E pavërteta e ‘Pezës’: Përgjigje Gjeçovit, Hysit, Veliajt, Tërmet Peçit dhe çdo të indroktrinuari

0
774

E PAVËRTETA E LEGJENDIMIT TË

KONFERENCËS SË PEZËS

DHE LEGJENDIMIT TË ENVER HOXHËS

 

(Konferenca e Pezës Komuniste? Nacionaliste? Demokratike?!…)

 

Nga Dr. Vasfi BARUTI

 

Refleksione burimore historike Prof. Dr. Xhelal Gjeçovit, Nënkryetares së Kuvendit Vasilika Hysi, Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi [Tërmet – pseudonim lufte i Shefqet Peçi], historianëve, politikanëve e veteranëve të indoktrinuar…

 

E shumta në të paktën: Enver H., i padituri i konferencës së Pezës po edhe kundërshtues i fortë i vendimit kryesor, krijimi i Këshillit të Përgjithshëm (i përkohshëm) Nacionalçlirimtar, me porosi të Miladinit;  Konferenca e Pezës, për momentin që u mbajt e vendimet që mori, meriton të kujtohet gjithnjë, por vendimet e Pezës mbetë letër e vdekur: sepse Fronti as që u krijua, përkundër shqiptarët u përçanë në tresh (komunistë, nacionalistë, bajraktarë); lufta civile gjalloi e ashpër nga komunistët kundër nacionalistëve; këshillat nacionalçlrimtare mbetë fare formale e shumë syre morë emrin Sovjete (të Stalinit); në Jug u shpallë republika sovjetike e Vlorës, Gjirokastrës, Kolonjës etj.; Peza nuk u bë kurrë faktor bashkimi në një Front të vetëm pa dallim ideje, krahine e feje, përkundër; folësit në Pezë “vlerësuan rëndësinë e Konferencës së Pezë e cila për nga qëllimet dhe vlerat e saj krahësohet me Kuvendin e Lezhës (1444) i mbledhur nga Skënderbeu, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1879)…” Panagjerike si s’mund të shkohet ndërmend! E pabesueshme, por e vërtetë e pamëshirë! Vajmendet – mësime bashkimi vijnë nga Peza!

 

Refleksione, nga Peza

Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi: Konferenca e Pezës krijoi bashkimin më të fuqishëm të shqiptarëve në gjithë historinë e tyre. … Peza na frymëzon për të bërë punë edhe më të mira për Shqipërinë, por Peza edhe na qorton kur interest politike i vemë mbi interest kombëtare … dhe të bëhemi bashkë nmaxhorancë e opozitë.” Krybashkiaku i Tiranës Erion Veliaj: Për të punuar sPër të punuar së bashku – është thirrja e atyre të Pezës… Kur jemi bashkë bëjmë mbrekulli, kur përçahemi humbasim, andaj të bashkohemi… Po të ishin gjallë pjesëmarrësit (e Pezës), nga Babë Myslimi e të tjerë, të majtë e të djathtë, nga Konferenca e Pezës, dhe të shikonin si ne kacafytemi për të penguar njëri-tjetrin, kjo nuk është normale.” Apogjeu i festimeve për Pezën erdhi  në Tepelenë, nga kryebashkiaku Tërmet Peçi me këngë për Komandantin Enver H. Nexhmije Hoxha, shkruante gazetari Xhevdet Shehu: “… nuk e fshehu kënaqësinë dhe vlerësimet për historianin e njohur Prof. Xhelal Gjecovi. Jam e bindur se ka shkruar mirë, sikurse ka shkruar edhe herë të tjera për historinë e luftës.” (Shkrimi i Prof. Dr. Xhelal Gjeçovit: “Të vërtetat e Konferencës së Pezës” me dy vijime, 15 e 16 shtatori i vitit që shkoi.) e që meriton vemendje…

 

Prof. Dr.  Gjeçovi, me fantaste marroke!

