Ikja e LSI nga qeveria, nxori zbuluar krimin korruptiv të koncesioneve, i

0
94
Sekretari i Pergjithshem i LSI, Luan Rama, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka kerkuar nga kryeministri Edi Rama, qe te krijoje nje komision te posacem gjitheperfshires per festimet e 70 vjetorit te Clirimit te Shqiperise nga okupatori nazifashist.

ZëvendësKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në fjalën e tij në takimin me strukturat e LSI Shkodër është shprehur:

 Jemi në Shkodër për të dëshmuar që LSI jo vetëm është, por është e bashkuar, është e fortë dhe është e vendosur të vazhdojë të kontribuojë për Shkodrën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Sepse LSI është pikësëpari forcë politike e qytetarëve, forcë politike e të rinjve, forcë e të gjithë atyre që bashkohen në një sfidë edhe angazhim politik për t’i shërbyer vendit dhe për të bërë realitet aspiratën e qytetarëve për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri më të denjë dhe për një Shqipëri evropiane.

Aktualisht jemi në një moment deçiziv, sepse janë dy palë: qytetarët dhe interesat e vendit nga njëra anë dhe nga ana tjetër bota e krimit që ka zaptuar qeverisjen dhe politika që është kthyer në një instrument në shërbim të krimit. Në këtë sfidë që është e lashtë sa është historia njerëzore që prej krijimit të shtetit, natyrisht ne kemi përgjegjësinë që jo vetëm të dëshmojmë që jemi bashkë në anën e qytetarëve, por duhet të dëshmojmë dhe guximin për të fituar mbi krimin dhe mbi qeverisjen kriminale.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga fushata e zgjedhjeve të vitit të kaluar kur ne të gjithë, ju, LSI, anëtarët, votuesit, qytetarët që e mbështesin atë, u vunë nën goditje, nën sulme dhe nën akuza të pabaza, vetëm e vetëm për të bërë të mundur që klika që është sot në pushtet të fshihej pas atyre akuzave.

Çfarë ka ndodhur? Më lejoni të trajtoj dy-tre momente kyçe.

Kryeministri i vendit në të gjithë fushatën, nuk dinte tjetër vetëm të thoshte tepsia, kusia, LSI-ja, etj.

Ne kemi qenë në qeverisje dhe e kemi thënë shpeshherë që LSI është një forcë moderatore në qeveri, është një forcë ekuilibruese dhe që frenonte me angazhimin dhe me përgjegjësinë e vet, arbitraritetin dhe abuzivizmin e qeverisë. Natyrisht, jo në të gjitha rastet ia kemi dalë, por në shumicën e rasteve kemi ndërhyrë dhe nuk kemi lejuar që lajthitja e mazhorancës në qeverisje të krijonte kosto të rënda mbi qytetarët dhe mbi vendin.

Morëm përsipër përgjegjësi, madje morëm përgjegjësi shumë më tepër se sa nga ato që kishim në qeverisje, si një moment reflektimi dhe si një moment riorganizimi brenda radhëve tona.

Ku jemi sot?

Nëse ne do të ishim në qeveri, natyrisht të gjitha këto dëshmi, fakte dhe realitete skandaloz të lidhjeve të krimit me politikën, kryeministri do t’ia faturonte LSI-së, siç bëri gjatë 4 viteve të shkuara. Nëse ne do të ishim në qeveri, natyrisht sot do të flisnim për një realitet tjetër, por ikja jonë nga mazhoranca nxori zbuluar lidhjet e krimit me qeverinë. Dhe ju e dini më mirë, sepse provën më të gjallë të lidhjeve të krimit me qeverinë e keni këtu në Shkodër. Ashtu sikundër, kjo provë dëshmohet edhe në të gjitha qarqet dhe bashkitë e tjera të vendit.

Sot nuk është më LSI, që ta frenojë, që ta pengojë dhe që t’imbulojë lidhjen e krimit me qeverisjen. Prandaj janë të zbuluar ata sot. Sot nuk është më LSI në qeveri të cilës, i faturohej korrupsioni, abuzivizmi, ndaj del zbuluar e gjithë marrëdhënia korruptive që qeverisja ka në të gjithë piramidën e vetë. Ne kemi iniciuar shumë vite më parë dhe është akoma në arkivat, në sirtaret e Kuvendit, ligji për konçensionet.

