Modeli i zhvillimit të Kinës dhe Shqipëria

0
122

 

 

Monika Kryemadhi

Nuk përbën më ndonjë surprizë fakti që çdo vizitë në Kinë është gjithnjë sa befasuese aq edhe mbresëlënëse, jo vetëm se Kina përfaqëson civilizimin më të vjetër botëror që vazhdon pa ndërprerje, jo vetëm se mikpritja kineze është e prekshme dhe shkon shumë përtej ekselencës protokollare, jo vetëm se kinezët kanë aftësinë e rrallë të sintetizojnë në një frazë një filozofi dhe ideologji që përbën bazën e gjithë qeverisjes, por mbi të gjitha, ngaqë këtë herë krijova bindjen e patundshme se, sot Kina është një realitet i jashtëzakonshëm që duhet njohur, studiuar dhe nga i cili duhet përfituar pa paragjykim.

Dyzet vjet më parë, Kina mori një vendim strategjik që të hapej ndaj botës, të bindur se kështu do konkurronin me sukses, duke projektuar kulturën dhe civilizimin e tyre të lashtë, të armuar me modelin e tyre zhvillimor, ku inovacioni ishte tipar themelor.

Hapja sjell reforma dhe reformat sjellin zhvillim. Ky është thelbi i asaj çka ndodh në Kinë në këto 40 vite. Duke lënë mënjanë modestinë e shquar kineze, një drejtues i rëndësishëm u shpreh se “ne si popull kemi filluar të ndiejmë lumturinë”, gjë që do doja ta dëgjoja shumë më shpesh kur bëhet fjalë për popullin tim. Për hapjen kemi nevojë shumë edhe ne shqiptarët, jo vetëm në vlerësimin me realizëm dhe pa paragjykim të asaj çka ndodh në Kinë, por veçanërisht, në kuptimin e asaj që duhet të bëjmë për të zhvilluar më tej vendin dhe përmirësuar jetën e njerëzve, me shpresë që dëshirës së tyre për t’u larguar prej tij, t’ia lërë “përjetimi, sadopak, i lumturisë këtu, në tokën tonë”.

“Objektivi është mirëqenia e njerëzve, energjia për të arritur këtë janë reformat”. Kjo ishte mantra. Ky ishte metri që maste çdo gjë, kualifikonte dhe skualifikonte: A përfitojnë qytetarët? Tek hidhja këto radhë, dëgjoja këtu në Tiranë një ministër tek fliste për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës, rruga me trafikun më të dendur në vend, që do të thotë, pra, edhe vendosje e një tarife të re. Ministri mburrej se koncesioni nuk kishte efekt në buxhet. Por “harronte” se qeveria nuk kujdeset vetëm për kostot e buxhetit, por para së gjithash, për kostot e qytetarëve. A thua se qeveria i shërben buxhetit dhe jo njerëzve. A thua se qeveria zgjidhet nga “buxheti” e jo nga “njerëzit”. Njerëzit le të paguajnë taksa, mjafton që nuk paguan Buxheti i Shtetit?! Duke parë shifrat e buxhetit, kanë harruar të shohin shqiptarët!

Kjo papërgjegjshmëri qeverisëse ka lënë pasojat e saj edhe në mospërfitimin nga një mundësi e veçantë, siç është iniciativa kineze “Një Brez, një Rrugë” dhe platforma për financimin e projekteve në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, e quajtur 16+1. Pikëpyetjet janë të shumta: Pse vetëm Shqipëria nuk ka përfituar financime nga kjo iniciativë?

Pse vendet e tjera përfitojnë projekte? A është bërë një analizë e këtij dështimi nga qeveria aktuale?

Në fakt, arsyet e dështimit në përfitimin e këtyre fondeve janë evidente:

 

  1. E para, ka mungesë serioziteti dhe korrektësie në bashkëpunimin me palën kineze.

 

  1. Ka hezitim, paqartësi dhe ngathtësi në përzgjedhjen e projekteve dhe ndjekjen e mundësisë reale të financimit të tyre.

 

  1. Nuk mund të përfitojmë projekte, nëse nuk japim zgjidhje për atë që kemi kërkuar të zgjidhet prej kohësh, e që vazhdon të mbetet domosdoshmëri: përgatitja e projekteve me studimet përkatëse të vizibilitetit, me faturat financiare, me detyrimet dhe përfitimet respektive.

 

Nëse do të injorojmë këtë domosdoshmëri, qeveria do të vijojë të pranojë oferta të pakërkuara nga investitorë të dyshimtë, që janë sinonim i korrupsionit dhe pastrimit të parave të drogës.

Së dyti, në përqasjen e re me Kinën duhet të treten paragjykimet, ngado që vijnë ato, nga Tirana qeveritare, Brukseli apo ngado tjetër. BE dhe SHBA janë konsumatore të produkteve dhe shërbimeve kineze edhe në sektorë strategjikë dhe e dinë mirë standardin e lartë të cilësisë dhe inovacionit që ato përfaqësojnë. Një kompani lokale Hi-Tech në qytetin industrial Guangzhou jepte shërbime për NASDAQ, për CNN, për Parlamentin gjerman dhe shumë kompani të tjera prestigjioze

Edhe pretendimet gjoja “brukseliste” për mundësi standardesh në realizimin e veprave të infrastrukturës nuk qëndrojnë, përderisa aktualisht janë me dhjetëra kompani kineze që realizojnë projekte madhore infrastrukture, sipas kërkesave dhe certifikatave të BE-së. Ndërkohë, spikat marrëdhënia Gjermani-Kinë, me një volum të jashtëzakonshëm shkëmbimesh e investimesh respektive. Gjermania ka një volum shkëmbimesh me Kinën në rreth 170 miliardë USD dhe në tregun kinez realizohet 60 % e fitimit të kompanisë gjermane “Volkswagen”, që është edhe punëdhënësi më i madh në Europë.

