Dhunokracia!

0
336

Nga Gëzim Saliu

Në Shqipëri jetojmë, çfarë pret?! Kjo është ndoshta ndër frazat më të sinqerta e njëkohësisht më dëshpëruese për realitetin tonë, duke vërtetuar rënien e frikshme të besimit të qytetarëve tek shteti, drejtësia, institucionet dhe padyshim tek e ardhmja në vend. Dhe më trishtuese kjo situatë bëhet kur dhuna, krimi e oligarkia marrin timonin e pushtetit, sic po ndodh tek ne, për të drejtuar “makinën” e Shqipërisë në skuta gjithnjë e më të errëta. Dy ngjarjet e fundit që po trondisin opinionin publik, janë një arsye më shumë për të folur për atë që me dhimbje cilësohet prej vitesh si “Shqipëria e pajetueshme”. Ngjarja e Xhisiela Malokut së bashku me rrëfimin e saj dhe dhuna policore ndaj fëmijëve në Mengël, përbëjnë dy akte të një drame shqiptare që jetohet në një shtet që pretendon të anëtarësohet në BE! Por ti marrim me rradhë…

Intervistat e Xhisiela Malokut në dy televizione kryesore kombëtare, ku mohoi dhunën e ushtruar ndaj saj dhe foli për kallëzim të rremë, hapën debate të mëdha mes perceptuesve të rrëfimit të vajzës 24-vjeçare. Shumëkush foli për intimidim të Xhisielës dhe detyrim të saj për të mbështetur një version të mbushur me të pavërteta. Mes këtij grupimi ishin të përfshirë edhe ekspertë të fushës si psikologë e sociologë që janë marrë gjatë në karrierën e tyre me raste të dhunës ndaj grave. Dikush tjetër thërriti me forcë për mbrojtjen e viktimave të dhunës, duke akuzuar dy mediat për përfitime momentale në kurriz të një vajze që ka në kurriz të saj dhunën e ndoshta përdhunimin. Në parantezë theksoj dallimin e qartë mes dy intervistave , ku në njërën intervistë pamë qartazi përmes xhestikulacioneve e pyetjeve të spikatura përtej Xhisielës së shfaqur e ndërsa tek tjetra, thjesht një rrëfim sic duhej paraqitur. Padyshim e drejta e mbrojtjes së viktimave të dhunës është e panegociueshme, ku mbetet parësore edhe kujdesi ndaj traumave të mëtejshme emocionale që mund të shfaqen gjatë ose pas intervistës, pais rikujtohen përvojat e dhimbshme. E gjitha kjo qëndron! Por nga ana tjetër duhet nënvizuar fort se njëra prej intervistave na bëri të zbulojmë të vërtetat e pathëna nga goja e Xhisielës, por të përcjella në publik me mijëra forma të tjera. Gjestet, lëvizjet e mimikës, frymëmarrja, e në fakt e gjithë gjuha trupore e Xhisielës në intervistën e dhënë në “Open” në TCH vërtetonin qartazi kundërshtinë me ato çfarë ajo artikulonte si një faqe libri të mësuar përmendësh. Frazat e tipit , “digjeshim me cigare kur ziheshim” ; “ dhashë dëshmi të rreme për dhunë vetëm prej xhelozisë ” apo “shenjat në trup i kam nga një aksident ” krijuan një tjetër mozaik të ngjarjes nga ai që ishte paraqitur me shumë “mund” ditë më parë në intervistën e dhënë nga Xhisiela në reporttv.

Ndërkohë sot në fshatin Mengël të Elbasanit, është konsumuar një akt që bie ndesh me cdo normë e standard të shtetit ligjor e demorkatike. Gjatë protestës së banorëve të zonës dhe fëmijëve për të kërkuar shkollë në fshatin e tyre, policia ka përdorur forcën për të larguar protestuesit që kishin zënë rrugën, duke mos kursyer as të miturit. Të qarat e fëmijës live në media duke pohuar se e kishte goditur policia janë një këmbanë alarmi për gjithë vendin. Shkuan deri këtu?! A janë normal këta pushtetarë? Përdorin forcat speciale për të shuar një protestë që zhvillohet për një ndër të drejtat më elementare, atë të edukimit!

Po cili është faji i këtyre fëmijëve që dhunohen? Pse po kërkojnë shkollë në vendin ku jetojnë? Po mirë mo, po kjo ministria e qeveria që bëjnë show çdo ditë me arritjet e mëdha në sistemin arsimor nuk e gjetën kohën e fondet përkatëse për rikonstruksionin e shkollës kur fëmijët ishin në pushime verore? Apo sa të bëhej tenderi e të çimentoheshin hallet e përqindjes, do kohë puna dhe zgjidhja më e shpejtë është dërgimi i fëmijëve 5 kilometra larg nga vendi ku jetojnë për ta zhvilluar shkollën në Elbasan? Po për shpenzimet e këtyre familjarëve a mendojnë këta? Me çfarë ta çojë e ta marrë fëmijën ai prind në Mengël, që pak halle ka në krye, e tani do duhet të heqë diçka nga buka e gojës për t’ja dhënë urbanit apo taksive për transportin nga Elbasani?

Që nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti në shkollë ka kaluar jo pak kohë dhe nisur nga kjo mundësitë ishin të gjitha që ambienti të rikonstruktohej e fëmijët të nisnin vitin në shkollën e tyre. Por jo, qeveritarët tanë, që e kanë ulur prapanicën rehatshëm në kolltuqet me lëkurë, në zyrat me kondicionerë e plot luks, gjejnë zgjidhjen më të rehatshme për ta e më dëshpëruese për banorët e zonës. Apo mos ndoshta edhe këtë herë nuk janë të mjaftueshme fondet si tek çështja e Teatrit Kombëtar? Apo kot lodhemi me këtë diskutim, pasi dihet që halli më i madh në këtë mes është “hisja” dhe ajo në këtë rast nuk është ndarë ende si duhet mes pjesëmarrësve më tender. Dhe për këtë duhet të vuajnë e shpenzojnë qytetarët? Dhe për këtë duhet të dhunohen fëmijët? Ky pushtet po kthehet në një aparat dhune për popullin, duke amnistuar haptazi dhunuesit e oligarkët. Deri këtu nuk duhej shkuar, është e tepërt!

@standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here