Standard.al

Dhuna ndaj banorëve të Elbasanit/ Mehmetaj: Pushteti i përqëndruar në duart e bandave dhe të krimit

0

Deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj ne nje interviste per Fax News ka folur per perplasjen mes policise dhe banoreve te zones se Mengelit te Elbasanit. Mehmetaj theksoi se e keqardhur se si çdo ditë ne po bëhemi dëshmitarë të faktit se si pushteti i përqendruar në dorën e një njeriu, dhe prej tij në duart e bandave dhe të krimit, kthehet në dhunues të qytetarëve të tij.

Intervista e deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj, për ‘Fax News’ 

Znj. Mehmetaj, a e keni ndjekur atë që ka ndodhur sot në Mengël të Elbasanit, ku ka pasur përplasje mes policisë dhe banorëve të zonës, të cilët bllokuan aksin Elbasan – Librazhd?

Po, e kam ndjekur. Në fakt ndihem shumë e keqardhur se si çdo ditë ne po bëhemi dëshmitarë të faktit se si pushteti i përqendruar në dorën e një njeriu, dhe prej tij në duart e bandave dhe të krimit, kthehet në dhunues të qytetarëve të tij. Dhe jo thjesht në dhunues të qytetarëve, por dhunues të fëmijëve, që aty janë duke kërkuar të drejtën e tyre për t’u shkolluar pranë shtëpisë së tyre në një periudhë kur reshjet dhe dimri po afron dhe për fëmijët e vegjël nuk është aspak komode për të udhëtuar me orë të tëra për të ndjekur shkollën. Pavarësisht arsyeve, motiveve apo sa e drejtë apo e padrejtë mund të jetë protesta e tyre, është në të drejtën e çdo qytetari që të protestojë, është në të drejtën e çdo fëmijë që të protestojë dhe pse ata ngrenë zërin kundrejt asaj që atyre u duket padrejtësi, shteti shkon dhe i dhunon. Dhe kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. Ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë se si shteti dhunon një vajzë të re. Jemi bërë dëshmitarë të mënyrës se si shteti po dhunon çdo ditë qytetarët. Tani po bëhemi dëshmitarë edhe të një shteti që po dhunon fëmijët.

Ndërhyrja e policisë dhe forcave speciale ka qenë për të zhbllokuar rrugën, pasi radhët janë kilometrike…

Pavarësisht provokimeve, pavarësisht motivit, në asnjë rast Policia e Shtetit nuk duhet të humbë toruan dhe të dhunojë qytetarët, e aq më pak fëmijët. Ata janë të pambrojtur. Imagjinoni një fëmijët vogël përballë një trupmadhi të policisë, që për ata janë të frikshëm që në ide, dhe jo më kur e ka përballë. Ka mjaft mënyra, jo thjesht policia e shtetit, por edhe shteti dhe institucionet përgjegjëse që të gjejnë rrugët e komunikimit, të përpiqen të gjejnë zgjidhje për kërkesat e qytetarëve për të mos shkuar as në pikën ku rruga të rrijë e bllokuar, por as edhe në atë pikë sa të dhunohen fëmijët. Ndërhyrja me forcë e policisë së shtetit nuk ka asnjë justifikim. E përsëris, pavarësisht situatës së krijuar aty, fakti që aty kishte fëmijë të vegjël, policia e shtetit nuk mund të jetë e dhunshme. Megjithatë çfarë mund të themi ne më për këtë polici shteti, çfarë mund të themi për një shtet që ka rënë. Arrestohen ata që protestojnë, dhunohen ata që protestojnë. Vajza e djem të ri, nëna dhe gra, kanë mbushur rajonet e policisë. Dhunon policia protestuesit në Fier, në Jalë. Dhunon policia minatorët që protestojnë përpara kryeministrisë dhe policia nuk merr asnjë masë përballë një dhunuesi të vërtetë si ai që kemi ndjekur përditë. Ja në këtë shtet po jetojmë ne.

