Miqtë e ish-deputetë, pesë vjet pa Sokol Olldashin! Ja kush mori pjese ne ceremoni

0
148

Ai do të mbetet miku i tyre i shtrenjtë pavarësisht viteve që do të kalojnë dhe dheut që e ka tretur. Ish-deputeti i PD-së, Sokol Olldashi, në përvjetorin e pestë të ndarjes nga jeta u përkujtua përmes një ceremonie, ku morën pjesë familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij.

Pa dashur të gërvishtim akoma më shumë dhimbjen dhe mungesën e njeriut të tyre të dashur, prindërit dhe fëmijët e ish-ministrit të Transporteve vendosën ta përkujtonin përmes tufave me lule dhe një takimi me ish-kolegët e tij në PD, njeriun e tyre të dashur. “Panorama” ka siguruar foto nga ceremonia e zhvilluar në Varrezat e Sharrës, ku miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të Sokol Olldashit kanë nderuar kujtimin e tij.

Pjesë e ceremonisë së zhvilluar në kujtim të Olldashit kanë qenë ish-deputetët Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Igli Cara, Mesila Doda dhe Keltis Kruja. I vetmi që ka mbajtur një fjalë falënderimi në ceremoninë përkujtimore të Sokol Olldashit ishte djali i tij, i cili mësohet të ketë shprehur mirënjohje për miqtë e babait të tij që e kujtojnë dhe i kanë qëndruar pranë familjes në këto vite të vështira.

REAGIMET/ Përpara se të vendosnin buqetat me lule në pllakën përkujtimore të Olldashit, miqtë e ish-deputetit të PDsë, përmes reagimeve publike kujtuan kolegun e tyre duke mos i fshehur rezervat për reagimet zyrtare të PD-së. “Janë ca njerëz në këtë botë, që nuk mjaftohen duke gënjyer të gjallët, por guxojnë e bëjnë këtë edhe me të vdekurit. Dhe mendoj se kjo është një arsye shumë e fortë për ta shtyrë sa më shumë vdekjen. Nuk është pak t’u heqësh atyre mundësinë që të vijnë e të bëjnë sikur qajnë te varri. Madje, duke mos pritur që të mbushet edhe viti tamam, por një ditë përpara, sikur të ishte festë”, shkruan Patozi.

Ndërsa ish-deputetja Bregu, në një reagim për 5-vjetorin e ndarjes së Olldashit nga jeta kujton lidhjen që ai ka pasur me miqtë e tij. “Kur të gjithë janë një dhe një janë të gjithë. Të jesh shkëmbi dhe të mos rrokullisesh”, shton Bregu. Ndërkohë, ish-deputetja Mesila Doda kujton se ikja e mikut të saj ishte një keqkuptim.

“U bënë 5 vite pa ty shok…sa më shumë kohë kalon, aq më shumë dëgjoj njerëz të thonë… sikur të ishte gjallë… Kam menduar gjithmonë që ikja jote e pakohë ishte keqkuptim, gjithçka do ishte ndryshe e më mirë në këtë botë nëse një njeri si ti do ishte ende”, shkruan Doda. Ish-deputeti i PD-së në Durrës, Igli Cara, kujtoi telefonatën e 5 viteve më parë me Olldashin, e cila do të rezultonte edhe komunikimi i fundit për ish-ministrin e Transporteve, pasi u përfshi në një aksident në dalje të tunelit në rrugën Tiranë-Elbasan.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here