Gëzim Tushi: Duhet apo është i tepërt “dimensioni social” i njeriut?

0
209

Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare është përballë një situatë eruptive të shpërdorimit të përmasave të lirisë individuale deri në nivelin që ajo po sjell ç’rregullime sociale evidente. Natyrisht procesi i jetës postmoderne në Shqipëri nuk mund t’i shpëtonte efekteve të ndikimit të individualizmit në shfaqjen e procesit të anonimizimit të jetës sociale. Ky realitet që është bërë prirje konstante, kërkon të gjënden edhe mjetet mbrojtëse, për të mos e lënë atë të bëhet tejet degradues. Gjithë problemi është se çfarë mund dhe duhet të bëjë njeriu për t’u mbrojtur nga efektet sociale të anonimizimit social. Me fjalë të tjera a është e mundur të përballojë efektet negative të këtij procesi social që duhet konsideruar pothuaj plotësisht të pakthyeshëm? Sepse gjithnjë e më shumë po bëhet prezent në shoqërinë tonë “njeriu i brishtë” apo jo fort i aftë për t’u përballur me dinjitet dhe forcat personale dhe situatat sociale.  Praktikisht njeriu supersocial i shoqërisë së dikurshme po zëvendësohet nga njeriu individualist, që më shumë se qënie sociale është qënie individuale përsiatëse, që llogarit jo në mënyrë sociale por individualisht fatin personal dhe lëvizjet e detyruara përshtatëse në shoqëri. Në shoqërinë tonë ka ndodhur një “revolucion” i madh, i vërtetë që e largoi njeriun nga “homogjeniteti social” i detyruar në fushën e “zgjedhjeve të lira” personale. Kjo është shoqëria postmoderne shqiptare dhe ky është në thelb “njeriu pa dimension”. Është ky njeriu i sotëm. Në fakt jam unë, jeni ju, jemi ne, të gjithë që detyrohemi të transformojmë veten, natyrën tonë, modulet e vjetra të lidhjeve sociale, me qëllim që të përshtatemi me kohën dhe të jemi adekuat me imperativat e saj. Po çfarë i ka ndodhur njeriut të kohës sonë, që ka “humbur” dimensionin social apo që gradualisht po bëhet “qënie pa dimension” ? Humbja e dimensionit social të njeriut të kohës moderne, apo reduktimi në minimum i socialitetit, i aftësisë për të mbajtur lidhje sociale, zvogëlimi i përshtatshmërisë për të jetuar në shoqërinë me përmasa tradicionale apo dëmtimi i ndjenjës së sociabilitetit, tashmë janë dukuri thelbësore ontologjike, të lidhura fort me kohën moderne dhe natyrën e njeriut. Filozofët, sociologët, psikanalistë dhe studiuesit e shoqërisë postmoderne janë duke e vlerësuar këtë dukuri njerëzore në përmasa sociale, e cila e vlerësuar së jashtmi tregon dhe sjell argumente të mjaftueshme, për të thënë se njeriu po bëhet qënie individuale dhe gjithnjë e më pak me dimension” social.

Nga ana tjetër duke e parë këtë çështje thelbësisht, duke e vlerësuar së brendshmi, të lidhur me natyrën e njeriut modern, duket sa më shumë zhvillohet shoqëria dhe përmirësohen kushtet sociale dhe individuale të jetës materiale, aq më shumë njeriu përjeton “boshllëk shpirtëror”, duke qënë nën ethet e vazhdueshme të “vakumit ekzistencial”. Mungesa e dimensionit apo reduktimi i përmasave të lidhjeve sociale të njeriut, është rezultat i faktit që rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të shoqërisë, njeriu në kohë të ndryshme ka pësuar “metamorfozë sociale” që është dukuria që filozofët, sociologët dhe psikologët i quajnë  “dy humbje” të mëdha që ka pësuar njeriu në kohë. Të cilat kanë dhënë efekte substanciale në transformimin e natyrës së njeriut, në ndryshimin thelbësor të marrëdhënieve të tij me “veten”, të “tjerët” dhe shoqërinë në tërësi.  Njëra nga “humbjet” e njeriut është më e hershme dhe përgjithësisht me “bazament biologjik”, e cila ka të bëjë me emancipimin e njeriut, dhe që ka ndikuar në shkëputjen e tij nga sjelljet me orientim biologjik, veprimtarinë në bazë instiktesh. Këtë cilësi natyrore të lindur njeriu e “humbi” në rrugën e gjatë të kalimit nga bota natyrore në atë njerëzore. Pikërisht në atë kohë dhe moment kur realisht ai u bë “qënie sociale me natyrë njerëzore”.

Ky hap emancipues i “humbi njeriut” veprimtarinë e determinuar nga instiktet dhe i dha njeriut shansin e shkëputjes dhe emancipimit human. Por njëherësh ky “hap emancipues” që e largoi njeriun nga biologjia i humbi në të njëjtën kohë “sigurinë natyrore”, që të jep orientimi me anë të instikteve. Në një farë mënyre ai “humbi” një nga piketat natyrore të orientimit të veprimtarisë jetësore mbi bazamentin e nevojave, kërkesave biologjike, të mbështetur kryesisht në impertivin e nevojave prioritare për ushqim dhe riprodhim.  Vendin e orientimit instiktual e zuri orientimi human, ndërtimi i marrëdhënieve sociale. Ndryshimi i “dimensionit biologjik” është hapi i parë i ndryshimeve ontologjike të natyrës së njeriut si qënie sociale, që solli pasoja të pallogaritshme për modernizimin social të shoqërisë. Por që njëherësh kjo “humbje e parë” e transformoi natyrën e njeriun, duke kthyer atë nga qënie e izoluar biologjike në qënie me lidhje të forta sociale. Por në kohën moderne njeriu është duke ndjerë me intensitet shumë të lartë “humbjen e dytë”, që është akoma më e madhe se largimi i jetës nga baza instiktive e orientimit dhe që është me efekte ontologjike dhe fenomenologjike kolosale që duhen llogaritur për kohën tonë. Unë mendoj se kjo “humbje e dytë” është determinuese në ndryshimin e natyrës dhe dimensionit social të njeriut modern.

