Standard.al

Pasi reagoi Presidenti, kujtohet edhe FSHF: Parrullë me sfond racist

0

Një parrullë e tifozëve të Partizanit, ku shkruhej “Një grek më pak, një bastard më pak” ka shkaktuar një revoltë të madhe në shtetin fqinj, Greqi. 

Për këtë parrullë fillimisht reagoi Presidenti Meta, i cili e cilesoi te paparanueshme dhe te denueshme. Dhe vetem pas reagimit te Presidentit, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që përmes një statusi në faqen zyrtare ka dënuar ashpër parrullën e tifozëve të kuq, ndërkohë që ka paralajmëruar masa të rrepta për tifozët dhe klubin e Partizanit.

Statusi i plotë:

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e thellë dhe distancohet në mënyrë të prerë nga incidenti i djeshëm ndodhur gjatë ndeshjes Partizani – Skënderbeu, duke iu referuar qartazi parrullës së shpalosur në fillim të ndeshjes në seksionin e tifozerisë së Partizanit, parrullë dukshëm me sfond racist dhe me mesazhe të papranueshme për fushën e blertë dhe lojën e futbollit. Edhe pse u desh ndërhyrja e delegatit të ndeshjes për heqjen e atij çarçafi të errët, sërish qëllimi dhe akti mbetet shumë i dënueshëm.

Ajo parrullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrësesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar. FSHF, duke dënuar me forcë gjuhën e përdorur dhe mëndjen e trazuar për t’a përzjerë futbollin me racizëm apo pseudo nacionalizëm, siguron opinionin publik dhe tifozët e vërtetë se stadiumet tona nuk do të shndërrohen asnjëherë në mediume konflikti dhe urrejtjeje por do të jenë në çdo rast e çast arenë ku mbizotëron fryma e solidaritetit, gjallërisë dhe dashurisë për futbollin. Ritheksojmë se distancohemi qartazi nga çdo provokim dhe shprehim bindjen se ky grupim i veçuar, çarçaf i shkurtër dhe i keq orientuar nuk do të arrijë të prishë imazhin e futbollit dhe tifozerisë së vërtetë.

Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenaresh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar por kurrësesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit. Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit Partizani, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse.-shkruhet në statusin e FSHF.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.