Kombëtarja e futbollit ka nesër mundësinë e fundit për t’i bërë gjërat mirë në Ligën e Kombeve. Por për ta bërë këtë gjë së pari duhet të fitojë ndeshjen me Skocinë, takimi i fundit i Grupit C1. Trajneri italian i kuqezinjve Christian Panucci foli për rëndësinë e këtij takimi, që luhet në “Loro Boriçi” të Shkodrës nesër në orën 20:45.
“Është e qartë që nesër duhet të bëjmë gol. Në Izrael kemi krijuar shumë raste, por ka munguar finalizimi. Nesër kemi përgatitur disa lëvizje taktike dhe shpresoj për të qenë më konkretë para portës. Grezda dhe Ndoji gati për nesër? Grezda është stërvitur veçmas gjithë javën dhe ka disa probleme. Ka kërkuar të luajë, por vetëm nesër do të vendosim.” u shpreh Panucci.
Ndërsa porsa i përket komunikimit të lojtarëve me njeri-tjetrin tekniku italian tha që shpreson që këtë herë të ketë komunikim më të mirë me lojtarëve.
“Është e vërtetë që skuadra komunikon pak në fushë dhe për këtë edhe lojtarët janë të ndërgjegjshëm Shpresoj që nesër të shoh lojtarë që flasin seriozisht me njëri-tjetrin, pasi është shumë e rëndësishme për rezultatin. “Loro Boriçi” stadiumi fatsjellës? Unë kundër Italisë kam humbur këtu, por shpresoj që nesër të mos kemi të njëjtin fat.” tha në fund të fjalës së tij trajneri i Kombëtares