Çfarë po blen Erion Velija me Unazën e Re?! Drama e lali Erit…

0
196

Nga Armand Shkullaku

Brenda dramës së madhe që po luhet këto ditë të ftohta me banorët e dëshpëruar të Unazës së Re, ka edhe një dramë tjetër të vogël, personale, e cila përditë e më shumë po merr përmasa groteske.

Kjo është drama e Erion Velisë.

Kryetari i Bashkisë duket i kapluar nga ethe të forta dhe i përfshirë fuqishëm në krizën e Unazës së Re. Madje aq shumë, sa ka rrezikuar të dëmtojë edhe imazhin e sajuar me kosto të lartë ‘të djalit të mirë dhe tolerant’, duke rrëshqitur në përcaktime raciste që kanë provokuar jo pak opinionin publik.

Nga mëngjesi deri në mbrëmje, me nxënës shkollash e veteranë, me sportistë e artistë, Veliaj ka vetëm një refren: Projekti i Unazës së Re do të bëhet!

Në opinion është krijuar ideja se ky projekt është beteja vendimtare e Velisë, se ai përbën një sfidë dhe provë të fortë për kreun e bashkisë në planet e tij të zhvillimit të kryeqytetit dhe pikërisht për këtë arsye, ai duket më i përfshirë se kurrë.

E tamam këtu, vijmë tek ajo drama e vogël, që i jep gjithë dimensionet e banales këtij angazhimi epik të kryetarit të Bashkisë në betejën e Unazës së Re.

Projekti në fjalë, nuk ka lidhje fare me Bashkinë e Tiranës. Erion Veliaj nuk ka asnjë zë në kapitull në zgjerimin e Unazës së Re. Mirëpo ethet që kanë mbërthyer atë, janë aq të forta sa me gjasë shumica e njerëzve janë bindur që ky është një projekt i Bashkisë dhe jo i qeverisë.

Ndërkohë, projekti, investimi, tenderimi, zhvillimi, mbikëqyrja, etj, janë krejtësisht në kompetenca të qeverisë, ministrisë së Transporteve dhe ARRSH dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë plan apo përgjegjësi të Bashkisë.

Po atëherë përse ky protagonizëm i djaloshit me ‘rrënjë të thella në kryeqytet’?

Përse po bëhet vullnetarisht shënjestër e kritikëve dhe e pakënaqësisë qytetare, kur ajo që po ndodh nuk ka lidhje me institucionin e tij?

Mos vallë ‘lejfeni’ i vogël po vetësakrifikohet për partinë, nuk po i lë vetëm shokët e idealit dhe është i gatshëm të ndajë me ta koston e kripur të një projekti 40 milion dollarë për 2 kilometra?

Përgjigja e këtyre pyetjeve të çon tek ajo drama e vogël qesharake.

Erion Velija po e bën këtë betejë jo se ka hallin e atyre dy kilometrave që do e ‘europianizojnë’ Tiranën, as se i dhimbset kryeministri, Damiani apo organizata. Ai ka hyrë në një sfidë që nuk i përket, vetëm për të ‘blerë’ rikandidimin e tij.

Nga dita kur Edi Rama nuk pranoi të pohojë publikisht, nëse Erion Velija do të jetë kandidati i Rilindjes për Tiranën qershorin e ardhshëm, edhe pse u pyet disa herë, gjumi për djaloshin ambicioz u vra.

Ankthi për mandatin e dytë, është shpjegimi i vetëm për lajthitje si ato me shpellarë apo përbetimet se unaza do të bëhet, kur diçka e tillë nuk varet fare nga Bashkia. Pasiguria për rikandidimin është gjithashtu shpjegimi për lumin e kronikave në televizione, ndezjen e dritave nëpër lagjet e qytetit, vendosjen e flamurëve nëpër ballkone, shkrimeve për veshjet e zonjës Ajola dhe historive të shpifura me banorë që prishin vullnetarisht lokalet e tyre.

Ai ka hyrë në një betejë jo që të fitojë projekti i zgjerimit të Unazës së Re, por që të sigurojë një vend në zemrën e Ramës dhe sa më brenda unazës së ngushtë të organizatës.

Erion Velija jo vetëm nuk ka lidhje me projektin, por në dhëmbët e tij nuk mbetet asgjë edhe nga ato 40 milionët që do të shkojnë për 2.2 kilometra. Por ai është i gatshëm të vetëpërdoret në emër të asaj që i rrjedh më pas, nëse merr një mandat të dytë për Tiranën.

Dhe akti i parë për këtë kalon nga Edi Rama. ‘Djaloshi i bërë vetë’ e di këtë dhe nuk ka nevojë që shefi t’ia kërkojë. Ai po jep provën se pranon t’i dalë për zot jo vetëm zullumeve të veta por edhe bëmave të organizatës.

Kështu bëri edhe me projektin e kullave të Teatrit, kështu po vepron edhe me Unazën. Doli vullnetar për të marrë mbi shpinë barrën e të tjerëve. Por këto janë rregullat e organizatës dhe Erioni i ka kuptuar më së miri. Aq mirë, sa zelli i tij i tepruar nuk mund të mos të të shkaktojë të përziera.

Kur e sheh ashtu të ngrysur, që përpiqet të trashë zërin brenda falsitetit të tij emblematik dhe të përbetohet se Unaza e Re do të bëhet, mjafton vetëm një pyetje: ‘po bashkia çfarë roli ka në këtë projekt’, për të kuptuar që këtij njeriu, gjëja që i dhemb më pak për ta vënë në shërbim të arrivizmit të tij, është dinjiteti.

Dhe drama personale e Erion Velisë bëhet më therëse kur lidhet me atë të banorëve të Unazës së Re. Një njeri që lufton për të fituar besimin e shefit brenda organizatës dhe mijëra të pashpresë që luftojnë për të mbijetuar në qytetin që drejtohet prej tij.

/Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here