Me një Urdhër të pëbashkët të ministrit të Financave e Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe asaj të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, është hedhur një hap tjetër përpara në drejtim të realizimit të taksimit të diferencuar të ndërtesave, me një formulë të re që shmang taksën unike, siç është aplikuar deri tani. Urdhëri i datës 10 shtator 2018 “Për shkëmbimin e informacionit mbi pasuritë e paluajtshme të regjistruara dhe tjetërsimin e tyre” detyron Hipotekat dhe Agjencinë e Legalizimeve që të raportojnë me hollësi, jo vetëm për të gjitha ndërtesat e regjistruara më parë, apo që janë regjistruar gjatë procesit të legalizimeve, por edhe për vlerat e deklaruara të tyre gjatë shitblerjeve. Kjo ka vlerë për regjistrimin e të gjitha ndërtesave nga ana e Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së pasurisë (Kadastra Fiskale), por sidomos për llogaritjen e vlerës së ndërtesave, në bazë të së cilës përcaktohet edhe taksa që do të paguhet.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 273, datë 16.5.2018, “Për krijimin e regjistrit qendror të bazës së të dhënave për llogaritjen e taksës vendore të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë” (kadastra fiskale)”, ministrat urdhërojnë që, në kuadër të krijimit të regjistrit të bazës së të dhënave për llogaritjen e taksës vendore të pasurisë së paluajtshme “ndërtesë”, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Drejtoria e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, të realizojnë shkëmbimin e informacionit mbi pasuritë e paluajtshme të regjistruara, pasuritë e paluajtshme të legalizuara dhe në proces legalizimi ose jo, si dhe informacionin e plotë mbi tjetërsimin e tyre.
Raportimi
E rëndësishme është masa që merret duke detyruar Hipotekën që të vendosë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe të mundësojë marrjen e vazhdueshme të tyre brenda çdo tremujori të dhënat identifikuese të pasurisë (zona kadastrale, numri i pasurisë, adresa, volumi, faqja etj.), përshkrimin e pasurisë (sipërfaqja e ndërtuar, lloji i pasurisë etj.), pronësinë (emri/at i/e pronarëve). Por theksi vendoset në mënyrë më specifike tek vlera e transaksionit dhe datën e kryerjes së tij në rastin e shitblerjes së pasurisë. Pra, shteti dëshiron të dijë vlerën e shtëpisë në momentin kur ajo ka dalë për herë të fundit në shitje.Ndërkohë, nga Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale nuk kërkohet vlera e ndërtesës, por vetëm të dhënat që disponon mbi pasuritë e paluajtshme “ndërtesë”. Nga ana e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë garanton marrjen e të dhënave dhe përdorimin e tyre vetëm për qëllime të taksës së pasurisë dhe për asnjë qëllim tjetër.
Referencat
Në përgatitje që nga 1 janari i vitit të ardhshëm formula e re e taksës së ndërtesave të hyjë përfundimisht në fuqi, qeveria kërkon të dhëna, të cilat është shumë e vështirë të marrë në rrugë të tjera për çdo banesë në të gjithë territorin e vendit, duke u përqendruar në çmimin që është deklaruar në shit-blerjen e tyre. Në këtë rast, duket qartë se do të përdoren çmimet referencë të ndërtesave, të cilat i ka përcaktuar Këshilli i Ministrave për qytetet e ndryshme të vendit, si dhe për zonat e kryeqytetit, pasi të gjitha janë të ndërgjegjshëm që, pavarësisht nga vlera reale e një transaksioni, në noteri dhe në Hipotekë deklarohet çmimi referencë, që është minimali, për të shmangur sa më shumë tatim fitimin e shitësit (15% e fitimit). Kjo do të thotë që do të përdoren kryesisht çmimet zyrtare për të përcaktuar edhe llogaritjen e taksës për objekte të ndryshme.