Prof. Dr. Gjeçovi “zbulon” të vërtetat e pathëna të Konferencës së Pezës: U krijua organizata e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar që zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Konferenca “përpunoi” e “miratoi” se lufta e Frontit NÇL nuk do të ishte “luftë klase”!, s’do të ishte as “luftë civile”! edhe as luftë kundër “klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore”!: “… Në Konferencë u përpunuan e miratuan dy orientime bazë, që do të kishin rëndësi të dorës së parë për realizimin e programit dhe arritjen e synimeve të Frontit. Së pari lufta që do të organizojë e udhëheq ai [Fronti], nuk do të ishte luftë klase, luftë civile, se ajo nuk do të drejtohej kundër klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore.”Dhe si burim referues Prof. ka Rezolucionin e Konferencës së Pezës! Rezolucionit i mungon emri Front dhe as shkohet ndermend të lexohen “luftë klase”, “luftë civile”! Emri Front mungon në Rezolucion, u përdor në një thirrje të Këshillit, më 5 korrik ’43; koncepet “luftë klase” dhe “luftë civile” as mund të shkohet ndermend se citohen në Rezolucion, po kështu fantaste “luftë klase”, që e ndalon Rezolucioni në luftë. E përse gjithfarë kësi fantaste marroke komuniste? Me argumentin: Sa “largpamëse” ishte partia komuniste dhe EH!

Nga Konferenca e Pezës i vetmi dokument original/fragmentar është procesverbali në katër faqe i mbajtur nga zonja Nexhmije Hoxha, një ftesë e Komisionit organizator i Konferencës, Rezolucioni i Konferencës së Pezës (fotokopje, origjinali mungon në Arkiv) dhe e vetme analizë e Konferencës, që mban vulën e kohës (nëntor ‘44), është e Enver H. në Plenumi i Dytë i Beratit, ku bëhej një analizë e luftës; por dhe dy memorie të besueshme (‘45) të Ymer Dishnicës e Ramadan Çitakut. Ama ndodh që më lehtë besohet një gënjeshtër e vjetër sesa një e vërtetë e re për renashën e vjetër. Është mjaft e gjetur edhe thënia e Prokurorit shqiptaro amerikan Gjon Junçaj (Misioni OPDAP, Tiranë): “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur.”

 

Sintezë e hatashme e Enver H. në Konferencë!

Konferenca e Pezës është ngjarje madhore e Luftës dhe Shqipëri, ndoshta është i dyti vend në Europë (pas Francës) që u orvat të krijojë një bashkim antifashist të popullit dhe, çka vërtet e rëndësishme e historike e Pezës ishte se “… delegatët shfaqën dëshirën dhe vullnetin e plotë për një organizim të shëndoshë të të gjithë shqiptarëve të vërtetë pa dallim feje, krahine, klase dhe rryme politike dhe zgjodhë Këshillin e Përgjithshëm NÇ (të përkohshëm).” Por s’do të kalojë shumë kohë e vendimet e Pezës mbetën letër e vdekur, Fronti Antifashist nuk u krijua, siç theksonte EH në nëntor ’44 dhe “Frontit” i mbeti vetëm ngjyra e kuqe komuniste.

Edhe më parë po edhe dhjetëvjeçarët e fundit Konferenca e Pezës është trajtuar “simbol” i lirisë!, simbol i Frontit!, simbol i bashkimit!, simbol i fitores! Konferenca e Pezës në gjykimin objektiv të EH. në Plenumi i Dytë i Beratit: “… Do të flas si u paraqit para meja Konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së Aliut [M. Popoviçi]. Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më parë. Mora një letër, pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do bënim konferencën. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend, ta vemë këtë apo të mos e vemë. Pas një dite dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të Lëvizjes nacional çlirimtare. Ne kishim turp, s’ishim njerës të turmave. Unë s’isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola të lexoja atë referat, por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do të dilnin ato skena që dolën, do të dilnin gjëra qesharake. Kështu Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm

Është sintezë e hatashme kjo e Enver H. për Konferencën e Pezës dhe le të hedhim edhe më dritë në detajet e kësaj sinteze dhe e shumta vjen në të paktën: Ne “Nuk kishim folur më parë” për mbajtjen e Konferencës së Pezës e vjen habia: Enveri anëtar i qëndrorit komunist e sekretar politik i Tiranës dhe nuk di asgjë për organizimin e Konferencës – sepse barrën e organizimit të Konferencës e kishte marrë Miladin P., i cili ishte në Pezë dy javët e para të shtatorit por edhe EH s’kishte bërë ende emër. E më shumë: “Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatetdhe qartasisht EH e gjeti të përgatitur raportin, që do të mbajë në Konferencë dhe në vitet ‘70 rrëfente si e kishte “shkruar” vetë raportin për Konferencën. Edhe i sinqertë: “Unë dola të lexoja atë referatin, por që të mbroj tezën jo.”, paçka se Prof. Gjeçovi predikon se referati i EH ishte “dokument” i rëndësishëm që “ndërgjegjësoi” delegatët për misionin e Frontit! EH edhe i çiltër: “Me një përgatitje të tillë do dilnin ato skena qesharake”, siç ishin drejtimi i Konferencës nga nacionalistët katolikë (Ndoc Çoba), drejtimi i Këshillit të Përgjithshëm provizor nga ish-komandanti i Kuesturës fashiste (Kamber Qafmolla), por edhe frenat i kishin nacionalistët në Konferencë etj. EH edhe kritik objektiv: “Konferenca e Pezës ka qenë sa për me lexue një referat dhe një trakt dhe pastaj ikëm” dhe ai në Berat (‘44) sjell plot faktologji nga lufta. Dhe të gjitha të vërteta të pamëshira!

Edhe nacionalistët ndjenin peshën e rëndë të regjimit fashist mbi popullin dhe nacionalistët ishin të parët që kishin menduar për një konferencë nacionaliste, nga fillimi i qërshorit, ndoshta e më parë, kurse komunistët për konferencën e Pezës menduan/vendosën në Konferencën e Jashtëzakonshme të partisë (28-29 qershor). Nga mesi i qershorit ’42 ishin nacionalistët shqiptarë që mëtojnë të organizojnë një mbledhje nacionaliste, ftuan dhe delegatë nga Partia Komuniste. Koço Tashko në raportin për Kominternin në fillimvjeshtë ’42 shkruante: “… Më 17 qershor do të mbahej në Tiranë një mbledhje e nacionalistëve, të cilët kishin kërkuar delegatë edhe nga Partia [Komuniste].”Pozicioni i avancuar (në kohë) i nacionalistëve për mbajtjen e Konferencës (përballë komunistëve) i bën ata të ndjehen mirë e kjo do jetë arsye e zhvillimeve tunduese në punimet e Konferencës së Pezës, ku nacionalistët sfiduan komunistët, siç shihet në vijim, e me këtë arsye ndoshta mund të shpjegohet forma e përmbajtja e Ftesës së Komisionit inisiator të Konferencës së Pezës.

Koço Tashko i xhelozuar nga kjo ndjeshmëri e nacionalistëve për bashkim për luftë apo ndoshta i motivuar bën studim të shtresës së nacionalistëve shqiptarë për sa ata janë pro bashkimit për luftë kundër pushtuesve fashist e ja ç’shkruante në raportin për Kominternin: Unë i bëra Partisë analizë të nacionalistëve, të cilët i ndava në katër grupe: 1. Grupi i kompromisaxhinjve, me të cilët kishim humbur kohë. 2. Grupi i atyre që janë atakuar drejtpërdrejt prej fashizmit: Muharrem Bajraktari, Bazi i Canës, Myslim Peza, Myftar Kaloshi, ata që KQ s’ka dashur t’u përmendet lufta e armatosur me fashizmin. Haxhi Lleshi, ndofta Shefqet Vërlaci a ndonjë përfaqësues i tij dhe disa nacionalistë të dorës së dytë, që janë fare afër popullit e që kanë treguar simpati për Partinë. 3. Grupi i franceskanëve të Shkodrës, të cilët janë treguar antifashistë dhe janë ndeshur me jezuitët si dhe disa fetarë ortodoksë që janë të ndeshur me unitet. 4. Grupi i Mehdi Frashërit, i cili nuk është kundër aksionit, por është shumë plak dhe, pas internimit të tij, grupi i tij ka rënë në duart e grupeve të tjera.

 

Ftesa për Konferencë e nacionalistëve apo e komunistëve!