Prandaj ikja e LSI nga qeveria, nxori zbuluar krimin korruptiv të koncesioneve, i cili vetëm në shërbim të interesave të vendit dhe në shërbim të qytetarëve nuk është. Prandaj, parë me këtë sy, ne duke zgjedhur të jemi në opozitë, i bëmë një nder të madh Shqipërisë. Por i bëmë dhe një nder të madh mazhorancës sepse e nxorëm atë ashtu siç është, në raportin e vetë kriminal, në simbiozën e vetë me krimin, çfarë do të thotë që pikërisht për shkak të kësaj situate, tani fjalën e kanë qytetarët. Dhe fjala e qytetarëve do të thotë, kundërshti, rezistencë dhe luftë të vendosur ndaj çdo qelize kriminale, në të gjithë piramidën e vetë kudo ku ajo shfaqet.

E gjitha kjo periudhë, ka qenë një periudhë lufte pa princip, pa moral ndaj njerëzve të LSI në të gjithë vendin. Duke i kërcënuar, duke i kanosur, duke i hequr nga puna, duke tentuar për t’i blerë, dhe padyshim realiteti na shfaqet siç është dhe sot këtu në Shkodër, qëndresë dhe rezistencë, sepse LSI është partia e qëndrestarëve dhe e rezistentëve ndaj të keqes, ndaj korrupsionit dhe ndaj krimit.

Kanë ikur nga radhët tona edhe dhjetëra, qindra, ndoshta dhe mijëra njerëz. Procesi i opozitës është dhe proces reflektimi edhe proces vetëpastrimi dhe proces ristrukturimi, riorganizimi dhe ringritjeje. Kanë ikur frikacakë. Mirë kanë bërë sepse ne nuk jemi parti e frikacakëve. Kanë ikur dhe servilët, ne nuk jemi parti e servilëve.

Ka ikur dhe ndonjë i trembur për shkak të mëkateve apo të lidhjeve korruptive që ka patur.  Dhe duke ikur nga LSI me shpresën se do të shpëtonin nën çadrën e Rilindjes, edhe atje bëjnë të njëjtën gjë duke u shfaqur në lidhje korruptive, në lidhje kriminale. E, sot Kryetari i Rilindjes nuk flet për ta, sepse janë njësoj, janë bërë pjesë e të njëjtës tepsi korruptive, abuzivizmi dhe krimi që ka në krye të sofrës Kryeministrin e vendit. Prandaj ky realitet duhet të na bëjë të gjithëve ne më të fortë. Më të fortë dhe më të vendosur sepse pa luftë, pa rezistencë dhe pa sakrifikuar nuk mund të ketë fitore.

LSI, natyrisht ka edhe një mision tjetër; ka misionin t’u tregojë njerëzve, jo vetëm se cila është rruga e drejtë nëpër të cilën duhet të ecin por pikësëpari, ka misionin të demonstrojë me shembullin dhe me modelin e njerëzve tanë se Shqipëria është një vend që pavarësisht mënyrës sesi qeveriset nga klanet kriminale, mund të bëhet dhe duhet të bëhet prej njerëzve të saj në Shqipëri, duke punuar me dashuri, me përkushtim dhe me vendosmëri, për Shqipërinë Europiane që të gjithë ne së bashku e duam.

Duke lenë pas modestinë, më lejoni ta them, LSI ka qenë gjithnjë forcë e moderuar dhe do të vazhdojë të jetë forcë e moderuar, sepse në krye të interesave të saj, janë interesat e vendit.

Ne jemi një forcë e moderuar, ne kemi guximin të dalim para njerëzve, t’u themi atë që kemi bërë mirë, t’u themi dhe atë që nuk e kemi bërë mirë. T’u themi dhe për gabimet tona, t’ju kërkojmë ndjesë njerëzve, t’ju kërkojmë ndjesë edhe në Shkodër edhe për kostot që kanë krijuar disa individë që shkelën ligjet, por shkelën edhe besimin dhe vlerësimin që u bëri Lëvizja Socialiste për Integrim. Jo vetëm në kohën kur ishim ne në qeverisje, por edhe sot shumica e drejtorëve  të hipotekës në Shkodër ose kanë qenë në burg ose janë në burg. Janë të gjithë para drejtësisë, ndaj pse nuk del kryeministri të kakarisë dhe të thotë cila është gjendja e tepsisë së tij sot. E dëgjuat se çfarë tha para disa ditësh: -Çfarë kamë hequr unë me hipotekën e Vlorës?

Por hipotekën e Vlorës nuk e ka pasur LSI-ja, as hipotekën e Tiranës, as të Durrësit. Këto i ka pasur Rilindja, i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë Edi Rama.

Po mirë tërë të tjerat, por guximin për të kërkuar ndjesë para qytetarëve, të paktën për qytetarët e Vlorës që e kanë votuar dhe e kanë zgjedhur nuk e ka ky njeri?!

Nuk mund t’a ketë sepse guximi dhe ndjesa janë virtyt i njerëzve kurajozë, i njerëzve të ndershëm, i njerëzve punëtorë dhe njerëzve të sinqertë.

