LUGINA E UJQERVE/ Soros ndryshon plan, klanet ne PS nisin luftën. Rama me kartën femër për Tiranën

1
5137

Nga Gëzim Saliu

Prej muajsh e më së shumti javët e fundit, politika shqiptare po vlon për brenda dhe kur themi këtë nuk e kemi fjalën aspak për përplasjet publike mesa palëve politike. Në prapaskenë po luhet një lojë shumë herë më e madhe se ajo që i paraqitet publikut. Kështu nga njëra anë, te Partia Socialiste është në prag të shpërthimit “lufta” mes klaneve që tashmë kanë zënë qoshet e tyre e po presin vetëm “gongun” final. Dy lajme e bënë më shumë se të dukshme këtë “luftë të ftohtë” tek të purpurtit, dorëheqja e ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe  protesta e fundit e banorëve të Unazës së Re.  Më gjatë në këtë konflikt që mund të sjellë pasoja të forta në jetën politike të vendit, do ndalemi më poshtë. Ndërkaq,  në kahun tjetër qëndron edhe Partia Demokratike e cila përmes veprimeve dhe deklaratave të lidershipit të saj ka krijuar bindjen se është pjesë e lojës së madhe duke u përfshirë në vorbullën e makinacioneve e strategjive në prapaskenë që bëjnë të mundur “produksionin sorosian”.

Për tu sqaruar: Prej kohësh miliarderi George Soros përmes organizatave të tij me ndikim të fortë në Shqipëri ka ndryshuar strategji sa i përket “gjeneralëve” dhe “ushtarëve” që mbështet në politikën vendase. Dhe është pikërisht kjo lojë e re nga Soros që ka sjellë këtë përshtjellim të madh në klasën politike shqiptare, duke krijuar një rivendosje të palëve në “fushën e betejës” me aleatë e strategë të nryshëm nga ato që kanë pasur më parë. Më thjesht, Soros ka ndryshuar benjaminët e tij në politikën shqiptare.

Loja e re

Filnatropi amerikan George Soros i ka të hershme lidhjet e tij me kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste. Kulmi i këtij binomi të shndërruar në trinom super funksional me ndihmën e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu ishte kur në vend u disktua paketa me ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi. E gjithë paketa fillestare ishte një investim i Soros i mbështtur fort nga ish-ambasadori dhe Partia Socialiste. Vetëm në saj të refuzimit të opozitës dhe kundërshtisë së brendshme në atë kohë të aleatit LSI, kjo reformë nuk kaloi sic kishte parashikuar strategu Soros. E megjithatë plani nuk shkoi dëm, fill pas konsensusit të 22 korrikut të 2016-ës, socialistët vunë në veprim planin e shkatërrimit të reformës duke synuar ngjizjen e një reforme që nuk synon më drejtësinë e reformuar por atë të kontrolluar. E deri më tani ja kanë arritur fare mirë planit të tyre.

Por pavarësisht këtij “suksesi të përbashkët”, në këtë periudhë të fundit kohore, lidhja Soros-Rama ka pësuar një shkëputje të forte. Nuk dihen arsyet për këtë thyerje mes palëve, por kulisat flasin për një çarje që i ka të pakta shanset e ripajtimit. Mbështetja e Fondacionit si përmes lobingut ashtu edhe fondeve është shkëputur për Ramën.

Soros ka nisur prej muajsh një “financim” të ri në politikën shqiptare , gjë e cila ka sjellë acarimin e Kryeministrit që në dijeni të planit të ish-babait të tij politik ka marrë masat e mbrojtjes . Sipas asaj çka burimet bëjnë të ditur me siguri është se mbështetja e Soros tashmë është për kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Kjo dyshe e cila nuk nguroi t’i bënte karshillëk Ramës vetëm një ditë pasi Xhafaj dha dorëheqjen si ministër i Brendshmë shihet si klani që po trondit PS-në nga brenda. Përplasjet e brendshme mes Ramës e Xhafës kanë qenë të shumta dy muajt e fundit, madje është folur se dy ditë para se Xhafaj të dorëhiqej ka pasur një përplasje të fortë me kryeministrin për disa nga aksionet e ndërmarra nga ish-ministri. Xhafaj mësohet se është përplasur edhe më herët me Ramën, por rasti tipik ku ai ka marë “kryqin” nga kryeministri ka qenë kur ish-ministri  i ka shprehur në sy lëvdatat për Veliajn.

