elektorale të tipit: “asnjë shtëpi nuk do shembet” apo betimet  :  “edhe sikur Enveri të ngrihet nga varri, nuk do ju prishet shtëpia”.

E megjithatë të ndalemi pak më gjatë tek procesi i ndërtimeve pa leje dhe tek  ato që Kryeministri i cilësoi si “zaptuesit profesionistë”. Askush nuk vë në dyshim faktin se disa prej këtyre banorëve protestues kanë ardhur kohë më parë  e kanë ndërtuar pa leje, por kush do përgjigjet për fëmijët e tyre që do mbeten mes katër rrugëve?! Apo mjafton qiraja 3-vjeçare? Po shteti social ku është në këtë mes?! Si mund të mendosh ta zgjidhësh kaq thjeshtë një çështje të tillë që prek mbi 300 familje, duke mos tentuar as të komunikosh me protestuesit për të gjetur mundësitë e zgjidhjes? Arroganca e pushtetit padyshim është një ndër shkaktarët kryesorë të gjithë këtij ekstremiteti mes palëve që po kthehet në një konflikt social.

Nga ana tjetër, Kryeministri nuk është i sinqertë në trajtimin e çështjes kur flet për “zaptuesit profesionistë”. Çfarë mund të themi ne apo vetë banorët e zonës së Unazës së Re kur shohin qëndrimin me dy standarde të kreut të qeverisë për “miqtë qeveritar” që kanë zaptuar mijëra hektarë toke në bregdet, në zona me rëndësi turistike e madje edhe në zona të mbrojtura të trashëgimisë në kundërshtim me çdo ligj . C’mund të thuhet për ata oligarkë që marrin leje pa teklif për të ndërtuar kulla e pallate në kundërshtim me çdo rregull urbanistik?! Ç’mund të thuhet për 40 milionë euro që hidhen për 2 kilometra rrugë në favor të një tenderuesi pranë Qeverisë? Në fakt z.Kryeminstër , disa prej banorëve kanë ndërtuar pa leje ( prej kohësh janë në proces legalizimi por kanë mbetur stok nga qeveria)  dhe ju i quani “zaptues”, por ata që janë abuzuesit e vërtetë të parasë publike, të asaj që del nga xhepat e çdo shqiptari, përfshirë edhe ato të banorëve protestues të Unazës së Re , janë “miqtë qeveritarë”  që meritojnë në cdo shkronjë termin “zaptues profesionistë”. Me mënyrën e formën fare të lehtë se si ato zaptojnë prona, toka e pasuri të shqiptarëve përmes tenderave korruptues e PPP-ve të famshme, i kthejnë ata në “zaptues profesionistë” në kuptimin e parë dhe të plotë të fjalës!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here