Telendari në prehrin e Madhërisë

0
210

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

E filloj ashtu si të gjithë: I riu si veriu. E telendisi madhërinë në vendin e vet e më tëhu, ku mundi e ku gjeti. Ja futi vrapit në ekzil, të gjente paqe e të shante e telendiste sa më shumë madhërinë. E shau, e telendisi, pastaj edhe u pendua, në atë mot. I shkroi një kartë të dhembshur. Madhëri shpalli me fetvan e tij, një amnisti, për të gjithë ata që e kishin sharë, telendarë a kundërshtarë. “Ejani e më ndihmoni të mbrothësojmë vend e të bëjmë një dovlet të fortë të panjohur më parë”. Teelendari kujtoi se ishte penduar Madhëria e tij dhe i shkroi një kartë plot pathos e dashuri. “Madhëri! Të kam sharë e telendisur sepse mendoj se e meriton (si telendari, unë e shumë të tjerë). Por tani vërej se je bërë i dhimbsur e nga goja veç mjaft nxjerrë. Unë dua të bashkohem me Divanin tënd e të bëjëm çudira, që nuk janë parë në asnjë vend. Madhëri! Mos dysho në besnikërinë time. Shërbimi për ty është nder e lavdi”. Madhëria me siguri nuk e ka lexuar këtë letër si shumë të tjera. Për një arsye shumë të thjeshtë: Ai kur nxori fetvan, ishte në prag të greminës, e më shumë se premtim i dhënë me zemër, thirrja e tij, ishte kuja e të pashpresit që po humbte pushtet.

Po telendari vallë nuk e kuptoi apo e shkrojti letrën thjesht për pathos e “nder për atdhenë?

Thashethemet e mejhaneve në të ngrysur, thonë se telendari kishte mbet i vetëm, fillikat, i pashpresë dhe kërkonte pak emër, për të ardhmen e sigurisht pak pushtet. I ftoi kalemxhinjtë të hapnin earlivën e të kuptonin se kishin të bënin me një deli djalë, levend e karaman, i mprehtë e i aftë, por që Madhëria e kishte bërë lanet. Shkruan axhanset, se një dijetar na kish humbur e mallkuan, dovlet memurë, këshillonjës e kadijtë e gjithë perandorisë. Eh si vate kjo punë, “kundërshtari”, djaloshi që bëri emër të madh në dynja, nuk u falënderua asnjëherë nga Madhëria. I shkrojti letër e nuk ju përgjigj, i doli emri në axhanse e Madhëria, përsëri në të tijën. E kundërshtari u bë më telendar. Filloi ta quante të ulët Madhërinë, “njeri pa vizion, anonim, i paaftë mendërisht e politikisht”, madje ishte gati të provonte edhe teorinë e tij të sterilitetit për meshkujt kaq arrogantë e naiv, si Madhëria e tij. Telendari nuk e la me kaq. Ju vu pas me bukë në trastë, atyre që mendonin se po gënjenin shkencën, artin, diturinë, shisnin si të tyret teoritë mbi paranë e trupin e njeriut, pa hapur ndonjëherë një libër biologjie, e pa parë njëherë letrat e bakallit të lagjes. Këta i gjeti si për çudi në oborrin e Madhërisë e madje edhe njërin prej tyre në Divanin e tij. Çfarë kishin bërë këta “zullumqar”? Kishin bërë e ç’nuk kishin bërë. Kishin vjedhur prej Ibn Hysejnit dhe Çelebiut të shkretë qitape me rëndësi dhe u kishin vënë ëmrin e tyre. A ka krim më të madh se ky, bërtiste telendari-kundërshtar i Madhërisë. Po jo më thoni o njerëz, a ka krim më të madh se ky që të marrësh e të bësh të tuat librat më të mirë të shkencës që i ka dhënë dritë një qytetërim të tërë Madhëria as që nuk merrej fare me ulërimat e telendarit. E preferuar e tij Latife Hanëm që merrej me punët e shkencës e diturisë, u gjend pak e “habitur”, por premtoi se do të hetonte gjerë e gjatë (sa për të kaluar radhën, kuptohet). Sa më shumë heshtje kishte prej divanit, aq më shumë telendari-kundërshtar sulmonte. Madhëria që e dinte se ai kishte hyrë në tokat e tij, prej ekzilit të shkurtër ku ishte, si për çudi e la të lirë. Njerëzit që vinin të tregonin pranë Madhërisë, se “telendari-kundërtshtar po trazonte shpirtrat e kalemxhinjve, bile-bile edhe të n njerëzve të thjeshtë. Madje këtyre të fundit u thoshte qindin për ju”. “E çfarë thotë për mua- tha Madhëria? Që jam hajvan, i poshtër, i palarë, i pashpirt, i trashë, gdhë që nuk vlej dy grosh. Apo thotë që ja kam dhjerë Madhërisë disa herë, e tani përsëri do t’i bëj gjëmën? Lëreni të flas, të shfryhet, se vetë i kam dhënë vetë leje, që të heqë mendjen mileti, nga uria, varfëria, grabitjet, dhunimet e vrasjet që nuk po i ndalim dot. Telendari do ta mbyllë gojën shpejt e do të vijë të ulet urtë e butë në prehrin tim.” Të shkretët shërbëtorë shqyen sytë e ikën, duke u përkulur deri në tokë përpara Madhërisë.

