Meta viziton kishën katolike shqiptare në New York. Ja mesazhi që dha….

0
140

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi kishën katolike shqiptare të Hartsdale-t në Nju-Jork ‘Zoja e Shkodrës”, ku mori pjesë në meshën e shenjtë të së dielës.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve dhe besimtarëve Presidenti Meta përshëndeti bashkatdhetarët e shumtë duke u shprehur: “Vetëm pak ditë më parë unë pata gjithashtu privilegjin dhe fatin të vizitoja Selinë e Shenjtë dhe të pritesha në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, pikërisht në prag të 4-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për t’u ritakuar me Atin e Shenjtë, por njëkohësisht edhe për të dëgjuar lutjet e tij, bekimet e tij për popullin tonë dhe për kombin tonë. Shenjtërimi i Nënë Terezës prej Atit të Shenjtë, lumturimi i 38 martirëve të kishës sonë katolike, lartësimi në dioqezë i Kishës Katolike të Kosovës pikërisht në ditën e Shën Terezës, emërimi i Dom Ernest Troshanit si Kardinal nderi i Selisë së Shenjtë dhe shumë vepra të tjera të jashtëzakonshme të Papa Françeskut kanë treguar vëmendjen dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të kombit tonë të popullit tonë në vlerësimin e figurave dhe personaliteteve tona ndër më të shquara të besimit katolik dhe jo vetëm.

Ashtu sikurse porosia e tij për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare, që është një shembull për të gjithë botën në këto kushte dhe në këto rrethana kur kjo harmoni është e domosdoshme për të forcuar paqen por edhe për të shmangur shumë konflikte, të cilat kanë në bazë spekulimin fetar dhe nxitjen e radikalizmit për qëllime politike.

Po ashtu porosia e tij e veçantë gjatë takimit, që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës, që t’i ruajmë të rinjtë, që t’i mbajmë në vendin tonë, që t’i edukojmë sa më mirë me vlerat më të mira të cilat forcojnë familjen, të cilat forcojnë komunitetin. Në mënyrë që të rinjtë tanë t’i mbrojmë duke i edukuar sa më mirë nga të gjitha ato varësi negative që i kërcënojnë ata, nga droga, nga alkooli dhe shumë vese të tjera. Në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë qëllime të larta në jetë dhe veset të mos ua humbasin këto qëllime dhe këto ambicie pozitive.”

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar duke theksuar: “Në këtë drejtim, unë dua t’ju falënderoj edhe një herë për këtë punë të jashtëzakonshme që ju bëni këtu, duke i bashkuar të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të besimit katolik, dhe duke u folur shqip, duke u lutur shqip, duke i mësuar edhe fëmijët me këtë edukatë të jashtëzakonshme, jo vetëm që i ndihmon për të krijuar besimin e tyre, por njëkohësisht edhe i ndihmon për t’i ruajtur gjithmonë të forta rrënjët e tyre shqiptare.

Në këtë kohë globalizimi vendet dhe kombet modeste siç jemi ne shqiptarët, kërcënohen në rast se nuk do t’i kushtojmë vëmendje forcimit të identitetit kombëtar, por njëkohësisht edhe nëse nuk do të forcojnë më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin, tolerancën ndaj njëri-tjetrit, për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë.

Ky është një vit shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët, sepse është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, të cilit shekuj më parë i ka kënduar poeti amerikan Longfellou e shumë personalitete të tjera, por njëkohësisht Selia e Shenjtë e cilësoi në kohën e tij si ‘Atleti i Krishtit’, si një mbrojtës i qytetërimit europian.

Dhe falë kësaj figure ne ekzistojmë si komb, falë veprës së jashtëzakonshme që ai kreu duke na mbrojtur nga asimilimi, dhe duke iu rikthyer identitetit të tij, i ka dhënë identitet përmes veprës së tij një kombi të tërë, që është identiteti ynë shqiptar dhe europian.

Dëshiroj t’ju falënderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë dhe vazhdoni të bëni, për gjithë këto vepra të mira, sepse kështu ju keni bërë të mundur ato që na ka lënë porosi Shën Nënë Tereza, e cila na porosiste se ndoshta jo gjithsecili prej nesh në jetë mund të bëjë gjëra të mëdha, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ju keni bërë diçka të madhe me dashuri të madhe! Faleminderit!

“Dhe më këtë rast do të doja t’ju ftoja të gjithë këtu që të lutemi për Papa Françeskun, që të ketë jetë të gjatë dhe shëndet! Gjithashtu që bekimet dhe lutjet e tij për kombin shqiptar të na japin sa më shumë forcë, dashuri dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin.” – përfundoi fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Republikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here