Gjosha paralajmëron: Azilkërkuesit, “bomba me sahat” e Shqipërisë për integrimin dhe vizat

0
320

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha komenton në një intervistë për gazetën “standard” raportin e fundit të eurostat mbi numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria si edhe ndikimin që mund të ketë kjo problematikë në procesin e integrimit të vendit. Po ashtu Gjosha flet edhe mbi aktualitetin politik në vend, propozimin e opozitës mbi vettingun në politikë si edhe mbi debatin për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Bisedoi: Gëzim Saliu

 

Në një postim tuajin në rrjetin social, duke ju referuar një klasifikimi të EUROSTAT sa i përket numrit të lartë të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, keni paralajmëruar se vendi rrezikon ecurinë e mëtejshme drejt aspiratës evropiane . Çfarë nënkuptoni me këtë?

Unë  e kam njoftuar këtë paralajmërim që kur në raportin e fundit të Këshillit Europian pati një raport të posaçëm për azilkërkuesit shqiptarë, pasi ju e dini se Franca e ka ngritur këtë çështje, është një problem atje, dhe kuptohet që një nga shqetësimet ka qenë edhe Shqipëria. I kam bërë thirrje që në atë kohë qeverisë shqiptare që të kontrollojë numrin e azilkërkuesve, dhe të marrë masa për rikthimin e tyre në Shqipëri. Kjo problematikë mund të përbëjë një precedent të rëndë dhe madje edhe për rikthimin e vizva, kjo është përmendur disa herë në takimet e Këshillit. Sot kishim një raport konkret për tre muajt e fundit lidhur me vendet të cilat zënë vendet e para të azilkërkuesve. Shqipëria rënditet në vendet e para , ndërkohë duhet t’ju kujtoj se nuk jemi as në luftë , dhe aq më tepër, jemi një vend në hartën evropiane, ndryshe nga vendet e tjera që janë në krye të listës së bashku me Shqipërinë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pikë , qeveria duhet tregohet e kujdesshme.

Besoni se Shqipëria rrezikon realisht rikthimin e regjimit të vizave?

Për sa kohë që Këshilli kërkon një raport të posaçëm, edhe çështja e azilkërkuesve, besoj se do jetë një temë e nxehtë, dhe mund të përbëjë një rrezik të vërtetë në këtë aspekt.

Cili është opinioni juaj lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të vendit në BE? Kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm gjerman në Tiranë i cili theksoi se viti 2019 nuk do të thotë hapje automatike e negociatave pasi kërkohet ecuri në reforma…

Duket qartazi që kemi të bëjmë me një retorikë fjalësh, me propagandë, më shumë se sa  një ecuri të reformave. Muajt e fundit s’kam parë asnjë nisëm konkrete që do ta ndihmonte sadopak këtë proces. Për sa kohë ne nuk kemi Gjykatë të Lartë, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, ende mbetemi peng i reformave. Rruga do jetë ende e gjatë.

Opozita ka propozuar nismën për vettingun e politikës. Si e shihni ju këtë propozim?

E kam thënë gjithnjë se fjala vetting ka ardhur si një shpikje, erdhi si nevojë për reformën në drejtësi dhe përkatësisht për gjyqësorin. Por duke parë nivelin e infiltrimit të krimit në politikë dhe ekonomi, mendoj se nisma e propozuar nga opozita është ndër nismat më të mira të ndërmarra. Aq më tepër që është një nismë konkrete, pasi drafti është depozituar në Kuvend. Tani i takon mazhorancës të vendosë nëse e pranon Vettingun në politikë dhe me pas do të diskutohet të gjitha procedurat.

