Shfryhet “parajsa ekonomike” që e shohin vetëm kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj…

0
386

Në një kohë që veshët e njerëzve po shurdhohen nga “bëmat” e qeverisë në fushën ekonomike e financiare, me “suksese të padëgjuara” në fushën e marrjes së borxheve të reja dhe mburrje për investime të qeverive të mëparshme, faktet flasin ndryshe: Treguesi i besimit në ekonomi ka thelluar rënien në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë raportoi dje se Treguesi i Besimit në Ekonomi (TNE) rezultoi në vlerën 102.1, duke shënuar një rënie me 4.0 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve. Me gjithë këtë zhvendosje, TNE vazhdon të qëndrojë mbi mesataren e tij afatgjatë.

Industria

Treguesi i besimit në industri (TBI) rezultoi 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet 6.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij .Rritja me 6.1 pikë përqindje e balancës së inventarëve ndikoi në rënien e TBI-së. Ndërkohë, dy komponentët e tjerë formues të treguesit, prodhimi dhe kontratat porositëse, u rritën me përkatësisht 4.6 dhe 1.1 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera si gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e prodhimit rezultuan të përmirësuara. Në të kundërt, balancat e kontratave porositëse nga eksportet dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm vijuan të bien në tremujorin në analizë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

 

Ndërtimi

Edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij . Dinamika rënëse e TBN-së në këtë tremujor u përcaktua nga rënia e balancës së aktivitetit ndërtues, me 6.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e treguesit, kontratat porositëse, u rrit me 2.3 pikë përqindje. Edhe balancat e punësimit dhe të pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rritje në tremujorin në analizë. Lehtësisht me rënie rezultuan balanca e gjendjes financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.2 në terma tremujorë dhe me 2.0 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Shërbimet

Po kështu, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me përkatësisht 3.2 pikë përqindje. Megjithatë, treguesi qëndron rreth 4.8 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Niveli më i ulët i TBSH-së u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht: 4.2 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe 2.2 pikë përqindje balanca e kërkesës. Rënie shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi gjithashtu rritje, me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe me 2.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë, rreth 75.9%, qëndron 5.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi gjithashtu të bjerë gjatë tremujorit të tretë. Rënia e TBT-së me 5.3 pikë përqindje e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij (Grafik 5). Kjo dinamikë tremujore e TBT-së u përcaktua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, me 8.4 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 2.2 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 71.2%, duke qenë rreth 0.7 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë. Megjithatë, kjo normë ra me 1.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke mbetur 4.9 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.

Konsumatorët

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka qenë gjithashtu në rënie, por e zbuti dinamikën rënëse gjatë tremujorit të tretë. Treguesi ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij (Grafik 6). Rënia e TBK-së pasqyroi kryesisht rënien e balancës së blerjeve të mëdha, me 5.4 pikë përqindje. Treguesi u ndikua në kahun rënës edhe nga balanca e situatës financiare të pritur të familjes, e cila rezultoi lehtësisht më e ulët, me rreth 0.1 pikë përqindje, se vlera e një tremujori më parë. Ndërkohë, dy komponentët e tjerë përbërës të TBK-së, balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve dhe situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend u rritën me përkatësisht 2.3 dhe 0.4 pikë përqindje.

 

Familjet

Shpenzimet e familjeve shqiptare u rriten me ritme më të shpejta se të ardhurat na pjesën e parë të vitit 2018. Trendi i buxheteve familjeve u zbardh nga Banka e Shqipërisë një anketë të posaçme për gjendjen financiare në 1140 njësi familjare. Banka e Shqipërisë vërejti se niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve është rritur gjatë periudhës së vrojtuar, por rritja e shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare (të ardhura – shpenzime) të familjeve (shih grafikun e mëposhtëm).

Në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës, pjesa më e madhe (rreth 50% e të përgjigjurve) vijojnë të deklarojnë shpenzime mujore në nivelin ’20-50 mijë lekë’, dhe kjo peshë nuk ka ndryshuar krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por është rritur me 2 pp krahasuar me një vit më parë.

 

Nga ana tjetër, pesha e familjeve që deklarojnë shpenzime në nivele të larta (mbi 50 mijë lekë në muaj) ka vijuar të rritet, si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, ndërkohë që vihet re tendenca e kundërt në rastin e dy grupeve më të ulëta të shpenzimeve. Në përgjithësi, struktura e shpërndarjes së familjeve sipas nivelit të shpenzimeve është zhvendosur drejt një niveli më të lartë shpenzimesh mujore. Banka e Shqipërisë vërejti se indeksi i të ardhurave dhe indeksi i shpenzimeve kanë shënuar rritje gjatë 6-mujorit të parë, por rritja e indeksit të shpenzimeve ka qenë më e theksuar, duke rezultuar në një përkeqësim të balancës midis të ardhurave dhe shpenzime të familjeve.

 

Numri i familjeve që kanë deklaruar dhe burime të tjera të qëndrueshme të ardhurash (si qira, interesa bankare etj.) ka rënë në 10% të të përgjigjurve ose 112 familje. Në këtë grup, rreth 61% deklarojnë si burime alternative të ardhurash ‘interesat bankare nga kursimet’ dhe 31% deklarojnë të ardhura nga qiradhënia e pronave. Pjesa tjetër e familjeve deklarojnë kombinim të të dyjave ose burime të tjera të ardhurash. Euroizimi i të ardhurave të familjeve shqiptare vijon të mbetet i ulët, ku vetëm 14% e të përgjigjurve (161 familje në 1140 familje të përgjigjura) deklarojnë se kanë të ardhura në valutë (kryesisht në euro), në raporte të ndryshme ndaj totalit të të ardhurave mujore . Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar në tre vrojtimet e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here