Pse oferta e Beogradit rrezikon sigurinë kombëtare?

0
216

Telefonia celulare, përgjimet e kriminelëve në duar të qeverisë serbe?!

Ervin Kaduku

Ditët e fundit ka zënë vend nëpër media njoftimi se Telekom Serbija është i interesuar, në mënyrë të papritur, për të blerë kompaninë historike të telefonisë celulare në Shqipëri. Çfarë fshihet pas kësaj?    Fakti është se Telekom Albania (ish- AMC) tashmë është nxjerrë në shitje nga Deutsche Telekom, pronarja e saj, ndërkohë që në garë, përveç Telekom Srbija, që e ka konfirmuar edhe zyrtarisht ofertën e saj, janë të paktën edhe dy kompani të tjera: bullgarja “Vivacom” dhe kompania çeke “PPF”. “Telekom Srbija” është e pranishme në tregun boshnjak, malazez dhe atë austriak, përveç Serbisë. Kompania në fjalë është më e madhja në sektor në Serbi, si dhe më e madhja për ofrimin e shërbimit të internetit. “Telekom Srbija” ka 1 miliard dollarë të ardhura në 2017 dhe 124 milionë euro fitime neto.

Ofertat

Por, në ekstraktin historik të siguruar pranë qendrës serbe të biznesit, thuhet se aksionerja kryesore e kompanisë është qeveria serbe, me 58% të aksioneve, ndërkohë që 15% të aksioneve e kanë qytetarët e Serbisë dhe rreth 7% punonjësit dhe ish-punonjësit. Kompania tjetër në garë është bullgarja e “Vivacom”, që është kompania më e madhe e telekomunikacionit në Bullgari, si në drejtim të telefonisë celulare ashtu edhe në drejtim të shërbimit të internetit, duke zënë mbi 80% të tregut. Edhe kjo është një kompani e drejtuar nga shteti. Të ardhurat e “Vivacom” në vit janë sa gjysma e atyre të “Telekom Srbija”.

 

Qeveria

Qeveria shqiptare duket se nuk do të ndalojë shitjen e Telekom Albania tek serbët, nën pretendimin se nuk ka fuqi ligjore për ta ndalur këtë transaksion. Drejtuesit e Telekom Serbija kanë mbërritur të mërkurën në Tiranë, për të kërkuar nga qeveria shqiptare autorizimin për blerjen e Telekom Albania. Drejtuesit e saj kanë takuar këtë të mërkurë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar nga qeveria shqiptare pëlqimin për blerjen e Telekomit. Vetë qeveria pretendon se nuk mund të ndalojë dot blerjen e Telekom Albania nga telekomi serb, nëse dy kompanitë do të arrinin marrëveshjen. Sipas saj, shteti shqiptar aktualisht nuk ka asnjë të drejtë pronësie mbi Telekom Albania dhe nuk ka asnjë rol në transaksionet financiare mes dy kompanive private. Ndërkohë sipas mediave serbe, Telekom Serbija ka bërë ofertën më të lartë për blerjen e Telekom Albanias, duke ofruar 60 milionë euro.

Kjo shifër e bën Telekomin serb favoritin kryesor për të blerë Telekom Albania, një situatë që nuk do ta kishte parashikuar askush.

 

 

 

Institucionet

I vetmi rol rregullator i institucioneve shqiptare është përmes Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që bën transferimin e licencave në rast ndryshimi pronësie ashtu sikurse edhe Autoriteti i Konkurrencës që kontrollon kushtet e veprimit në treg mbi parimet dhe rregullat e konkurrencës. Por burime nga qeveria thonë se ka shumë pak gjasa që këto dy mekanizma të kenë hapësira ligjore për të ndërhyrë në një transaksion privat mes dy operatorësh që kanë eksperiencë dhe vite operimi në këtë fushë.

 

Siguria kombëtare

Pra, qeveria Rama, pas lëshimeve të jashtëzakonshme që i ka bërë Beogradit, si asnjë Ekzekutiv tjetër në historinë 30-vjeçare të epokës post-komuniste, ka vendosur të japë të drejtën e kontrollit të një pjese të mirë të telefonatave brenda dhe jashtë vendit, që kryhen nëpërmjet kompanisë së dytë më të madhe të telefonisë celulare që operon në Shqipëri, në duar të Beogradit, armikut më të madh, jo vetëm të shtetit shqiptar, por të gjithë kombit shqiptar. Duket qartë se kjo është një nga pasojat e takimeve të shpeshta të Edi Ramës me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, pas të cilave madje po diskutohet me Kosovën edhe për ndryshimin e kufijve mes dy vendeve. Ndërkohë që Tirana zyrtare ka heshtur.

Fakt është se kompanitë celulare janë një nga pikat më të forta të luftës kundër krimit të organizuar, në rast se qeveria e një vendi është e vendosur ta luftojë atë. Kjo, pasi, sikurse opinioni publik e ka vënë re më se një herë, gjykatat, prokuroria dhe policia e shtetit, përveç Shërbimit Informativ Shtetëror, kërkojnë vazhdimisht të dhënat lidhur me tabulatet e telefonatave të bëra, ku do të provoheshin lidhjet mes kriminelëve, por edhe terroristëve ndërkombëtarë që janë të pranishëm në vendin tonë.