Ftesa për delegatët e Konferencës së Pezës shkruhej nga këshilli inisiator që s’dihen autorët dhe ajo u dërgohej të ftuarve në Konferencë, në emër të Këshillit inisiator për organizimin e Konferencës së Pezës. Ftesa për delegatët daton “5 shtator 1942”. Teksti i Ftesës për Konferencë është ky: “I ndershëm Zotni, Në këtë çast të rëndësishëm për vendin t’onë, kur historia e popullit shqiptar po shkruhet me gjak dhe kur gjithë bota ësht’ në luftë, ne kemi vendosë të mbledhim një Konferencë të shqiptarëve të ndershëm që duan të luftojnë për lirinë e vendit. Populli shqiptar që ka për traditë luftën për liri, duhet sot kur ka për aleat gjithë popujt e shtypun e aleancën e madhe të tre popujve ma të mëdhenj e ma të organizuem të botës – Amerikën, Ingliterën dhe Bashkimin Sovjetik – të mos qëndrojë mbrapa, por t’i përvishet me hov dhe pa humbur kohë luftës për lirinë e vet. Në këtë luftë duhet të marrë pjesë i gjithë populli shqiptar i bashkuem si një bllok, pa dallim klase, feje e tendence politike. Kemi një armik të përbashkët, të gjithë duhet të bashkohemi e nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut t’a çojmë popullin shqiptar në liri. Duke patur besim në ndershmërinë dhe në patriotizmin t’uaj, jemi të sigurt se ju nuk do të mungoni me marrë pjesë në këtë mbledhje me rëndësi historike për popullin shqiptar.

 

                     Konfernca do të bëhet në PEZË TË MADHE më 14 shtator 1942.

Me përshëndetje shqiptare

 

KËSHILLI INISIATOR PËR MBLEDHJEN E

KONFERENCËS PËR ÇLIRIMIN KOMBËTAR

 

      I ndershëm Zotni! Një nacionalist do të ndjehej i poshtëruar me të drejtuarit Shok, ashtu si dhe komunisti do rrebelohej t’i drejtohesh me Zotni! Sa shihet ishte një kompromis në nderim të palës nacionaliste: I ndreshmi Zotni! Për nacionalistët, veçanërisht ithtarë të Mit’hat Frashërit, shquan shprehja: “Të bashkohemi nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut.”, përndryshe komunistët kishin për zemër flamuri me yll komunist dhe ishte tjetër hapje rruge nga komunistët për nacionalistët!

Ftesa mbyllet me shprehjen: “Këshilli Inisiator për mbledhjen e Konferencës për çlirimin kombëtar”, në dokumentet e nacionalistëve “çlirimi kombëtar” është  motiv kryesor i shprehur. Përfundi ftesës: “Me përshëndetje shqiptare” dhe komunistët kishin standard: Vdekje Fashizmit! Liri Popullit! Dokumentet e partisë komuniste të shkruara përherë me toskërishte, kurse ftesa është me gegërisht. Në frymë, në gërmë e përmbajtje ftesa s’ka asnjë detaj komunist! Tolerancë e komunistëve apo …! Ftesa për Konferencën e Pezës s’është cituar kurrë nga komunistët e historianët e tyre, këtu vjen për herë trë parë.

 