Ajo mund të quhet “humbje ekzistenciale” sepse e realisht e ka vështirësuar së tepërmi orientimin social të njeriut, ka krijuar gjëndje të frikshme të “vakumit shpirtëror”, që në një farë mënyre është bërë tipari më thelbësor, kuintesencë e  “njeriut pa dimension”. Duke e vlerësuar këtë “humbje të dytë” të njeriut të kohës moderne, më duket se kanë të drejtë ata që thonë, se ai nuk mund të jetë “qënie me dimension” të determinuar social. Sepse njeriu në kohën tonë ka humbur, sic thotë psikologu dhe psikiatri i “Shkollës së tretë” vjeneze Viktor Frankl “sigurinë” edhe “parajsën”.  Dimensioni social, siguria biologjike instiktive dhe parajsa sociale tashmë janë mbyllur njëherë e përgjithmonë.  Ndaj njeriu është i “dënuar” që të jetë i lirë por të mos jetë i sigurt as brenda vetes, as në marrëdhniet me të tjerët dhe shoqërinë. Në këtë kontekst duket se ai është një qënie e “braktisur” nga siguritë biologjike dhe sociale, ndaj është në vështirësi të orientimit social nga që në jetën moderne për njeriun duket se nuk ka më “piketa orientuese”, që të garantojnë në mënyrë të sigurt “jetën lineare” të njeriut.

Njeriu i kohës sonë është një “qënie e lakuar” që vazhdimisht duhet të gjejë aftësi përshtatëse, që të dimensionohet dhe ridimensionohet vazhdimisht në përputhje me kohën, imperativat e jetës dhe kërkesat që vijnë në mënyrë kaotike dhe imperative nga “jashtë qënies” së tij. “Njeriu pa dimension” është bërë akoma më shumë “qënie dinamike”, për shkak se pikërisht tani ai ka pësuar edhe “humbjen e dytë” që është akoma më e madhe, “fatale” dhe me pasoja thelbësore për jetën e tij. Ndaj kur analizojmë shoqërinë tonë na duket se sjelljet e njeriut janë gjithnjë e më shumë kaotike, brovniane, jo normative.  Pikërisht sepse shoqëria moderne po i “heq” njeriut piketën e dytë të orientimit social, nga që vetë ajo është duke  humbur “sistemin e vlerave” orientuese dhe po ndryshon radikalisht “regjistrin e traditave” normative, që dikuar kanë qënë piketa të sigurta sociale për shoqërinë tonë, por edhe për të vlerësuar dhe orientuar sjelljen e njeriut në shoqëri. Njeriu në këtë situatë është në një “gjëndje të vështirë”, ndaj është i detyruar të lëvizë dhe të orientohet më shumë individualisht,  pa patur shumë nevojë për “busull sociale”. Sic thonë sociopsikologët e shoqërisë moderne, tani është imperative që të kuptohet koha dhe të vërtetat e reja të jetës së njeriut, për të cilin tashmë duket se nuk ka më piketa sociale dhe orientime të sigurta, sepse në kohën tonë  “…asnjë instikt nuk i thotë atij cfarë të bëjë dhe asnjë traditë nuk i tregon se çfarë duhet të bëjë”.

Kjo vështirësi ekzistenciale e njeriut është baza që në qënien e tij krijohet hapësirë e bollshme për  “vakum social”. Sepse atë nuk ka më forcë ta orientojë as biologjia dhe as vlerat morale të trashëguara të traditës. Kjo ka bërë që njerëzit në këtë “betejë përshtatëse” me kohën dhe modernitetin social të ndihen të çorientuar.  E vetmja mënyrë që njeriu gjen për të “mbijetuar” në këtë botë kaotike është zvogëlimi i dimensionit social deri në kufijtë kritikë të individualizmit.  Është koha ajo që dikton njeriun që të “largohet” nga determinimet e vjetra sociale, si kusht themelor i kohës modern për të qënë individualisht sa më i sukseshëm, duke qënë larg nga kufizimet e “kornizave të traditës”, nga “sistemi i vlerave” të ngurta. Në shoqërinë tonë kohët e fundit janë të qarta faktet sociale që tregojnë se vendin e dimensionit social po e zë aftësia e njeriut për t’u konformuar me kërkesat reale të “botës së jetës”. Kjo është arsyeja që e detyron njeriun të bëjë jo atë që i diktojnë të tjerët, qoftë edhe shoqëria, por atë që i diktojnë rrethanat, dhe padyshim edhe ligjet të cilat janë të detyruara të respektohen.  Pavarësisht se tek ne nuk janë bërë studime serioze për të parë dhe vlerësuar sociologjikisht përmasat e transformimit të natyrës së njeriut në “qënie pa dimension”, apo për të vlerësuar ndikimin që kanë “vakumet ekzistenciale” në orientimin e e jetës së njeriut tashmë të vështirësuar nga sfidat e jetës, është e sigurt se shifrat në shoqërinë tonë po bëhen të larta, të ndjeshme dhe me pasoja. Nganjëherë edhe mungesa e dimensionit tek njeriu bëhet dukuri patologjike mizantropike dhe tragjike. Ndaj shumë njerëz në këtë situatë humbasin kontrollin dhe aftësitë e administrimit të qënies së tyre, për pasojë bien në humnerën ekzistenciale. Këto janë “kosto të qytetërimit”…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here