Krahasimi i dy deklaratave në dy muaj, ja si del bllof policia…

0
168

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sonte në mbrëmje në studion e emisionit “Fakt” në SYRI.net se,policia po gënjen duke thënë se në Postën e Fushë Krujës nuk ka qenë nënkomisari Emiljano Nuhu.

“Kam dy komunikata e policisë ku bien vetë brenda oficerët ku kanë qenë Gentiani bashkë me Emilianon, ndërsa tani ka qenë vetëm Gentian Çitozi”, u shpreh sonte Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha, ishte i pari që denoncoi nëpërmjet rrjeteve sociale, skandalin e kërcënimit të oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) Emiljano Nuhu, nga deputetët socialistë dhe njerëzit e tyre. Në denoncimin e tij, në 29 korrik 2018m Berisha nuk e përmend asnjëherë fjalën përdhunim, por thjesht duke ju referuar rastit, flet për “dhunim” të Xhensila Malokut, nga djali i deputetit.

Reagimi i plotë i Sali Berishës në 29 korrik 2018

Krimi i shëmtuar

Narkopolicia  fsheh me urdhër të Edvinit, përdhunimin e një vajze nga djali i deputetit të narkopartisë. Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. Sb

“Para 10 ditësh djali i deputetit te qytetit Krujë z Rrahman Rraja ka dhunuar një vajzë me mbiemer Maloku nga fshati Zezë i njësisë administrative nikel. Vajza ka bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe i është deleguar për veprime policisë së rajonit F.Kruje.

Policia F. Krujës ka thirrur vajzën dhe ka manipuluar denoncimin duke i berë akt pajtimi, por vajza ka shkuar në zyrën e shcb Durres e ka ri bërë denoncim dhe çeshtja ka ardhur përsëri në policinë e F. Krujës. Në rajonin e policise F. Krujë punon vellaj i deputetit inspektor Bashkim Rraja.

Inspektori i krimeve dhe opgj janë nën presion e trysninë e deputetit Rrahman Rraja e të kry të bashkisë Artur Bushi dhe vëllait të deputetit Xhelal Rraja qe është drejtor i postës Krujë e ndërhyrjes së taulant balla kanë bërë të mundur mos ndalimin e djalit të deputetit dhe çeshtja ka shkuar në prokurinë e Krujes në heshtje. Vajza e familja e saj janë nën presion psikologjik e dhunë verbale”.

Menjëherë, në të njëjtën datë, vjen reagimi i parë e Policisë së Shtetit. Në “sqarimin” e saj Policia e Shtetit, shmang “pjesën” e kërcënimit ndaj oficerëve të Policisë dhe “ndalet” më shumë në “faktet” u mor apo nuk u mor kallëzimi, u bë apo jo publike ngjarja. “Pa dashje” në këtë “sqarim”, Policia thotë edhe një të vërtetë, që u detyrua të mohojë sot.

“Në vijim i është marrë deklarim nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Krujë…”, thuhej në deklaratën e Policisë, rreth dy muaj më parë, e cila “flet” për më shumë se një OPGJ…

Reagimi i Policisë në 29 korrik 2018

Në lidhje me një status të publikuar në rrjetin social nga ana e Z. Berisha duke pretenduar se Komisariati i Policisë Krujë ka fshehur një ngjarje sqarojmë se:

Më datë 21. 07. 2018 shtetasja Xh. M., 25 vjeçe, banuese në Krujë ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.3 të Policisë Tiranë se e kërcënonte shtetasi R. Rr., 24 vjeç, banues në Krujë.

Në vijim i është marrë deklarim nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Krujë shtetases së mësipërme dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë duke vlerësuar të gjithë elementët e ngjarjes janë referuar materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit R.Rr.

Për shkak se çështja është në hetim nuk japim më shumë detaje.

SHÇBA është duke verifikuar nëse rasti në fjalë ka pasur ndonjë shkelje flagrante.

Ngjarja e mësipërme nuk është fshehur nga ana e policisë Krujë, pasi është publikuar në faqen Zyrtare të Policisë së Shtetit (dt. 22. 07. 2018)

Sonte, në emisionin “Fakt” të Çim Pekës në SYRI.net, Berisha denoncoi “përgënjeshtrimin që Policia i bëri vetes” dy muaj më pas.

