Ankaraja i kundërvihet Athinës: “Nuk do të lejojë zgjerim të ujërave greke në asnjë pjesë të detit”

0
184

Ankaraja i është kundërvënë sërish Athinës, pas deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, i cili ndërsa dorëzonte mandatin tha se Greqia do të zgjerojë vijën e saj bregdetare nga 6 në 12 milje, duke filluar nga ishulli Otonos e deri në Kythira, e në vazhdim deri në përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka bërë të qartë se Ankaraja nuk do të lejojë zgjerim të ujërave greke në asnjë pjesë të detit, as në Jon dhe as në Egje.

“Greqia bën shpesh njoftime të tilla për të shkaktuar tensione, apo në një kornizë populiste. Populizmi për ta është e vërteta. Kjo kërkohet edhe nga opinioni publik. Në rastin tonë, qytetarët bazohen te logjika. Ne jemi në favor të një zgjidhjeje paqësore të problemeve ekzistuese mes Greqisë dhe Turqisë. Ne nuk preferojmë tensione. Por, nëse Greqia përpiqet të na provokojë, ne reagojmë në mënyrën e duhur dhe i ndalim. Parlamenti ynë e ka thënë fjalën përfundimtare në lidhje me 12 miljet detare dhe ajo është në fuqi. Greqia duhet të marrë në konsideratë nëse do ta zgjidhë këtë çështje mes diplomacisë, apo nëse ne duhet ta zgjidhim atë ndryshe”, tha Cavusoglu.

Ministria e Jashtme turke ka thirrur edhe ambasadorin grek në Ankara, Petro Mavroidis, për të dhënë sqarime. Reagimi i prerë i ministrit të Jashtëm turk vjen në një kohë kur Athina pothuajse ka përfunduar marrëveshjen me Shqipërinë për përcaktimin e vijës bregdetare mes dy vendeve, e pritet edhe firmosja e një sërë marrëveshjesh të tjera të karakterit historik, apo të çështjeve që përmirësojnë jetën e banorëve të të dy vendeve.

Ndërsa Turqia nuk ka vonuar në reagim, ende nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga qeveria shqiptare, që sidoqoftë pak ditë më parë kishte thënë se është e drejtë e Greqisë të shtyjë vijën e saj bregdetare nga 6 në 12 milje, atje ku kjo është e mundur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here