Sistemi kriminal, ose sistemi i mosndëshkuemërisë

0
221

 Avokat Brikena Bogdo

Vetëm pas skandalit të përgjimit, vëllai i ministrit të Brendshëm u dërgua në burg. Vlon kazani i diskutimit shtetëror dhe opozitar, nëse ishte zëri i tij dhe nëse vazhdon aktivitetin e paligjshëm dhe nuk diskutohet çështja në themel. Kriminelët dhe krimi shtetëror mbeten të pandëshkuar. Këtu duhej të përqëndrohej diskutimi dhe të mos devijonte nëpër hulli interesash partiake. Por, dorëzimi në burg i vëllait të ministrit, lihet krejt në heshtje. E gjithë afera rezulton  maskaradë, për sa kohë, nuk funksionon sistemi i dënimit të kriminelve, përdhunuesve, hajdutëve. Aktualisht, krimi ka depërtuar në sistemin politik, atë parlamentar e juridik.  

Qorrollepset opinioni, me filma, fiction, për të zhvendosur diskutimin nga thelbi, mosndëshkueshmëria e kriminelëve. Ndërkohë kryeministri, apo ministri i Brendshëm, hedhin shashka konspiracioni. Nëse vëllai i ministrit të Brendshëm do të kishte vuajtur dënimin, si të gjithë, nuk do ishim në këtë diskutim qesharak, është zëri, apo jo i tij.  Ndërkohë që dënohen padrejtësisht të pafajshëm,  nuk dënohen ministrat, parlamentarët, gjyqtarët, deri tek kokat kryesore të shtetit.

Vetingu po vazhdon me verifikImet e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve, duke iu treguar hapur, të gjithë shqiptarëve se, si janë vjedhur xhepat e tyre. Por, edhe vetingu po rezulton farsë, për sa kohë thjesht largon nga sistemi, të korruptuarit.  Po dënimin e tyre, kush do ta realizojë? Përse nuk fillon hetimet prokuroria për këta gjyqtarë të korruptuar, që tashmë janë të shapllur publikisht, me fakte konkrete, të korruptuar?

Prokuroria fillon hetimet kryesisht, edhe për raste shumë më banale, ndërkohë koka të shtetit, që duhet të vendosin drejtësinë, janë më të përlyerit, në korrupsion. Për ta nuk fillon askush një procedim penal.  Përse prokuroria, në Shqipëri, është krejtësisht inekzisente, kur po e shohim rolin e prokurorisë edhe në vendet fqinje. Sapo kemi një deklaratë të Kryeprokurores Speciale të Maqedonisë, Katica Janeva, e cila në një kanal televiziv ka theksuar se, së shpejti, ish-kryeministri Gruevski, do të jetë pas hekurave të burgu. “Nga përvoja që kam, thotë Janeva,  mund të them që kjo do të ndodhë brenda 20 ditëve. Pres aktgjykimin nga Gjykata e Apelit, që do të dërgohet në formë të shkruar edhe te Prokuroria jonë Speciale, e pas kësaj, edhe Gruevski, do të marrë vendimin dhe mund të shkojë në burg”.

Kroacia e Maqedonia po funksionojnë, sot, me zyra speciale të Prokurorisë, si dhe me Kryeprokurorë specialë, për të burgosur figura të larta shtetërore. Kjo pasi, edhe në këto vende i gjithë sistemi politik,  dhe ai i drejtësisë ishin i zhytur në korrupsion Nëse nuk ndjek edhe Shqipëria sistemin e Kroacisë, Maqedonisë me struktura speciale të Prokurorisë, askush nuk do të ndëshkohet dhe çdo tentativë për drejtësi, do të rezultojë nul. Këtë rol duhet të luajë KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë). Mjafton të shohim moskandidimet në KLP, për të kuptuar gjendjen e sistemit të Prokurorisë, në Shqipëri. Aktualisht, deri tani, asnjë prokuror nuk guxon të kandidojë në KLP. Pse? Sepse kërkohet një figurë e lartë, e pastër morale dhe profesionale. Përlyerja e figurave të drejtësisë ka arritur në nivelin që tashmë, askush nuk mund të kandidojë në këtë strukturë speciale, si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit.