Tabela
Çmimet referencë dhe taksa e banesave e llogaritur mbi to në Tiranë
Zona Çmimi referencë m2 Taksa për 70 m2 Taksa për 100 m2
1/1 Kinema “Ali Demi”, 97.700 lekë 285 lekë 407 lekë
Fusha e Sportit, Shkozë,
Depo e Ujit
1/2 Poligrafiku, Autotraktori, 78.000 228 325
LanaBregas, Linzë, Sauk
2/1 Piramida, stadiumi 187.000 545 779
“Qemal Stafa”
2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, 134.500 392 560
shkolla “Avni Rustemi”
2/3 Ministria e Jashtme, 95.000 277 396
Ambulanca nr.1, Brryli
2/4 Shkolla e Baletit, 110.000 321 458
Ambasada Amerikane
2/5 Qyteti “Studenti”, 80.000 233 333
Fakulteti Ekonomik,
Varrezat e Dëshmorëve,
Sauk, Selitë
3/1 Xhamllëku, Profarma, 77.000 225 321
rruga “Bardhyl”,
“Kongresi i Manastirit”,
Bulevardi “Zhan D’Ark”
3/2 Porcelani, IK V, 60.000 175 250
Kinostudio, “Hoxha Tahsim”,
Lana e vjetër, fshati Linzë
4/1 Spitalet, SHIK, Oxhaku, 70.000 204 292
Allias i ri, fshati Tufinë
4/2 Allias, “Njazi Meka”, 60.000 175 250
Bregu i Lumit, Alliasi i Ri,
“Myslym Keta”, “5 Maji”
5/1 Ish–Blloku, Libri Univers., 190.000 554 792
Vodafone
5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, 132.000 385 550
Shushica, Liqeni Artificial
5/3 Kopshti Botanik, 107.000 312 446
“Komuna e Parisit”,
Liqeni artificial
5/4 Hotel “Diplomat”, 82.000 239 342
blloku “Vasil Shanto”,
Selitë e Vogël
6 Shkolla Teknologjike, 65.000 190 271
Kombinati, Vaqar, Selitë,
Yzberisht, Sharrë
7/1 Gjykata e rrethit, 120.000 350 500
Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”
7/2 Blloku i Ambasadave, 100.000 292 417
Inxhinieria e Ndërtimit
7/3 NSHRAK, Fabrika e bukës 85.000 248 354
7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, 65.000 190 271
ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht
8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani”, 110.000 321 458
rruga “Tafajt”
8/2 Medreseja, farmacia 10, 100.000 292 417
Tregu Industrial
8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, 72.000 210 300
uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit
9/1 Bar Piazza, Blloku gjatë “Zogu I”, 130.000 379 488
Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”,
“Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”
9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgj., 100.000 292 375
Hipoteka, Politeknikumi
9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, 77.000 225 289
Bregu i Lumit, Politeknikumi,
rruga “Siri Kodra”
10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e 145.000 423 544
Shkrimtarëve
10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria 139.500 407 523
e Policisë, Kisha katolike
10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, 102.000 298 383
Rruga e Durrësit
11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë 87.000 254 326
11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, 75.000 219 281
Zbritja drejt Laprakës
11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, 70.000 204 263
Spitali Ushtarak, Bregu i lumit,
Fushë Mëzes, Don Bosko
Nj. A. Baldushk 32.000 93 120
Bërzhitë 34.000 99 128
Dajt 53.500 156 201
Farkë 66.500 194 249
Kashar 53.500 156 201
Krrabë 28.200 82 106
Ndroq 34.000 99 128
Petrelë 53.500 156 201
Pezë 53.500 156 201
Shëngjergj 23.000 67 86
Vaqar 34.000 99 128
Zall Bastar 25.000 73 94
Zall Herr 28.200 82 106
Formula
Në Paketën Fiskale 2018 është përfshirë ndryshimi i formulës së taksimit të ndërtesave, që më parë dallonte vetëm ato të ndërtuara para 1993-shit, ku u krye privatizimi masiv i banesave shtetërore, me ato të ndërtuara pas atij viti. Ligji parashikonte hyrjen në fuqi të pagesës së taksës së re nga 1 prilli, por kjo nuk u bë e mundur pikërisht pasi kërkohej një punë shumë voluminoze për të llogaritur vlerën reale të çdo shtëpie e kjo bëri që realizimi të shtyhej për vitin e ardhshëm. Me sa duket, referencat, që përdoren gjatë taksimit të transaksioneve të shtëpive, do të përdoren tani edhe për llogaritjen e taksës në fjalë dhe kjo lehtëson shumë procedurën.
Familjet do të paguajnë një shumë prej 0.05% të vlerës së njohur të shtëpisë, ku sërish vlerat e banesave të para 1993-shit do të merren me zbritje 30%. Kurse për bizneset kjo taksë është sa 0.20% e vlerës së objektit që përdorin për qëllime tregtare. Vlera e taksës do të faturohet në faturën e energjisë elektrike e kështu do të jetë titull ekzekutiv. Kjo do të thotë psh që një shtëpi në Tiranë që njihet nga shteti me vlerë 100 mijë euro, do të paguajë 50 euro në vit, ose 4.1 euro në muaj.