Për më tepër, pala kineze ka shprehur qartë se është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi trepalësh me BE dhe Shqipërinë jo vetëm në fushën e investimeve, por edhe të vetë procesit integrues europian të Shqipërisë. Në fund të fundit, rrugëtimi i integrimit të Shqipërisë në BE është i lidhur në mënyrë thelbësore edhe me zhvillimin tonë ekonomik, me standardin e jetës së qytetarëve. Ndaj çdo vend, që ofron mbështetje për Shqipërinë, duhet të jetë i mirëpritur.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë, BE dhe Kinës nuk kanë pse të jenë kushtëzuese dhe as përjashtuese ndaj njëra tjetrës. Kina është një mbështetëse e madhe e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE, sepse një Shqipëri Europiane do të thotë një partner më serioz, më i besueshëm dhe me më shumë mundësi bashkëpunimi. Por që të realizosh këtë kemi nevojë për lidera mendjehapur, me vizion dhe që kanë interesat kombëtare mbi çdo prioritet tjetër.

Në fakt, në këtë trekëndësh bashkëpunimi, shikoj zgjidhjen për realizimin dhe financimin e gjithë projekteve të konektivitetit, të përcaktuara nga Samiti i Vjenës, në kuadër të Procesit të Berlinit. Së treti, bashkëpunimi me Kinën mund të shkojë përtej projekteve të infrastrukturës së transportit dhe energjisë. Është një fakt që kompanitë kineze të inovacionit kanë penetruar thellë në shërbimet sociale të arsimit dhe shëndetësisë.

Për Presidentin Xi, i cili pas kongresit të 19-të PKK ka statusin e Liderit të Madh, status që më parë e ka pasur vetëm Mao Ce Duni, konkurrenca e sotme mes kombeve është në thelb konkurrenca e cilësisë së sistemeve të tyre arsimore. Në ndihmë ka ardhur teknologjia e lartë, një fokus për inovacionin dhe cilësinë e mësimdhënies. Rezultatet janë të jashtëzakonshme, në numrat e studentëve shumë cilësorë që arrijnë nivelet universitare e pasuniversitare, një pjesë e madhe në universitetet më të mira të Perëndimit.

Befasuese ishin zgjidhjet teknologjike për shërbimet shëndetësore. Një infrastrukturë inovative për diagnostikimin dhe trajtimin në vazhdimësi të pacientëve, nëpërmjet platformave on-line, sfidonte hapur shpikjet korruptive alla shqiptare të check-up-it, me kosto shumë më të ulëta e cilësi shumë më të lartë.

Se katërti, orientim i rëndësishëm i bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të jetë turizmi. Nuk e kam fjalën vetëm për vazhdimin e trendit në rritje të turistëve kinezë që vizitojnë Shqipërinë. Para së gjithash, vlerë të shtuar bashkëpunimi sjell adoptimi i modeleve të rritjes së kapaciteteve dhe ekspertizës turistike, ashtu siç ofrohet në cilësinë më të lartë, Fakulteti i Turizmit në Universitetin e Unionit të Pekinit, që ka arritur të imponohet edhe si hartues i strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit në Kinë.

Replikimi i modelit të tij në Universitetin e Tiranës, jam e sigurt që do të garantojë mbushjen e vakumit të ekspertizës që ka sot ky sektor prioritar i ekonomisë së vendit dhe do t’i japë këtij sektori qartësi strategjike në zhvillimet e ardhshme. Pse jo, edhe një mundësi aksesi në tregun tepër të madh të turizmit të Kinës.

Së fundmi, por jo nga rëndësia është Bujqësia. Aplikimet inovative në bujqësi po jepnin frytet e tyre në Kinë, ku tregu kinez përfaqëson një mundësi të pafundme shkëmbimesh. Ndërkohë, qeveria shqiptare vazhdon të tregojë ngathtësi, duke mos miratuar dhuratë zemërgjerë për ngritjen e një parku makinerish bujqësore për të ndihmuar fermerët e zonës së Cërrikut. Nuk dua të besoj se përkatësia partiake e drejtuesve të Bashkisë Cërrik është më e rëndësishme se mirëqenia e fshatarëve të të gjithë zonës së Dumresë, ose në të kundërt duhet të jetë arsye burokratike ose korruptive.

Në përfundim, unë dua të shpreh bindjen time se për marrëdhëniet me Kinën duhet të punojnë më shumë e të flasin më pak gjithë forcat politike dhe pse jo, edhe shoqëria civile. Këtë duhet të bëjnë të gjithë, me mendje të hapur dhe realizëm. Mendoj se ky moment është një mundësi e fundit për të mos e humbur përsëri trenin e shpejtë kinez

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here