Në një mbledhje të partisë Xhafaj ashtu si atë ditë kur sapo ishte dorëhequr, mësohet se ka shprehur lëvdata të forta për punën e Veliajt, gjë që ka sjellë acarimin e Ramës i cili ende po e mban peng kandidaturën e tij si kryebashkiak për Tiranën. Mësohet po ashtu se në takimet me bazën, militantët e madje dhe me bashkëpunëtorë të afërt në ministrinë e Brendshme, thuajse kishte shprehur hapur mbështetje për Veliajn si një njeri që frymëzon e punon ndryshe nga të gjithë të tjerët.

Nga ana tjetër kryebashkiaku ja kishte kthyer nderin jo pak herë ish-minsitrin, si publikisht ashtu edhe privatisht, duke e lëvduar për punën e tij në krye të Rendit. Kjo skemë e dyshes Veliaj-Xhafa nuk po përtypej dot nga Rama. Dhe e gjitha u bë edhe më e rëndë për kryeminsitrin kur në lojë u fut Donald Lu, emisari i Soros. Ky i fundit në shumë dalje publike u pa pranë Xhafës, duke shprehur vlerësime të mëdha për punën e tij e madje duke mos nguruar që shpeheherë në fund të mandatit të kritikonte Ramën e Xhafën ta ngrinte në piedestal.

Sigurisht Lu kishte marrë porosinë nga strategu Soros, i cili tashmë kishte projektuar një tjetër klan në krye të PS-së. Për ata që i duket i tepërt deri në konspiracion, gjithë ky ndikim i Soros në selinë e purpurt e më tej në politikë mjafton  të kujtojmë se lobingu dhe mbështetja në fonde në fillimet e politikës për shumë nga liderët e sotshëm ka ardhur nga fondacionet që kontrollon miliarderi. Me miliona dollar ka investuar Soros për karrierën e shumë rpej politikanëve shqiptarë e për shumë të tjera ka dhënë mbështetje në lobingje duke kërkuar thjesht mbështetjen e tyre për politikat që ai orienton në fushën e politikës së jashtme si edhe politikën e brendshme lidhur me reformat e mëdha. “Standard” ka zbardhur dy vjet më parë ( 6 shkurt 2016) me emra ata që cilësohen si “gjeneralët” dhe “ushtarët” e Soros në politikën shqiptare, media e më gjerë ( për më shumë linku i lajmit: http://www.standard.al/2016/02/06/sorosi-dhe-tentakulat-ne-politike-e-media-idhtaret-e-miliarderit-86-vjecar/)

Erjon Veliaj që në nisje të karrierës së tij ka qenë një “produkt sorosian”, duke nisur që nga “Mjaft” e më pas “G-99”, e para lëvizje dhe e dyta parti, të dyja me mbështetje të fortë nga fondacioni Soros. E megjithatë, gjithnjë Veliaj kishte mbetur nën hijen e Edi Ramës. Miliarderi kishte vendosur Ramën në krye të investimit të tij. Por konflikti së fundmi me Ramën ka bërë që Soros të kthejë proxhektorin tek Veliaj, duke i dhënë një mbështetje të fortë si në lobing ashtu edhe në fonde miliona dollarëshe. E për ta bërë klanin Veliaj shume herë me të fortë se ai Rama në PS, kush më mirë se Xhafaj mund të zgjidhej. Ish-ministrit ka një staturë të respektuar brenda radhëve të socialistëve dhe mëbshtetje që po i jep ai Veliajt , po i humb shumë pikë Ramës.

