SKANDALI/ Zgjerimi i Unazës së Re: 11 herë më i shtrenjtë se një autostradë e re në SHBA

0
150

Kostot marramëndëse me të cilën qeveria ka planifikuar të ndërtojë dhe rindërtojë disa rrugë janë kthyer në shqetësim të madh publik. Edhe më problematik është fakti se për asnjë nga projektet e shumëpërfolura të rrugëve nuk ka asnjë transparencë nga qeveria.

Rasti më ekstrem duket se është ai i zgjerimit të Unazës së Re, në një gjatësi prej 2,2 kilometra. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë punime rindërtuese janë planifikuar, pasi qeveria nuk ka botuar asnjë projekt dhe informacion mbi projektin—unaza aktualisht ka tre korsi në të dyja kahet dhe nuk është e qartë se çfarë zgjerimi ka parashikuar qeveria. Gjithsesi, ajo që është e qartë është se qeveria ka planifikuar të shpenzojë €40 milionë për zgjerimin e këtyre 2,2 kilometrave rrugë, pra afërsisht €19 milionë për kilometër.

Shqetësimit të qytetarëve dhe akuzave për korrupsion, kryeministri Rama iu përgjigj dje me një gjuhë përçmuese dhe raciste me anë të pohimit të mëposhtëm:

Dikush duhet t’u shpjegojë inxhinierëve të PD dhe LSI, si dhe të kazanit plot me kadrinj se kilometrat e rrugëve nuk janë si metrat e teritalit që blinin në MAPO dikur për pantallonat e tyre! Vlerat për kilometër variojnë sipas përmbajtjes së projektit e çmimet dalin denbabaden nga një manual standard.”

Është e paqartë se çfarë manuali standard inxhinjerik i referohet Kryeministri, ose më saktë si janë llogaritur dhe nga kush janë llogaritur kostot ndërtimore sipas këtyre standarteve të supozuara. Por në mungesë të transparencës qeveritare, ne mund të bëjmë krahasim me ndërtime të së njëjtës natyrë në vendet perendimore.

Për këtë ne ju referuam kostove sugjeruese të llogaritura dhe të bëra publike nga Shoqata amerikane e Ndërtimit të Rrugëve dhe Transportit, për në vitin 2017.

Sipas standardeve amerikane ndërtimi i një rruge me shtrat krejtësisht të ri, me dy korsi të ndara në secilin kah, në zona urbane kushton nga $3-5 milionë për milje ose afërsisht nga $1,9-3,1 milionë për kilometër. Në euro kostot standarde të ndërtimit të rrugëve të reja urbane janë: €1,8-2,7 milionë.

Është e qartë se kostoja ndërtimore e zgjerimit të një rrugë ekzistuese është shumë më e ulët se sa kaq.

Kjo do të thotë se edhe sikur të ishte ndërtim krejtësisht i ri, kostoja e planifikuar për 2,2 kilometra zgjerim të Unazës së re është rreth 7-11 herë më e lartë se kostot standarde amerikane.

Ky fakt është i vërtetë për të gjitha kontratat e ndërtimit të rrugëve përmes të ashtuquajturave skema të partneritetit publik-privat. Për të krijuar një ide mbi abuzimet e mundshme të këtyre PPP-ve mjaftohen të shikohen kostot për njesi të disa prej tyre (në shifra nuk përfshihen tatimi mbi vlerën e shtuar):

— €10,8 milionë euro për kilometer për rrugën Thumanë-Kashar—rruga me gjatësi 20,8 kilometra është planifikuar të kushtojë €225,8 milionë;

— €9 milionë për kilometër për rrugën Milot-Balldre—rruga me gjatësi 7,2 kilometra është planifikuar të kushtojë €162 milionë;

— Afërsisht €6 milionë për kilometër në rrugën e Arbërit—rruga është rreth 40 kilometra e gjatë dhe është planifikuar të kushtojë €240 milionë.

— €3,8 milionë për kilometër për rrugën Orikum-Dukat—rruga me gjatësi 15 kilometra është planifikuar të kushtojë €58 milionë

exit.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here