Nga Alban Daci
Sot, Presidenti është i vetmi institucion qe po mbijeton i pavarur, duke u konsideruar kështu shpresa e vetme e qytetarëve kundër revanshit të pushtetit politik, të përfaqësuar e të bërë nga mazhoranca, që po dëshiron te orientohet drejt një despotizmi maksimal, me qëllim final, themelimin dhe krijimin e një regjimi autoritar me karakteristika tipike të ngjashme me modelet e Rusisë dhe Turqisë.
Sot, qytetarët duhet të bëjnë një dallim të madh mes Metës si politikan e Metes si shtetar. Në pjesën e parë, Metën e kanë akuzuar për akuza nga më të ndryshmet, edhe për akuza të rënda, por figurën e tij e kanë pastruar pikërisht kundërshtaret e tij politik që, për interesat e pushtetit, i bënë Vettingun dhe e pastruan nga çdo “njollë”.
Berisha e amnistojë Metën nga çdo akuzë, sepse bëri marrëveshje bashkëqeverisje, duke e bërë Ministër të Jashtëm, zv. Kryeministër. Ndërsa vlerësimet më të larta institucionale për Metën i ka bërë Rama, duke i besuar dy institucionet më të rëndësishme: Kryetarin e Parlamentit e në fund Presidentin e Republikës. Pra, kushdo mund të na bëj moral për Metën, por vetëm Rama dhe PS-ja, jo!
Meta e ka kaluar Vettingun e politikës e nuk është momenti që ne, si qytetarë të merreni me kohën, kur ai ishte politikan. Unë mendoj se ne duhet të merremi me Metën si shtetar. Në këtë këndvështrim, Meta është garancia dhe forca e vetme që Shqipëria të mos rrëshqas drejt një gremine institucionale. Berisha ka folur shpesh për “Grusht shteti”. Unë, nuk dua të arrij në një konkluzion të tillë, por unë jam i bindur se, ka një plan për të sulmuar dhe eliminuar institucionin e Presidencës që është pengesa e vetme dhe forca e vetme që mund dhe po ndalon revanshin e pushtetit politik drejt nje autoritarizmi te ngjashem me atë të Rusisë dhe Turqisë. Ky grup, i përbërë nga Kryeministri, disa ministra, pseudogazetarë dhe po ashtu edhe faktorë të tjerë që kanë interesa të mëdha, po përpiqen të krijojnë opinionin publik se, Presidenti po shkel Kushtetutën dhe po pengon qeverisjen.
Në fakt, ashtu siç po verifikohet edhe në rastin e mos dekretimit të ministrit të Brendshëm, del qartë se Presidenti, në fakt është garanti i vetëm i rendit kushtetues. Unë, mendoj që Presidenti nuk duhet ta dekretojë as në herën e dytë zëvendësministrin e Brendshëm si ministër të Brendshëm. Nëse Presidenti do ta dekretonte, atëherë do të lindnin me të drejte dilemat: nëse ai ka vepruar me logjikën e shtetarit apo të shantazhuarit e deri diku edhe të “marrurit” peng! Nëse do të ishte e vërtetë kjo e dyta, atëherë kjo do të ishte një kambanë alarmi për të ardhmen e vendit.
Pse Presidenti nuk duhet ta dekretojë zëvendësministrin e Brendshem si ministër të Brendshëm?
Së pari, sepse ai erdhi si propozim antikushtetues dhe dëshironte të uzurponte institucionin në mënyrë antikushtetuese. Kushdo qoftë personi në fjalë, pa a analizuar atë, ai person qe pranon dhe bëhet pjesë e një nisme antikushtetuese, për të marrë detyrë kushtetuese, nuk meriton respektin politik, por as arsyetimin juridik për të marrë një detyrë kushtetuese.
Së dyti, u tentua të cenohej figura e Presidentit, për të realizuar objektiva antikushtetuese në shërbim te pushtetit politik.
Së treti, Presidenti duhet t’i qëndrojë aryetimit të parë, duke mos u lëkundur kështu imazhin e garantit të Kushtetutës.
Së katërti, nëse Presidenti nuk u bë herën e parë pjesë e pazareve të pushtetit politik, duke e mos e dekretuar, dhe nëse tani e dekreton, atëherë qytetarët kanë krejt të drejtën e tyre legjitime të mendojnë dhe të besojnë se edhe Presidenti po i tradhton pikërisht për pazare të pushtetit politik. Presidenti është i vetmi institucion që, sot për sot, siç duket, ka vullnetin dhe forcën qe t’i kundërvihet pushtetit politik, sa herë që pushteti politik ndërmerr nisma për të cenuar rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.
I tillë është reagimi që Presidenti bëri sonte, duke mbrojtur të drejtat e banorëve të Unazës që do ju prishen banesat e tyre. Në kushtet e mungesës edhe të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti mbetet institucioni i vetëm i rëndësishëm në vend, për të garantuar rendin kushtetues e për pasojë edhe mbrojtësi i vetëm i të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Qytetarët duhet ta mbrojnë institucionin e Presidentit dhe ta konsiderojnë Metën, jo më si politikan, por si një Shtetar dhe këtë të dytën, sipas mendimit tim, po e bën në lartësinë e duhur, pikërisht në një moment delikat politiko-institucional, që po kalon vendi.