Po lidhur me debatin mbi çështjen e Teatrit Kombëtar duke marrë parasysh votimin e fundit nga mazhoranca dhe rikthimin e ligjit tek Presidenti për miratim…

Është një ndër çështjet më të nxehta, jo vetëm nga ana politike, por sidomos është një çështje e nxehtë në aspektin social e kulturor. Ligji për Teatrin ka qenë antikushtetues që në fillimet e veta. Ajo që ndodhi pasi erdhi dekreti i Presidentit në Kuvend ishte akoma më e paprecedentë, dhe kjo ndodh kur në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Absurditeti vazhdon sot, në mënyrën më perfekte, sic mund ta bëjë vetëm kjo mazhorancë, jashtë çdo kornize se si funksionon praktika parlamentare. Dhe dërgimi i ligjit tek Presidenti, është provokim që vetëm kjo mazhorancë dhe kjo qeveri mund ta bëjë.

 

Postimi i Klajda Gjoshës

Azilkërkuesit mund të kthehen sërish në bombën e madhe të perspektivës tonë evropiane dhe të lëvizjes tonë të lirë! Sot në një raport mbi azilkërkuesit për herë të parë në vendet e BE, Shqipëria renditet përsëri krah vendeve me numër të lartë të njerëzve që largohen nga vendi. Ndryshimi i vetëm dhe absurd është fakti që vendi ynë nuk është as në gjendje lufte dhe as një vend jashtë kufijve të Europës. Ky numër i lartë edhe gjatë muajve të fundit të 2018-ës, përvec se është një tregues i gjendjes së rëndë ku ndodhet vendi ekonomikisht, çështja është se në muajt që vijnë ky fenomenon do të kthehet në bllokues të negociatave dhe të perspektivës europiane të Shqipërisë! I rikujtoj qeverisë se në raportin e fundit të Këshillit Europian theksohet qartë se i kërkohet Komisionit Europian të shprehet në një raport të posaçëm për çështjen e azilkërkuesve shqiptar. Aq sa mund të duket thjesht si cështje raportesh në letër, aq dhe mund të kthehet në një rrezik për lēvizjen e lirë dhe rikthimin e vizave! Deliri i qeverisë për arritjet e mëdha imagjinare shprehet qartë në skemën e mëposhtme!

————–

Ruçi çon tek Presidenti variantin e ri të ligjit për Teatrin . Ligji i ri apo i amenduar?

Pasditen e djeshme Kuvendi dërgoi në zyrën e Presidentit të Republikës mbërriti varianti i ri i ligjit për Teatrin, këtë herë vetëm me kërkesën për të hedhur firmën e  dekretimit. Presidenti Ilir Meta e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca pasi ka ndryshuar vetëm “pikën e garës” (pas insistimit të BE) për ndërtimin e objektit të cilin më herët ja kishte paracaktuar kompanisë “Fusha”, tani pretendon se i ka reflektuar të gjitha amendimet që bëri presidenti dhe se ligji është i njëjti, prandaj ai nuk ka të drejtë që ta rikthejë edhe një herë. Loja që kanë bërë përfaqësuesit e mazhorancës dhe që është denoncuar nga opozita është, se ligji për teatrin që u votua ditën e hënë i ka shkuar presidencës me të njëjtin numër, si ligji i parë për Teatrin. Partia Socialiste e konsideron ligjin e rivotuar si të njëjtë, pasi mban të njëjtin numër me të vjetrin dhe si pasojë e kësaj, presidenti Meta nuk ka të drejtë që ta rikthejë sërish, por thjesht të vihet në dijeni dhe ta dekretojë. Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, ka të drejtë që ta kthejë për rishqyrtim të njëjtin  ligjin vetëm një herë dhe se këtë duhet ta bëjë brenda 20 ditëve. Por opozita dhe mjaftë juristë të njohur, pretendojnë se pavarësisht trukut të socialistëve, duke i lënë ligjit të njëjtin numër me ndryshimet që ju bënë, ai është një ligj i ri dhe presidenti ka të drejtën e tij ta rikthejë. I vetmi organ që mund ta ndante këtë debat është Gjykata Kushtetuese, por ajo aktualisht rezulton e shkrirë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here