Haradinaj: Kam vendosur të punoj, mandatin do ta çoj në fund

0
134

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së  qeverisë, ku ka folur për shkarkimin e Bejtush Gashit nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.

Haradinaj tha se vendimi për Gashin ka ardhur nga partia e Behgjet Pacollit, ku shton se nuk mund të ketë ndonjë ndikim negativ në proceset që varen nga kjo ministri, si INTERPOL-i dhe liberalizimi i vizave.

I pyetur rreth mundësisë së angazhimit të Bejtush Gashit në postin e ambasadorit, Haradinaj nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se është e pëlqyeshme që Bejtush Gashit t’i jepet ndonjë detyrë e re diplomatike.

“Lirimi nga detyra i ministrit Gashi, vjen nga partia AKR, deputeti Tahiri. Si do që të jetë nuk është ndonjë tronditje për liberalizimin e vizave. Të gjithë punojmë, edhe prapë nuk është lehtë. Nuk është tronditje për procesin. Por duhet të kemi kujdes, duhet të jemi të fokusuar. Koalicioni është mes partive. Unë mund të refuzoj një kandidaturë nëse nuk është e denjë. Është njësoj si në rastin e Nismës. Unë kam pasur respekt për z.Gashi, realisht dinamikat janë më të shpejta. Ideja për t’i dhënë një detyrë tjetër z.Gashi, mendoj se është i denjë për t’ia caktuar ndonjë detyrë diplomatike”, ka thënë Haradinaj.

Sa i përket debatit për rrëzimin e qeverisë, Haradinaj ka thënë se është i vendosur të punojë dhe, sipas tij, mandatin do ta çojë deri në fund.

“Kur ta vendosë Kuvendi për ta rrëzuar qeverinë e rrëzon. Por unë kam vendosur të punoj. Mua po më duket që kam për ta çuar deri në fund mandatin”, është shprehur Haradinaj

Lidhur me transformimin e FSK-së në ushtri, Haradinaj ka theksuar se nuk ka ndonjë shqetësim për sigurimin e financave, dhe ka thënë se leximi i dytë i tre projektligjeve do të bëhet pas 20 nëntorit, datë kjo kur Republika e Kosovës do të provojë të anëtarësohet në INTERPOL.

“Kam menduar që ligjet për FSK-në të vijnë pas 20 nëntorit. Por leximi i parë ka ardhur ma herët. Leximi i dytë duhet të ndodhë pas 20 nëntorit. Sepse me 20 nëntor e kemi INTERPOL-in. Nuk ka ndonjë shqetësim për sigurimin e financave”, ka shtuar kryeministri.

Haradinaj ka folur edhe për nismën e Agim Bahtirit për të hapur urën mbi lumin Ibër, të shoqëruar me një performancë të këngëtares me famë botërore Shakira. Kryeministri thotë se nuk është kundër, megjithatë thotë se hapja e urës mbi Ibër nuk është çështje njëditore.

“Nuk jam as unë kundër. Ura nuk është çështje e hapjes vetëm për një ditë. Nuk dëshirojmë të rikthejmë situata kur dikush barrikadohet në anën tjetër. E kam lutur që ai të kujdeset”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Express.

Sipas tij, Republikën e Kosovës tashmë e presin tema të mëdha dhe nuk duhen bërë hapa të gabueshëm.

“Përpara vetes i kemi tri tema të ndjeshme: ushtrinë, INTERPOL-in edhe liberalizimin e vizave. Çdo veprim duhet ta bëjmë në kalkulim. Duhet të ruhemi nga hapa të gabuar”, ka përfunduar Haradinaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here