Censura e delegatëve të Pezës

Delegatët e Pezës përfaqësonin rryma politike të vendit dhe delegatët në Rezolucionin e Konferencës jepen me këtë renditje: Delegatët e ardhur nga gjithë anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe të Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhëtarët e shitur tek i huaji…” Renditja e fjalëve në fjali është e rëndësishme, përndryshe fjalët humbin kuptimin e tyre dhe renditja e delegatëve në Rezolucion merr kuptim të caktuar: Delegatët e tendencave të nacionalizmit shqiptar renditen të parët kurse delegatët e Partisë Komuniste vijnë të dytët, delegatët e rinisë nacionaliste vijnë më parë se delegatët e rinisë komuniste. Renditja e delegacioneve është tregues domethënës i pozitës që kanë njëri ndaj tjetrit, nacionalistët ndaj komunistëve. Nëse renditja e fjalëve në fjali “s’ka” rëndësi, përse dy vjet më pas, në Kongresi i Përmetit delegate Naxhije Dume ka renditje tjetër të fjalëve në fjali? Gjashtë vjet më pas nga Konferenca e Pezës, në Rezolucioni i Kongresit të Parë (1948) delegatët në Pezë renditen në kahun e kundërt, që renditen në Rezolucioni i Konferencës së Pezës:Në Konferencën e Pezës morën pjesë delegatë të KQ të Partisë sonë [komuniste], të Rinisë Komuniste, të Grave Shqiptare, edhe përfaqësuesit e tendencave të ndryshme të nacionalistëve shqiptarë.” Ose, në Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë: “ Delegacioni i Partisë Komuniste Shqiptare, delegacioni i Rinisë Komuniste Shqiptare dhe i Gruas Antifashiste dhe delegacioni i forcave të tjera, si zogistët.” Ose Enver Hoxha më 1981: “Delegacionin e Partisë Komuniste e përfaqësonin Enver Hoxha, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi. Rininë Komuniste e përfaqësonte Nako Spiru. Rininë Femërore Popullore Shqiptare e përfaqësonte Nexhmije Xhuglini. Patriotët e lidhur ngushtë me partinë komuniste e përfaqësonin Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani- Baba Faja. Zogistët i përfaqësonte Abaz Kupi. Disa të tjerë, si Ramazan Jarani, Halim Begeja përfaqësonin grupe të ndryshme nacionaliste.” Delegatë të censuruar: Tuk Jakova, Nexhip Vinçani, Dule Alarupi, Gjin Marku, Omer Nishani, Ibrahim Dervishi, Qirjako Harito, Muharrem Butka, Ramize Gjebrea etj., që s’ishin të “ftuar” por ishin delegatë dhe ka burime arkivore e të tjera të kohës, që s’po i rendis këtu.

 

Nexhmije H. –  assesi delegate e Pezës

Nexhmije H. në kujtimet e veta s’le rast pa u deklaruar delegate në Pezë si përfaqësuese e rinisë dhe e gruas antifashiste: “Në Konferencën e Pezës kam marrë pjesë edhe unë si përfaqësuese e rinisë dhe gruas. Për historinë  e Shqipërisë ishte një fakt që herë të parë në një mbledhje të tillë me rëndësi historike kombëtare merrte pjesë një  grua…” Herë tjetër ishte përfaqësuese vetëm e grave antifashiste: “Unë isha e vetmja femër pjesëmarrëse në Konferencë, përfaqësuese e grave antifashiste dhe kam mbajtur procesverbalin e asaj mbledhje. Ka ndonjë keqdashës që ka shpifur sikur unë nuk kam qënë pjesëmarrëse. Madje dikush ka shkruar sikur aty ka qënë Ramize Gjebrea dhe jo unë. Nuk ka nevojë të deklaroj për këtë. Kjo është thënë dhe është e vërtetë historike.”, thotë Nexhmija. Organizata e gruas antifashiste dhe organizata e rinisë antifashiste u krijuan në fillimvjeshtë ’43 (më shumë se një vit pas nga mbledhja e Pezës), sipas orientimeve të Konferencës së Parë të Vendit, mars ’43, atëherë kë përfaqësonte Nexhmije H. kur organizata e gruas dhe e rinisë antifashiste nuk ishin krijuar!? Por ka edhe një arsye të fortë pse NH nuk ishte në Pezë delegate përfaqësuese e gruas dhe rinisë antifashiste: në rezolucionin e cituar më parë përcaktohet se vetëm “organizata e rinisë komuniste” dhe “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare” ishin pjesëmarrëse në Konferencë dhe në Rezolucion nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë shënjë se në Pezë merrnin pjesë organizata e rinisë antifashiste dhe e gruas antifashiste. NH ka një problem me vetveten: merr merita që s’i takojnë, ashtu si edhe EH i ka dhënë merita të pameritueshme. NH ankohet se dikush paska shkruar se nuk ka qënë delegate në Pezë – e vërteta është se ishte në Pezë, ama me cilësinë e procesverbalmbajtëses. Zonja mohon Ramize Gjebrenë delegate e “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare” dhe qenia e saj është argument im i botuar, që i referohet ajo, por një fotografi e saj me shënimin pas “Në Pezë” është provë për Gjebrenë në Pezë e nëse s’qënkërka atëherë cila është delegate e “Rinisë Femërore Popullore Shqiptare”? “Përgjigjen” e pyetjes e ka dhënë EH në libri Kur lindi Partia: “Rininë Femërore Popullore Shqiptare e përfaqësonte Nexhmije Xhuglini.”!!

