Babale dhe Ramale!

0

Nga Poli Hoxha 
Ta marrim shtruar. Sepse trullia mbi opinion publik ka mbërritur, në kulm. Asgjë nuk po kuptohet qartë dhe gjithçka bie erë. Qeveria, opozita, media, tavolinat e kafeneve dhe divanët përpara TV-ve janë ngërthyer nga babalizmi.

Loading...

Jo nga Albert Veliu, ai vlonjati tipik i pas viteve 90-të; mesoburri i dërmuar në burgje që kujton me mburrje histori trafikantësh, droge e skafistësh përpara gotës së rakisë. Ai e bëri hakmarrjen e vetë ndaj shefit, që nuk i çoi një paketë cigare kur ra në burg në Itali.

Agronin e rilindur në Geron “ja dorëzoi” drejtësisë italiane dhe tani po shijon famën e vetë, kushedi në çfarë vrime në kampin e improvizuar të azilkërkuesve në Prishtinë. Qelinë që i ka bërë gati këtu Arta Marku me Edi Ramën e ka “bukë me djathë”, kur mendon se tashmë ai është “çështja më madhore” politike në Shqipëri.

Problemi është se shqiptarët janë lodhur nga kjo histori dhe ajo, duhet të ketë një fund sa më të shpejtë. Kapaku është ngritur, kutërbimi po mbyt mëngjeset dhe mbrëmjet e shqiptarëve, prandaj secili të marrë hakun. Kushdo të përgjigjet për pjesën e pronësisë që ka te bazeni i ujërave të zeza, që na është zbuluar poshtë këmbëve.

Pra ka ardhur koha që ta marrim shtruar, por me shumë zbërthim.

Babalja

Tashmë dihet historia e Albert Veliut, ose Babales së Vlorës. Dihet edhe shndërrimi në një kauzë politike, për të treguar lidhjet qeveri-krim që opozita i bëri përgjimit. Atij “kurthi” në dëshpërim e sipër të Babales, që me shumë dëshirë; për hakmarrje, për një shumë të majme në euro apo për të dyja bashkë, i bëri vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sot jemi në fazën kur politika, media dhe opinioni publik janë ndarë në dy kampe ekstremisht të kundërt. Në lojë është futur, edhe prokuroria. Hetimi, çështja shtrohet; a është e vërtetë ajo që na serviri Babalja nëpërmjet opozitës? A u përdor apo u ble për 200 mijë euro nga eksponentë të PD-së për të goditur nr. 2 të qeverisë Rama, Fatmir Xhafajn?

Por mbi të gjitha; a është e vërtetë që Agroni i shndërruar në biznesmenin Geron vazhdonte nga Vlora duke pasur në xhep “karta biankën” vëlla i ministrit të Brendshëm, avazin e vjetër të trafikut të drogës?

Fakt është, se për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve kemi dy hetime. Rilindja, gazetarët që janë vënë hapur në shërbim të saj dhe mbi të gjitha prokuroria, flasin vetëm për të parin; është i vërtetë audio-përgjimi i Babales me Afron Xhafajn apo jo?!

Për të dytin; pra veprimtarinë kriminale në vazhdim të vëllait të ministrit, asnjë informacion, sekret i plotë ose në rastin më të keq, pauzë totale deri sa ti vijë momenti për arkivim.

Dhe mirë bëjnë; nëse nxjerrin blof përgjimin, me një gur vrasin dy zogj. Ose tre, më saktë; Familja Xhafaj nuk po përdor pushtetin për të vazhduar veprimtarinë kriminale dhe opozita inskenon në mënyrë kriminale histori, me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Por mbi të gjitha kryeministrit Rama, për çdo “incident dhe aksident” që i nxjerr zbuluar njerëzit e tij si të lidhur me krimin, fajin ja ka opozita.

“Zogun e parë” dështuan pas 3 muajve tentativë që ta vrasin, me të vetmin gur efektiv; ekspertizën ndërkombëtare të zërave të dy protagonistëve. Italianët nuk e morën fare përsipër, kurse laboratori prestigjioz britanik e çoi çështjen sërish në pikën zero; zëri mund të jetë, por edhe mund të mos jetë i Agron Xhafajt!

Pas kësaj futën në lojë një dëshmitarë “të penduar”, Fredi Alizotin, (edhe ky një ish-trafikant e ish-burgaxhi që i kalon ditët i dëshpëruar përpara gotës së rakisë) i cili i mërzitur se nuk “morri pjesën” nga Babalja, u vetë-ofrua për të nxjerr blof përgjimin. Por çmontimin e blofit, Babale-Basha, nëprmjet Alizotit ua nxori blof vetë ky i fundit, nëpërmjet një përgjimi tjetër ku rrëfen në kushte mosdije për filmimin, të kundërtën e asaj që ka firmosur në prokurori.

