Akademia e Shkencave në zi për Fatos Arapin…

0
174

Ndahet nga jeta poeti Fatos Arapi.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me dhimbje në zemër se u nda nga jeta poeti Fatos Arapi, duke lënë në hidhërim familjen e tij, botën letrare, kulturore e shkencore, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, në Shqipëri, në Kosovë, kudo ku lexohet letërsia shqipe.

Fatos Arapi u lind në vitin 1930. Poet, prozator e eseist, Fatos Arapi është një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shek. XX, përfaqësues parësor i Brezit të viteve 1960, që modernizoi vjershërimin dhe mjetet e shprehjes letrare në përgjithësi.
Fatos Arapi i kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Sofjes (1949–1954). Ka punuar si gazetar, pedagog dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Nisi të shkruajë që në vitet e studimeve. Ka botuar vëllimet poetike: “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Ne, pikëllimi i dritave” (1995), “In tenebris” (1966), “Antologji personale” (2001).

Arapi solli një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike. U mbështet tek fryma e poezisë popullore dhe forca e saj përgjithësuese, duke iu larguar stilit narrativ, përshkrues. Tingëllim të veçantë në poezinë e tij kanë motivet kundër mendësisë burokratike dhe meskinitetit. Në disa nga krijimet, më të goditurat, ai evokon me nota himnike heroizmin e viteve të luftës antifashiste.

Poezinë e Fatos Arapit e dallon mendimi përgjithësues dhe forca e depërtimit në botën e individit dhe përsiatjet e tij subjektive. Me kalimin e viteve ajo është bërë më metaforike; përmes vargjeve eliptike dhe përmes simbolit e alegorisë, ajo synon të hyjë në nënshtresat e ndërgjegjes dhe në të fshehtat e shpirtit njerëzor.

Disa motive të poezisë së tij pasqyrojnë tragjizmin e jetës njerëzore, bëjnë fjalë për një horizont të mjegullt, brenda të cilit ndihen ankthe dhe pasiguri. Metonimia, simboli, detajet e goditura i japin forcë shprehëse kësaj poezie.

Vargu i Fatos Arapit është një gërshetim i vargut klasik me vargun me një ritëm të lirë, që fiton një tingëllim origjinal. Një vend të dukshëm në krijimtarinë e tij, krahas lirikave të shkurtra, zënë poemat “Alarme të përgjakura” (1966), “Drashovica” (1961) dhe “Antiburokratike” (1968). Ai ka lëvruar edhe novelën, si: “Patat e egra” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972), si dhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Shokët” (1977), “Deti në mes” (1977). Në prozën e tij ndihet një fillesë poetike dhe origjinalitet në kapjen e motiveve, ndonëse jo kurdoherë subjektet shtjellohen me shtrirje të gjerë.

Poezi të Fatos Arapit janë botuar edhe në gjuhë të huaja. Ai ka botuar gjithashtu studime dhe ese për probleme të folklorit (“Këngë të moçme shqiptare”, 1986), vështrime historike për Ballkanin, (“Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike”, 2001), për poezinë, si për Lasgush Poradecin etj. Është marrë edhe me përkthime nga Pablo Neruda, nga poezia bullgare, maqedonase, turke etj.

Fatos Arapi ishte gjithashtu veprimtar qytetar. Në vitet 1990 u angazhua si nismëtar i Komitetit të Pajtimit Kombëtar, që funksionoi pranë Akademisë së Shkencave, dhe kontribuoi për hartimin e “Strategjisë së çështjes shqiptare”, në procesin e diskutimit.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta familjes dhe të afërmve, bashkësisë së shkrimtarëve dhe studiuesve, lexuesve të shumtë të veprës së Fatos Arapit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here