“Policia në përgënjeshtrimin që bëri statusit tim, informoi se dëshmitë e saj u morën nga policët dhe nga prokurorët. Sot Xhafa dhe Veliu, deklarojnë se nuk ka qenë komisariatin e policisë nënkomisari Emiljano Nuhu, por ka qenë Gentian Çitozi”, denoncoi sonte Berisha.

Reagimi i sotëm Policisë

Lidhur me deklarimet në media të një oficeri, Policia e Shtetit sqaron se:

Shtetasi Emiljano Nuhu është rekrutuar në Policinë e Shtetit në vitin 2009. Ai ka qenë së pari, efektiv i rolit bazë në Policinë e Tiranës.

Në maj 2017, pasi fitoi gradën “Nënkomisar” u emërua në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Në këtë detyrë ka qëndruar vetëm 4 muaj, deri në shtator 2017, pasi iu drejtua me kërkesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për transferim, me pretendimin se “ndihej i rrezikuar për shkak të detyrës”.

Në shtator 2017 është transferuar në Komisariatin e Krujës, ku ka qëndruar deri në Gusht 2018. Nga muaji Janar deri në Korrik 2018, ai ishte i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, pasi ishte në Akademinë e Sigurisë, në vitin e dytë.

Me kërkesë të tij, në datë 15.08.2018, me pretendimin se “ndihej i kërcënuar për shkak të detyrës” është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat.

Në këtë detyrë ka qëndruar deri në datë 13.09.2018 dhe më pas nuk është paraqitur, por ka braktisur detyrën duke mos dorëzuar sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative.

Nga verifikimet policore dhe në bashkëpunim me agjencitë homologe, ky shtetas ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës, pa u regjistruar në sistem dhe duke braktisur detyrën.

Në datë 15 shtator 2018 ka udhëtuar me avionin e linjës Prishtinë–Verona, Itali.

Ndryshe nga sa thotë oficeri Emiljano Nuhu në intervistën mediatike, se në datën 21 korrik 2018 është kërcënuar në zyrën e tij, në këtë datë oficer i gatshëm në Komisariatin e Krujës dhe që ka kryer veprimet ka qenë një punonjës tjetër policie, me iniciale G. Ç.

Në datë 21 korrik, oficeri Nuhu nuk ka qenë fare në Komisariatin e Krujës.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se asnjë nga shtetasit e pretenduar në deklarimet mediatike të oficerit Nuhu, se e kanë kërcënuar, nuk kanë hyrë në ambientet e Komisariatit të Krujës siç pretendohet prej tij.

Takimi mes oficerit Emiljano Nuhu dhe shtetasit e pretenduar R. Rr., dhe R.Rr., në një lokal në Tiranë ka ndodhur. Por nga verifikimet e kryera pas kallëzimit të bërë nga Emiljano Nuhu në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe më pas referuar në Prokurorinë e Tiranës, rezulton se ata njiheshim shumë më herët, që në kohën kur Nuhu ishte me detyrë në Policinë e Tiranës. Komunikimet e kryera midis tyre përmes aplikacionit ‘Whatsapp’ kanë qenë miqësore dhe pa kërcënime. Këto komunikime gjenden të administruara në dosjen hetimore.

Gjithashtu në kallëzimin e tij, ku pretendon se është kërcënuar, Emiljano Nuhu i referohet vetëm 2 shtetasve të lartpërmendur, të cilët sipas tij, i janë prezantuar si të afërm të autorit të dyshuar që ka kryer përndjekjen, por nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron sot në intervistën në media. Emra, të cilët në asnjë rast nuk i ka përmendur në komunikimet me eprorët e tij.

Pavarësisht të gjitha deklarimeve, bëjmë me dije se Komisariati i Policisë Krujë pas marrjes së kallëzimit nga e dëmtuara Xh. M. materialet i ka referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila ka regjistruar procedimin penal nr. 372/2018 dhe po drejton hetimet.

Ndërkohë, SHÇBA po kryen verifikim dhe hetim të thelluar për gjithë pretendimet e ngritura nga oficeri Emiljano Nuhu në letrën e bërë publike si dhe në intervistën e dhënë prej tij. Në përfundim të këtyre hetimeve do të ketë një njoftim publik. /SYRI.net

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here