A kanë kërkuar këta banorë mbështetje edhe nga LSI-a? Pasi rikujtojmë këtu faktin që edhe kryetarja e LSI-së, znj. Kryemadhi, është deputete e këtij qarku…

Banorët kanë kërkuar përkrahje jo thjesht nga politika apo nga pozicionet që ne kemi, por nga çdo qytetar që e ndjen shqetësimin e tyre. Dhe padyshim që, ne si politikë, pavarësisht kërkesës ose jo të qytetarëve, jemi krah tyre, sepse kjo është detyra jonë parësore si klasë politike. Ajo që duhet të bëjmë ne është që tani duhet të ngrihemi për të mbrojtur ata banorë. Shyqyr që kemi dijedashës, shyqyr që ata prindër duan t’i shkollojnë dhe arsimojnë fëmijët e tyre, tani kemi një shtet që i lë edhe pa shkollë, por edhe i dhunon.

Në çfarë kushtesh është realisht shkolla e Mengëlit, pasi kemi dy qëndrime, nga njëra anë prindërit që duan të çojnë fëmijët e tyre në shkollë dhe nga ana tjetër bashkia, e cila thotë se shkolla nuk ofron sigurinë dhe kushtet optimale për të vijuar një proces të rregullt arsimor…

Çdo vit, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me bashkitë përkatëse kanë për detyrë të ndërtojnë një raport për gjendjen e shkollave, përpara se ato të hapen. Pra, cilat janë kushtet e godinës, kushtet higjienike, siguria e nxënësve e kështu me radhë. Në rastin në fjalë, nuk ka dalë tani në raportin e ministrisë, por ka të paktën 5 apo 6 vite që është në raport si një nga shkollat që ka nevojë për ndërhyrje, sepse kushtet e saj nuk janë të mira. Dhe nuk është vetëm kjo shkollë, por janë edhe shumë shkolla të tjera anembanë Shqipërisë. Në vend që Ministria të ndërhynte në periudhën e verës kur fëmijët ishin pushim, arrijmë sot që në tetor, pasi ka filluar viti i ri shkollor, t’i nxjerrin fëmijët nga shkolla, t’i dërgojnë një orë larg në këmbë në një shkollë tjetër duke mos i interesuar aspak se është shi, se është ftohtë. Raste si ky janë shumë në të gjithë vendin, ku prindërit ngrihen dhe protestojnë pikërisht për arsyen se fëmijët e tyre duhet të udhëtojnë me orë të tëra për t’u shkolluar.

Banorët thonë që favorizohet një subjekt privat, i cili ofron transportin për në shkollën e Elbasanit, ku është përcaktuar të studiojnë 300 nxënësit e shkollës së Mengëlit. A keni ju dijeni për ndonjë favorizim të subjekteve private apo personave që ofrojnë furgonë për t’i transportuar këta nxënës?

Që padyshim ka një favorizim, kjo është e padiskutueshme, nisur edhe nga fakti që Ministria e Arsimit, institucionet përkatëse të saj, ka në detyrim edhe transportin e fëmijëve në rastet kur shkolla ndodhet larg vendbanimit. Pra, transportin duhet ta ofrojë falas ministria kur shkolla ndodhet larg vendeve të banimit të fëmijëve. Dhe jo më të jetë një subjekt i caktuar privat, që kundrejt pagesës t’u përcaktohet prindërve. Pavarësisht mendimeve dhe opinioneve, është një situatë e përgjithshme që është e ngjashme edhe me zona të tjera. Më e keqja e gjithë kësaj situate, është që, pse këto prindër dhe fëmijë protestojnë, shteti i dhunon.

Ju jeni pjesë e Komisionit të Medias. A keni një plan t’i bëni një kërkesë ministres Nikolla për këtë çështje?

Ky është viti im i pestë si deputete dhe çështjet ku unë jam fokusuar më së shumti dhe ku kam ngritur zërin kanë qenë pikërisht çështjet e arsimit dhe kjo që po ndodh sot është ajo që e kemi thënë prej kohësh tashmë. Madje këto çështje i kam ngritur edhe gjatë kohës kur LSI-a ishte në një koalicion qeverisës me Partinë Socialiste. Vitin e kaluar kemi ngritur shqetësimin e shkollave anembanë vendi, të cilat janë në gjendje të mjerueshme, fëmijëve nuk u ofrohet transporti, fëmijëve nuk u ofrohet ndihma e nevojshme për të bërë të mundur shkollimin e fëmijëve të tyre. E gjithë kjo situatë është krijuar pasi arsimi është lënë në një gjendje të mjerë. Është lënë në gjendje të mirë me dashje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.