Kemi përpara zgjedhjet e 30 qershorit, natyrisht ato janë një sfidë, por para se të shkojmë tek zgjedhjet e 30 qershorit ne kemi zgjedhjet e fitores me vetveten, për të gjetur çdo njeri, çdo qytetar, çdo të ri, çdo të re, çdo grua, çdo nënë, çdo motër, çdo punëtor, çdo veteran dhe për t’u bërë bashkë në luftën, jo për të fituar pushtetin, por për të larguar krimin nga pushteti, jo për të fituar karrigen, por për të fituar përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të vazhduar në këtë rrugë. Sepse arroganca, abuzivizmi, shpërdorimi, korruptimi, krimi dhe hipokrizia janë të gjitha të bëra një në shëmbëlltyrën e kryeministrit.

Ky njeri që drejton atë të ashtuquajturën Partia Socialiste të Shqipërisë, atë parti të cilën kur e themeluam në qershorin e vitit 1991 e bëmë me bindjen që t’i jepnim Shqipërisë një forcë politike vlerë dhe bartëse të vlerave të historisë së Shqipërisë, jo vetëm ato të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por të të gjithë historisë së Shqipërisë, sot po na dëshmon se ka rënë në dashuri me eshtrat e Mid’hat Frashërit.

E gjitha dëshmi e hipokrizisë.

Unë ndjej dhimbje për zhgënjimin e madh që kanë pësuar veteranët e luftës partizane, me sjelljen me qasjen dhe me qëndrimin e kryeministrit, e cila në fakt është e njejta, sepsr ai është konseguent në qëndrimin e vet, është koherent, pasi ai është i njejti me atë që këta i quante në vitin 1990, 1991,1992 e në vazhdim kasketat e kuqe të komunizmit, dhe nëpër sheshe thërriste pensionistët në litar, komunistët në hanxhar.

Pra ai nuk ka gënjyer, ky ka qenë dhe ky është ky është.

Edhe në 70 vjetorin e çlirimit, 4 vite më parë bashkë me LSI-në unë si deputet i  kam kërkuar të vendoste një pllakë mermeri dhe të hiqte plehrat që kishin zënë dhe mbuluar varrezat e dëshmorëve, të cilat janë sistemi i referimit që ka një komb me sakrificën e vet për lirinë. Por ai nuk e bëri se të nderosh luftën dhe sakrificat, të kesh respekt për gjakun e derdhur nuk është në bindjen e tij.

Unë nuk jam kundër që të vijë dhe të prehet në tokën e të parëve të tij edhe një njeri me histori që nuk është bardhezi, si ajo e Mid’hat Frashërit, i cili, jetën e vetë të pasur, të mbushur me dritëhije, me kontribute në të mirë të atdheut, të gjuhës e kukturës tonë kombëtare, si një nga drejtuesit bashkë me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën në Kongresin e Manastirit, apo si njëri nga firmëtarët e shpalljes së pavarësisë, zgjodhi ta mbyllte në krahë të pushtuesve nazistë gjermanë.

Që të prehet dhe ai në tokën e atdheut të vet është njerëzore, por ai nuk është as si i jati Abdyl Frashëri dhe as si xhaxhallarët e tij Samiu dhe Naimi, për të merituar të njejtin vend nderimi me ta.

Historia as nuk mund të ribëhet dhe as nuk mund të rishkruhet, pasi protagonistët e saj e kanë zgjedhur vetë emrin e tyre në histori.

Sot është koha e qytetarëve, që ata t’i dalin zot vendit, t’i dalin zot të ardhmes së tyre. Është koha për t’i thënë jo më trajtimit të Shqipërisë si pronë të kryeministrit, i cili e ka bërë atë një njollë të zezë turpi, krimi, droge dhe korrupsioni në Europë. Qytetarët shqiptarë nuk e meritojnë të jenë të tillë, për shkak të papërgjegjshmërisë së një qeverisjeje që nuk ndjen asnjë detyrim tjetër, përveç detyrimit që të vazhdojë t’i shërbejë krimit dhe të jetë ajo shembëlltyra e korrupsionit. Shkodra na mëson se qytetaria  dhe vlerat e saj janë të patjetërsueshme,  janë të patrafikueshme, janë të pakontaminueshme nga çfarëdolloj përpjekje kriminale dhe korruptive. Prandaj hipokritët dhe ata që qeverisin nën pushtetin e krimit kanë vetëm një fund dhe vetëm një fat. Fatin e turpit, fatin e ndëshkimit, fatin e të mundurit.

Me Shkodrën u kurorëzua çlirimi i Shqipërisë nga fashizmi, në Shkodër nisi shpëtimi i Shqipërisë nga diktatura, nga Shkodra le të fillojë  edhe shpëtimi nga edvinokratura!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here