Pavarësisht gjithë kësaj tollovie, prokuroria po ecën në mënyrë partizane përpara. Furnizon gazetarë “investigativë” të partizanizuar papritur, me foto e përgjime që nuk thonë asgjë për thelbin e hetimit. Ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në emisione televizive ku trajtohet çështja, duke mos pasur fare frikë, se kështu po bëhet palë…

Shqiptarët kërkojnë të dinë; ekziston apo jo në këtë histori elefanti dhe jo gjurmët psiko-paranojake që kanë lënë gjithandej Babalia, Alizoti apo qoftë, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, deputetët Salianji e Balla dhe gazetari Jetmir Olldashi.

Dhe ekzistenca ose jo e elefantit vërtetohet, vetëm nëse kemi një përgjigje shkencore përfundimtare për bisedën, Babale-Agron Xhafaj. Kjo mund të zgjidhet fare thjeshtë, nëse ka vullnet. Të caktohet një fond special; të pajtohet një prokuror i huaj për të asistuar grupin hetimor te Krimet e Rënda; të shkohet në Prishtinë dhe ti merret zëri origjinal Albert Veliut; pastaj në burgun e Romës të kryhet e njëjta procedurë me Agron Xhafajn dhe le të presim përgjigjen, nga kushdo laborator i certifikuar i huaj.

Çështja tashmë është kthyer në një betejë për “jetë a vdekje”, mes mazhorancës dhe opozitës. Është 100% politike dhe këtë e deklarojnë të dyja palët.

Dhe Ramalja

Po përse nuk i bën të gjitha këto prokuroria dhe përse Edi Rama nga ana tjetër ka krijuar një grup hetimor paralel, me paratë e taksapaguesve shqiptarë duke përfshirë, edhe ish agjentë amerikanë?!

Sepse Edi Ramës i duhet që telenovela “Babale”, të vazhdojë si një serial i ri nën okelion; “Ramale”.

Thelbin e shkakut, se përse kryeministri i ka vënë gjoksin në të gjitha mënyrat kësaj çështje e kuptojmë vetëm te një fjali, që tha përpara deputetëve të tij; Nëpërmjet “filmit Babale” është synuar, që të rrëzohet qeveria jonë!

Për herë të parë Rama shfaqet i frikësuar, se “i bie” qeveria. Nuk e ka thënë këtë as kur i doli një varg deputetësh e kryetarë bashkishë të lidhur me krimin, as për “Çështjen Tahiri” e as për skandali “Rrahja-Xhisiela”.

Shndërrimi i Babales në Ramale ka të bëjë, me vetë strukturën e Rilindjes. Ramalja duhet të mposhtë “Babalen”, me çdo çmim. Nuk ka rëndësi nëse ajo histori që u ka ngelur në derë është e vërtetë, apo jo. Përtej vërtetësisë së një bisede mes dy ish shokëve të një bande trafikantësh në Itali, të dënuar nga i njëjti hetim kemi një zinxhir shtetërorë, në çështjen e drogës në Shqipëri.

Kemi ministra të Brendshëm që janë bërë si kali i kuq në Bundestangun gjerman; kemi pastrim parash dhe pushkatim të ligjit Atimafia; kemi një kryeprokurore që të paktën është e kompleksuar nga mënyra si u “emërua” në atë post. Por mbi të gjitha u duhet një opozitë e ç`vleftësuar deri në ordinerizëm.

Ramalja është kthyer në një betejë finale nga Rama; për të shumëzuar me ZERO betejat e opozitës të certifikuara, edhe nga ndërkombëtarët. Ato që kanë nxjerrë sheshit planin e organizuar nga Rilindja për kanabizimi e vendit; kriminalizimin e parlamentit dhe gjithë administratës; simbiozën e qeverisë me “biznesin e madh” që pastron paratë e zeza të prodhuara këtu dhe që po hyjnë, edhe nga e gjithë bota.

Ekonominë e mbështetur në biznesmenë që i punojnë qindin monedhës Euro, duke e transformuar në beton e hekur ”; në koncesione që nisin me llogari 10 mijë euro e kopsiten në qindramilionëshe, për dekada të tëra…etj, etj.

Ky është thelbi i Babales, të kthyer në Ramale. Prandaj kjo histori nuk ka për tu mbyllur kurrë, edhe nëse del përgjimi i inskenuar.

PS: Ndërkohë që po i vihej pika, këtij shkrimi të gjatë erdhi një mesazh; Linja e Vlorës është transferuar në grykëderdhjen e Vjosës, në Seman. Skafet e “Babales” kanë orar të ri tani…nisja çdo ditë në orën 4.30 të mëngjesit, koha kur matanë, anijet e Guardia Di Financa bëjnë ndërrimin e turneve!

Loading...

Lini nje pergjigje