ANALIZA/ Pse Endri Fuga po del nga hija e Ramës?

0
362

 

Të gjithë e mbajnë mend si një njeri të cilit i pëlqen të fshihet nën hije. Ata që e kanë njohur gjatë kohës së “Mjaft”, e kujtojnë si njeriun që qëndronte gjithnjë nga pas Erion Velisë. Ata që e kanë njohur pas 2007 në bashkinë e Tiranës, e kujtojnë si njeriun që i çonte ndonjë korrigjim lajmi gazetarëve, për të ndrequr imazhin e kryebashkiakut Rama. Ata që e mbajnë mend në zyrat e PS në opozitë, e kujtojnë si njeriun që u linte takimet me kryeopozitarin dhe shpërndante lajmet kundër qeverisë Berisha.

Edhe pasi hyri në zyrën pompoze të kryeministrisë, ku monopolizoi fondet e mëdha shtetërore të buxheteve për mediat, Endri Fuga nuk dilte në plan të parë. Madje sa më shumë rritej fuqia e tij, sa më shumë ankoheshin edhe ministra si Klosi, Bushati apo Tahiri se i anashkalonte për të nxjerrë në plan të parë mediatik Erion Velinë, aq më shumë këshilltari i komunikimit preferonte të mos dilte personalisht në plan të parë.

Por prej disa ditësh po vihet re një ndryshim 180 gradë. Ato që i shkruante në sms private, Endri Fuga po i thotë publikisht. Ai ka dalë nga errësira. Para disa ditësh foli publikisht për ata që do të dënoheshin nga ligji i shpifjeve. Pastaj sulmoi gazetarët që qëndronin të squllur para Berishës, ndërkohë që përlesheshin me Ramën. Sot i është përgjigjur Berishës me një përgënjeshtrim, për një vizitë të Ramës në Izrael.

Po pse ka vendosur ta lërë rolin 10 vjeçar të eminencës gri dhe të dalë nën dritën e prozhektorëve, Endri Fuga?

Dëshira njerëzore për protagonizëm, të cilën ai e ka mbajtur të ndrydhur për më shumë se një dekadë, përjashtohet si argument. Po ta kishte brenda vetes do ta kishte bërë me kohë.

Po atëhere?

Më e mundshmja është ndryshimi i strategjisë politike nga Rama, i cili e ka kuptuar se personazhet e tij të vijës së parë janë diskredituar në publik dhe po përpiqet të shfaqet me fytyra të reja. Dhe këtu Fuga nuk përbën një përjashtim. Javët e fundit, pas shpërthimit njëri pas tjetrit të shumë skandaleve, Xhisiela, Fred Alizoti, Dako, që kjo shumicë nuk po i përballon dot, Rilindja ka “zhdukur” nga komunikimi me publikun ministrat dhe po i ndërron ata me zëvendësat e tyre të panjohur më parë. Kështu javët e fundit kanë qenë katër zv/ministrat: Besfort Lamallari, Julian Hodaj, Rovena Voda dhe Romina Kuko, që kanë përfaqësuar qeverinë në përballjet me gazetarët dhe kundërshtarët politikë në emisionet më të ndjekura në Shqipëri. Aktivë kanë qenë në të njëjtën kohë edhe zv ministrja e drejtësisë dhe ai i jashtëm Gent Cakaj.

Ndoshta Rama, në pamundësi reale për t’i shkarkuar ministrat që kanë humbur pikë në publik po përpunon një tjetër strategji, atë të zëvendësimit mediatik të tyre me figura të pakonsumuara. Dhe ky ndryshim kursi ka mundësi të ketë ndryshuar edhe zakonet e Endri Fugës, duke e nxjerrë nga hija në plan të parë. Prandaj ai nuk replikon më me gazetarët përmes sms-ve të fsheha, por duke përdorur hapsirën e madhe të rrjeteve sociale, duke i dhënë fund kështu Endrit “të ndrojtur” që vepronte në hije/ lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here