Të shastisur e të tulatur, shërbëtorët tundën kokën mes shpatullave të ngushta, panë njëri-tjetrin me sy e thanë në gojë: “Ç’të ketë menduar vallë Madhëria për telendarin kundërshtar”?

Dita e kiametit erdhi. Heretiku i sulmuar aq shumë prej telendarit-kundërshtar iku në punën e vet, duke shkruar një letër plot emocion për Madhërinë, për dashurinë që kishte ndaj tij, besnikërinë dhe gatishmërinë për t’u bërë fli për të. Të gjithë u zhytën në mendime, por edhe një pyetje u rrihte si çekan në kokë: Kush do ta rrëmbente, vendin e këtij djali që iku kaq pa pritur? Dhe Madhëria si gjithmonë e surprizoi miletnë. Telendarin-kundërshtar e solli në Divan. Me një ferman të shkurtër e plot kuptim ai urdhëroi: Telndari-kundërshtar të vinte e të zinte vendin që i takonte para një viti në Divan. Madhëria e mbajti fjalën dhe e uli telendarin-kundërshtar në prehrin e tij. Fillimisht telendari-kundërshtar u nanuris e u llastua, si vajzat e reja që shohin haremin për herë të parë. Pastaj i ra lapsit, bëri llogaritë e na dolli me tezën e njohur të kësaj kategorie, se “po sakrifikonte pare e nam, vetëm për të bërë të lumtur miletin e Dovletin”. Kaq ishte dhe u mbyll kapitulli i parë për telendarin-kundërshtar, me titullin “Bërtit sa më fort që të març një post”. Ulëriu, ngriti zërin, u çorr e u ngjir në ekzil e mëmëdhe, i shau e telendisi të gjithë nga mëngjesi deri në darkë, duke mos kursyer as Madhërinë, ndërsa në drekë u ul në prehrin e tij. Mjaftoj një ferman dhe telendari-kundërshtar e mbylli gojën. Tani mezi pret të provojë kolltukun që është porositur enkas për të, me lëkurë bizoni. Mbase një palë këpucë me lëkurë kameleoni do t’i shkonin mjaft mirë postit që ka marrë. Ku i dihet? Madhëria mund të na suprizoj duke e ngritur edhe më lart figurën e kameleonit. Krahu i tij në të djathtë e në të mëngjër është gjithnjë bosh, e përkohësisht plot. Ku i dihet, gjithçka bën vaki? Por një gjë ama është e sigurt. Tani e tutje gjithë telendarët-kundërshtarë, do të turren fletoreve të perandorisë e Evropës, duke sharë e kërdisur Dovletin e Madhërinë, por më shumë atij që duan t’u zënë vendin. Gjithnjë ka vend për telendarët-kundërshtarë. Prehri i Madhërisë është i madh, zemra e gjerë dhe dera e Divanit e hapur, sa herë që ai mendon se është më mirë për të dhe etjen e pakufizuar të tij për pushtet. Prandaj telendarë e kundërshtarë, sharës part-time, mblidhuni bashkë e bëhuni gati për një vend në Divan. Koha juaj sapo ka ardhur. Mos e lini t’u ikë kot. Shihemi në kapitullin e dytë të telenovelës me titull: telendari-kundërshtar i radhës në luftën për pushtet

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here