Ndërkohë për të kuptuar më mirë këtë çarje të fortë mes klaneve në PS mjafton të shohësh me kujdes qëndrimet e Ramës dhe Veliajt  për protestën e fundit e banorëve të Unazës së Re që preken nga zgjerimi rrugës. Të rrethuar nga revolta popullore, palët kanë dalë nga cepat e ringut dhe kanë nisur reagimet e forta jo vetëm ndaj palës kundërshtare, por edhe spicat ndaj njëri-tjetrit. Kështu Veliaj në reagim ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, tha se duhet parë sjellja e opozitës për taksimin e Rrugës së Kombit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzoi kryetarin e PD, Lulzim Basha se po shet kauzat e opozitës në këmbim të lekëve të marra apo favoreve të tjera për kunatin e tij Erion Isufaj.   “Pa më thoni, pse Luli e la protestën për toll te Rruga e Kombit? Se u tha njerëzve që do kaloheshin mbi trupat e tyre. Pse i la a e dini? Jua them unë: se kunati i vet, mori zyrat në katin e parë në një hotel që do e gjeni në pronësinë e kujt është….Po mirë mo, kështu mendon se do veprojë Luli? Që do vëri gjoba? Po pse nuk flet ai për firmën që do bëjë unazën? Se është Victoria Invest, që në kohën kur Lulzim Basha ishte kryetar bashkie, merrte pjesën e luanit në tendera. Po dakord, për këto, po çfarë mendon Luli? Se do vëri gjoba për kunatin e vet? Po jo mo jo, sa të jem unë kryetar bashkie, nuk do të mund të vërë gjoba”. Në fakt kjo deklaratë përtej akuzës për kryedemokratin është edhe një spicë për kryeminsitrin duke nënkuptuar se i njëjti oligark ka bashkuar si Ramën e Bashën dhe të dy ata e kaluan në paq revoltën popullore që mund të ishte rindezur për trahun e Rrugës së Kombit.

Logjika e deklaratës së Veliaj , përtej faktit nëse është e vërtetë apo jo, nënkupton se Basha ka arritur me parë “deal-in” me Ramën për të përfituar më pas në emër të kunatit. Pra Veliaj me një gur vret dy zogj. Edhe bën lojën në emër të publikut duke goditur kryetarin e opozitës, por nga ana tjetër përmes deklaratës se Basha ka përfituar përmes kunatit, Veliaj kërkon të tregojë se ai këtë e ka bërë vetëm në saj të mikut të Krtyeminsitrit, i cili fitonm shumicën e tenderave qeveritarë.

Por edhe Rama si lojtar i vjetër i politikës së zgjyrosur nuk ngeli pas në këtë betejë të re. Revoltën e banorëve e cila ccdo ditë e më shumë po merr trajtë esktremiste, ja ka lënë në derë Veliajt. E vetmja herë që u shpreh për çështjen është tek intervista pak ditë më parë tek report tv, ku edhe aty dha një citim përciptazi sa për t’ju përgjigjur pyetjes së bërë. Në këtë mes, nuk mungon as kryedemokrati Basha. Ky i fundit për çështjen e protestës së banorëve të Unazës së Re ka sulmuar që në fillim vetëm Veliajn. Madje akuzat me emër ndaj kryebashkiakut këto ditët e fundit ishin ndër të paktat raste kur Basha në gjithë historinë e tij politike i kishte përmendur emrin Veliajt. Dhe logjika e akuzave të Veliajt këtu shkonte, pra sipas tij dyshja Rama-Basha vazhdojnë deal-in e tyre të 17 majit edhe sot ku:  kryedemokrati nuk u ndje më për protestat për trahun duke marrë përfitimin në emër të kunatit e ku Rama mori mbështetjen e Bashës për protestën e Unazës së Re, duke mos u sulmuar nga ai dhe duke vënë në target kryesor të sulmit, pikërisht kryebashkiakun. Loja mbetet e hapur…

Kundërpërgjigja e Ramës

Përballë fuqizimit të dyshes Veliaj-Xhafa, kryeministri nuk ka ngelur duarkryq. Ndonëse Veliaj po lufton me çdo formë, për të risiguruar kandidimin për postin e kryebashkiakut të Tiranës në zgjedhjet e 30 Qershorit, Rama e ka lënë në pritje tashmë rivalin e tij. Kulisat madje bën të ditur se pasi kryebashkiaku Veliaj kishte deklaruar së fundmi thuajse hapur rikandidimin, Rama e kishte thirrur në zyrë e ja kishte kërcitur me të bërtitura duke thënë se “nuk e vendos ti rikandimin, është parti që vendos për ty e të gjithë. Herë tjetër mos fol para kohe”. E megjithta mësohet se Rama ja ka premtuar Veliajt rikandidimin dhe ky i fundit thjesht po pret aktin final. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë sa duket. Kryeministri e ka një plan në sirtar që po e mendon më shumë se seriozisht ta bëjë realitet.