KLP-ja, që në fillesë, është ideuar krejt gabim. Ndër njëmbëdhjetë antarë të KLP-së, gjashtë janë të zgjedhur nga sistemi i Prokurorisë. Pra ata janë në maxhorancë në përbërjen e KLP-së, duke i lejuar të vendosin veton, në këtë strukturë që duhet të jetë “e paanshme”.  Tashmë e dimë shumë mirë, se sa e zhytur në korrupsion është Prokuroria dhe sa e pamundur është që ky institucion të prodhojë figura të pastra. Pesë antarët e tjerë janë nga Parlamenti  (përsëri nga sistemi politik) dhe nga juristë jashtë sistemit. Shumica e kësaj strukture u dashka të krijohet nga brenda sistemit të përlyer politik dhe të drejtësisë. Juristët jashtë sistemit janë në një shifër të papërfillshme, sigurisht pa zë brenda kësaj strukture.

Së pari, KLP-ja nuk do të arrijë të krijohet kurrë, nëse nuk zgjidhen vërtet individë të pastër,  jashtë sistemit politik, parlamentar dhe të drejtësisë. Së dyti, askush në Shqipëri nuk beson, që sistemi  i korruptuar do të krijojë sistemin e pastër, apo strukturën speciale KLP.  Kemi një diskutim dhe zhurmë për propozimin e PD-së, për veting në politikë. Mbase, pas diskutimeve filozofike, sistemi, apo individi, mund të vendosen disa mekanizma të thjeshta dhe efikase të shtetit, si p.sh. deklarimi i pasurisë së çdo individi, në Shqipëri.

Në vende të zhvilluara europiane, kanë detyrim ligjor që të deklarojnë të gjithë shtetasit pasurinë, duke u vlerësuar nga këto vende, si  themeli antikorrupsion. Në Shqipëri, ndërkohë, bëhet zhurmë dhe serviret si një risi, deklarimi i politikanëve. Kjo nisëm duhet të trajtohet si në Europë, një normë dhe normalitet, që e mbron pikërisht individin por,  edhe shtetin, nga krimi i organizuar shtetëror. Por, me gjasa, edhe kjo nisëm, përsëri do të rezultojë një maskaradë, për sa kohë, nuk ekziston ndëshkueshmëria.

Një nga diskutimet më të rëndomta është ai për sistemin zgjedhor, sidomos në prag zgjedhjesh, i cili mbetet midis sistemit proporcional dhe atij maxhoritar. Në fillimet e diskutimeve për sistemet zgjedhore, meraku i partive ishte çfarë efekte politike dhe zgjedhore do të sillte. Por me kalimin e viteve përfaqsimi në parlament degradoi, nga legjilacioni, në legjislacion, ku në të u përfshinë deputet me rekorde kriminale. Tashmë, diskutimi për sistemin zgjedhor ka degraduar, nëse sistemi zgjedhor i rradhës do të prodhojë, sistem kriminal, apo jo. Çdo ndryshim, apo ndërhyrje në sistemin zgjedhor, thjesht ka rritur elementët kriminale në parlament.

Rama erdhi me premtimin se do të bente shtet, por ngriti shtetin më kriminal të këtyre 28 viteve demokraci, pas shtetit kriminal hoxhian. Shteti pa drejtësi shndërrohet në një xhungël, ku të gjithë janë kundër të gjithëve. Opnioni shqiptar do shkundet dhe do të dalë nga letargjia, kur të shohë fajtorët dhe aktorët kryesorë, në burg. Çdo tentativë mbetet maskarasdë, sepse tashmë, sistemi kriminal ka kapur të gjithë sistemet. Përgjimet, videot, diskutimet, e kanë lodhur tashmë opinionin, që duket se, nuk beson më në asnjë forcë politike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here