Nuk është rastësi që serbët po kërkojnë të kontrollojnë edhe këto tabulate. Dhe nuk është rastësi që Edi Rama dhe qeveria e tij po bëhen gati t’ua japin këtë të drejtë armiqve më të egër tradicionalë të shqiptarëve, që komplotojnë kundër Shqipërisë, po aq sa edhe kundër Kosovës.

Nuk e dimë ende se ç’qendrim do të mbajnë në këtë situatë aleatët e mëdhenj të vendit tonë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, por, në kushtet kur ndërhyrja ruse e serbe bëri që të dështojë hapi i parë drejt aderimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, pas pjesëmarrjes shumë të vakët në referendumin e organizuar për kata qëllim, çdo lëvizje e serbëve në drejtim të sektorëve strategjikë në Shqipëri duhet të konsiderohet shumë e rrezikshme. Jo vetëm kaq.

Qeveria Rama po joshet, ndërkohë që po përjeton vështirësi të jashtëzakonshme që të përballojë shpenzimet e fryra për qejfe e për turizëm të qeveritarëve, të futë në këta sektorë stratëegjikë ëdhe investitorë nga Turqia, Rusia, Kina, etj. Me pak fjalë, të gjithë ata që Perëndimin e kanë armik dhe përpiqen me të gjitha rrugët e mënyrat që ta bllokojnë dhe zëvendësojnë nëpër vende të tjera evropiane. Është e vërtetë që Telekom Albania është një ndërmarrje private. Po aq e vërtetë është që qeveria e një vendi ka të drejtën të vendosë veton që një sektor shumë stratëgjik si ai i komunikimeve telefonike celulare të mos kalojë në duar të atyre që stabilitetin dhe qetësinë në këtë vend nuk e kanë dashur asnjëherë. Madje, kanë komplotuar në shekuj që ky shtet dhe kombi shqiptar të asimilohet dhe të zhduket nga faqja e dheut. Megjithatë, Rama duket i vendosur të sabotojë realisht sigurinë kombëtare për interesat e tij të mbrapshta.

Bllokimi

Në këtë pikë, Presidenti i Republikës, në rolin e tij kushtetues të garantit të sigurisë kombëtare, mbetet barrikada e fundit që të ndalë që në embrion këto allishverishe të mbrapshta dhe me pasoja shumë të rënda. Institucionet rregullatore si AKEP dhe Autoriteti i Konkurrences nuk duhet të nguten në çertifikimin e transaksionit, e për më tepër, duhet të provokojnë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që drejtohet nga Presidenti i Republikës, për të analizuar rastin e për të dhënë opinionin apo qendrimin zyrtar përkatës për të. Trajtimi me dy standarde i biznesit të huaj nga ana e Ekzekutivit, që, nga njera anë, lejon hyrjen e kompanive “off-shore” edhe në sektorë të tillë siç janë bankat dhe nxjerrja e naftës duke shfrytëzuar barbarisht resurset e vendit, duke refuzuar procedurat standard të vlerësimit strategjik në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, këtë herë duhet të ndalohet rreptësisht!

 

Box

Lajmi në media: Qeveria e ka refuzuar ofertën serbe!

Në media dje pasdite qarkulloi një informacion sipas të cilit Qeveria shqiptare nuk e ka mirëpitur ofertën e kompanisë serbe “Telekom Serbia” për të blerë kompaninë shqiptare “Telekom Albania”. Burimet sipas mediave elektronike në vend bënin me dije se drejtues të lartë të kompanisë serbe janë takuar me përfaqësues të ministrisë së Transporteve. Gjatë këtij takimi drejtuesve të “Telekom Serbia” i është bërë i ditur edhe qëndrimi i palës shqiptare se nuk janë të mirëpritur për tu bërë pjesë e tregut të telefonisë mobile edhe pse investimet serbe janë të rëndësishme për Shqipërinë. “Ardhja e kompanisë Telekom Serbia në Shqipëri nuk është e mirëpritur. Edhe pse vendimi është midis kompanive, përfshirja e Telekom Serbia në tregun e telefonisë celulare mund të sjellë reagime që mund të ndikojnë negativisht edhe për vetë kompaninë. Ne jemi të gatshëm të presim investimet serbe në vend, por për këtë sektor preferojmë një investitor me një tjetër profil.”.

 

=====

 

Koncesioni i kontrollit të karburantëve, vjen ankesa e parë

 

Ka ardhur ankesa e parë zyrtare depozituar pranë institucioneve për koncesionin ende në tenderim, që ka në objekt kalimin tek privati të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve. Bëhet fjalë për ankesën paraqitur pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga Penzoil Trading SA lidhur me procedurën shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për kontrollin ligjor te instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit te instrumenteve shpërndarëse te karburantit dhe gazit te lëngshëm te naftës (GLN). Kompania që ka depozituar ankimin e saj në datë 28 shtator sipas faqes së saj zyrtare në internet raporton se është një shoqëri me qendër në Zvicër dhe ka në aktivitet tregtimin e naftës dhe derivateve të tjera të saj si dhe transportin. Përgjithësisht kur procedurat e prokurimit janë në fazë zhvillimi ankimimet bëhen nga ofertuesit potencialë të cilët për arsye nga më të ndryshmet mendojnë që ka diçka që nuk shkon siç mund të jenë kriteret përjashtuese por jo vetëm.