 

Burime të sigurta pranë kryeminsitrit, njerë të afërt të tij kanë bërë të ditur për gazetën” standard” se Rama po mendon në fshehtësi emrin e një femre si kandidate për Bashkinë e Tiranës, inicalet që mësohen janë B.B. Dhe loja e Ramës mund të jetë kjo: Mban var Veliajn deri në fund, për të mos pësuar sulme brenda partisë nga klani i kryebashkiakut dhe në fund nxjerr nga xhepi kandidaturën femër që ka menduar dhe e vendos si kandidate për Tiranën. Kjo lëvizje sipas të gjitha gjasave e gjen të papërgatitur Veliajn dhe dlaja jashtë loje e tij do ishte e tjeshtë, ka menduar Rama. Mbetet për t’u parë nëse Rama do ta vë në zbatim këtë plan që ka në sirtar apo ai do mbesë aty dhe Veliaj do arrij të triumfojë në fund përmes ndihmës që ka pas krahëve nga Soros.

Ndërkohë në korridoret e politikës po flitet gjithnjë e më shumë për një parti të re të spektrit të djathtë. Ndërkohë interesantja në këtë mes është fakti se burimet bëjnë të ditur se vetë Fondacioni Soros përmes tentakulave të tij është i interesuar në mbështetjen e një partie të re të djathtë, pasi duket se marrëdhënia me lidershipin e PD-së ka pësuar thyerje njësoj si me Ramën. Ndonëse Basha sulmin ndaj Soros që e nisi vetëm në vitet 2016-2017 e ndaloi pas marrëveshjes me PS-në, marrëdhënia mes palëve nuk u rilidh më ( kujtojmë takimin Basha-Soros në dhjetor 2014 në selinë e PD). Soros sigurisht lidhjet e tij tradicionale i ka me të majtën e përkatësisht me PS-në por duket se në këtë erë të re që kërkon të përhap në jetën politike shqiptare po tenton të kontrollojë edhe një filizë të re të së djtahtës. Ndërkohë kujtojmë se këto ditë ka pas zëra të fortë e ekstremë, ish- përfaqësues të lartë të PD-së, që kanë folur për të hedhur në kanal 4 shahistët e politikës shqiptare ( emrat më të mundshëm të supozuar mund të jenë Rama-Basha-Meta-Berisha). Nëse një parti e re do vijë me këtë mëndësi tek e djathta shqiptare, atëherë me shumë gjasë Soros do turret drejt saj për të vënë në zbatim strategjinë e tij të re. Se sa do ketë sukses mbetet për tu parë në vazhdim, por ai do rendë drejt saj për ta parë si aleate të PS-së së re që do krijohej nga dyshja Veliaj-Xhafa. Skenarët mbeten të hapur.

Lugina e Ujqërve

Situata në prapaskenë në politikën shqiptare i ngjan një lugine të mbushur me ujq, ku janë të gjithë të gatshëm të shqyejnë njëri-tjetrin për të arritur triumfin final. Fillimisht edhe ujqit janë të ndara në tufa e në lugina të ndryshme, ashtu sic po ndodh aktualisht në politikën tonë. Por në një situtatë rrisku, për jetë a vdekje, ata nisën të shqyejnë njëri-tjetrin për të mundësuar mbijetesën. Dhe kjo betejë sigurisht nuk bëhet vetëm e ballë për ballë. Edhe tek ujqërit ekzistojnë klanet, grupimet e vogla të cilat ndërhuthurin planin e ekzekutimit të presë kundërshtare. Por çdo ndodhë në luginën e politikës shqiptare? Në kohën kur kazani po vlon, mbetet për t’u parë se cila do jetë e ardhmja e këtyre grupimeve të reja të dala në skenë? A do arrijë Rama të mbajë PS-në e të shmangë rivalitetin e fortë të dyshes Veliaj-Xhafa? A do mundet Veliaj të sigurojë rikandidimin për bashkinë e Tiranës? A do luajë Basha rol në luftën Rama-Veliaj? A do përfshihet kreu i PD-së në këtë luftë në favor të Ramës për të përfituar më pas përmes pushtetin e dorezuar “for free” nga kryeministri aktual në zgjedhjet e ardhshme?! Apo Basha do nisë betejën ballore si ndaj Ramës ashtu edhe ndaj dyshes Xhafa-Veliaj?

Këto janë gjithë diskutime që hasen dendshëm në kafenetë e poltikës së madhe e cila gjithnjë e më shumë po luhet në prapaskenë. Por me siguri mund të themi: në politikë po përgatitet një ndarje e re mes palëve. Se kush ujk do triumfojë në luginë, do kuptohet shpejt,  në muajt në vijim ndoshta…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here