“Pasi mësuam për këtë koncesion përmes faqes së Agjencisë së Përgjithshme të Prokurimeve në Shqipëri dhe duke pasur parasysh që ne bashkëpunojmë me kompani ndërkombëtare në këtë sektor kemi shprehur interesin tonë për të marrë pjesë në këtë procedurë. Gjithsesi, kur shqyrtuam dokumentacionin dhe kushtet për tenderin pamë që ato shfaqnin diskriminim për kompanitë e interesuara sidomos për ato ndërkombëtare. Në bazë të kësaj kërkuam që autoritetet kompetente (Komisioni i Prokurimit Publik) të vendoste tenderin në baza më të barabarta. Druhemi se s’mund të japim detaje të tjera për momentin pasi kërkesa jonë është nën vlerësim nga autoritetet kompetente” thuhet në deklaratën e Penzoil Trading SA. Referuar rregullores lidhur me ankesat që mund të bëhen pranë Komisionit të Prokurimit Publik për koncesionet thuhet se çdo ofertues mund të kërkojë rishikimin administrativ, nëse çmon se një veprim i ndërmarrë nga autoriteti kontraktues ose Agjencia e Prokurimit Publik është në kundërshtim me parashikimet e legjislacionit në fuqi për procedurat e koncesionit, ndaj: a) procedurave të koncesionit; b) vendimit për përjashtimin nga këto procedura.

Pas regjistrimit të ankesës dhe caktimit të relatorit shihen fillimisht kushtet formale. “Komisioni shqyrton paraprakisht dhe merr vendim brenda 7 ditëve edhe për pezullimin ose jo të procedurave të koncesionit, si dhe për fillimin e procedurave të hetimit administrativ. Lidhur me këto çështje relatori paraqet mendim me shkrim pranë Komisionit” thuhet në rregullore. Ankesa e Penzoil duket se vjen nga kahu tjetër i atyre që kanë shoqëruar këtë koncesion dhe që lidhet me tregtarët e karburanteve. Këta të fundit shprehen shqetësimin për koncesionin ende në procedurë prokurimi  duke argumentuar se ai bie ndesh me ligjin nga njëra anë dhe se mënyra sesi është bërë pikëzimi nuk favorizon ata që do të ofrojnë çmim më të ulët për shërbimin pasi ky kriter nuk është përfshirë.

 

====

 

Familjet shqiptare, blerje me listë në dyqane

 

Përgjatë vitit 2017, familjet shqiptare shpenzuan më shumë për pagesat e ujit, energjisë elektrike apo pagesat e qirasë, në raport me një vit më parë. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, publikuar nga Instituti i Statistikave, grupi i shpenzimeve për banesën kap një vlerë mesatare mujore prej 7.998 lekësh dhe përbën 10.9% të totalit të buxhetit familjar. Ndërkohë që, një vit më parë shpenzimet për këtë grup arrinin në 7.477 lekë, duke përbërë 10.2% të totalit të buxhetit familjar. Kjo do të thotë se shqiptarët kanë harxhuar 0.7% më shumë të buxhetit të tyre për të paguar faturat e ujit, energjisë elektrike apo qirasë. Faktorët që mund të kenë ndikuar në këtë rritje lidhen kryesisht me rritjen e çmimit të ujit në disa qytete të vendit, por edhe me çmimin e qirave. Në bazë të vendimeve të Entit Rregullator të Ujit tarifa të rritura për ujin u aplikuan në disa prej qyteteve në vend, sikurse 21% e familjeve shqiptare blejnë artikuj konsumi me listë në dyqane. Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, blerja e mallrave me pagesë të vonuar nga dyqanet është një zërat kryesorë të borxhit të familjeve shqiptare. Gjithsej, familjet që kishin një hua për të paguar në gjysmën e parë të këtij viti përbënin 28% të totalit të familjeve të anketuara, peshë kjo e njëjtë me vitin e kaluar.

Qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve janë blerja apo riparimi i pronave, zhvillimi i biznesit dhe konsumi. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ngarkesa me borxh është e përballueshme. Për 77% të familjeve kësti mujor i huasë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore. Raporti prej 30% mes këstit të kredisë dhe të ardhurave është afërsisht kufiri që përdoret nga bankat në përcaktimin e aftësisë paguese të familjeve për të marrë kredi.

Duket se familjet shqiptare nuk kanë ndonjë prirje për të rritur huamarrjen, pavarësisht se statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme të kredisë për individë. 62% e familjeve kanë deklaruar se nuk parashikojnë të marrin hua gjatë pjesës së mbetur të këtij viti. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë është kryer mbi një kampion rastësor prej 1.210 familjesh, ku rreth 56% jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here