E dyta, ishte partia komuniste

Në Pezë të parët ishin njerëzit e maleve. Dr. Ymer Dishnica, ministër i Shëndetësisë, protagonist i rëndësishëm në Konferencën e Pezës, delegat në Konferencë, i zgjedhur atje anëtar i Këshillit Antifashist Nacional çlirimtar e burim i besueshëm pyetjes “sa qenë e cilët kanë qenë njerëzit dhe kurrentet që muar pjesë në Konferencën e Pezës” i përgjigjet (1945): Kanë qenë katër: Të parët qenë njerëzit e maleve, ata që i kishin hapur me kohë luftë luftë fashizmit, këta qenë delegatët që vinin nga çetat ose vetë kryetarët e çetave partizane vullnetare, pastaj [e dyta] ishte Partia Komuniste që kishte kuptuar me kohë se duhej luftuar karshi fashizmit, pastaj me radhë në Konferencë ishte Rinija Antifashiste [komuniste].  Dr. Dishnica i dredhon përgjigjes së drejtpërdrejtë të pyetjes që kërkon- sa ishin delegatët dhe cilët ishin ata, megjithatë në përgjigje shquan se të parët e delegatëve ishin njerëzit e maleve e të dytët ishin komunistët. Dishnica i dredhon pyetjes “cilët kanë qenë njerëzit dhe kurrentet që muar pjesë në Konferencën e Pezës” dhe përgjigjet shkurt: “Të parët ishin njerëzit e maleve”. Përgjigjia se të parët ishin njerëzit e maleve sqaron mirë renditjen e delegatëve në Rezolucion – të parët në Konferencë ishin delegatët e nacionalistëve. E fshehta e njerëzve të maleve, që mbahet në fshehtësi nga Dishnica, zbulohet e nga një faqe e fshirë e Rezolucionit të Konferencës (për 30 vjet) me emrat e njerëzve të maleve e çetat e tyre, kurse komunistët deri kuvendi i Pezës nuk kishin asnjë çetë të tyre.

 

Procesverbalmbajtësja e Konferencës

Procesverbali për herë të parë bëhet publik nga Nexhmije H. në tetor 2004 dhe vetëdeklarohej mbajtësja e procesverbalit – në katër faqe format, me shkrim stilografi e kaligrafi e bukur, thuajse pa asnjë gabim shkrimor, asnjë fjalë e shkruar me shkurtim, siç ndodh në çdo mbajtje procesverbali. Mbajtjen kësisoj të procesverbalit do e kishte zili e stenografe më profesioniste! Procesverbali mbahej në arkivi personal i Nexhmije H. dhe padyshim s’mund të mendohet se gjithë diskutimet e Konferencës janë në procesverbal, por një gjë është e sigurtë: ajo çka duhet për të gjykuar për Konferencën është në procesverbal dhe vërtet mbajtësja e procesverbalit ka merita, që kur e dërgoi në gazetë për botim do ketë qënë e nervozuar saqë as e lexoi ç’të vërteta të fshehta kishte procesverbali. Në libri Kur u hodhë themelet e Shqipërisë së re EH shkruan se kishte shkruar Rezolucionin disa ditë para Konferencës së Pezës dhe ja ç’del në reshtat e para të procesverbalit të Konferencës, i mbajtur nga vetë Nexhmije Xh.: “Caktohet rendi i ditës: 4. Komisioni që do të përpilojë rezolucionin e kësaj konference.”

 

Drejtimi i Konferencës, nacionalistët në komandë

Pas Lufte e deri e sotmja në botime politike, historike e akademike PKSH vlerësohet drejtuese e punimeve të Konferencës dhe Enver H. i falet rol vendimtar! në zhvillimin e Konferencës. Në burime arkivore s’mbeti asnjë gjurmë presidiumi të Konferencës dhe për herë të parë e të vetme bëhet i njohur presidiumi nga vetë anëtari i atij presidiumi, Ramadan Çitaku, tre vjet pas Konferencës: “Presidiumi: Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Baba Faja Martaneshi, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi.“Presidiumi i dhënë nga Çitaku tre vjet nga Konferenca zbulon një të vërtetë e mbetur në hije: Partia komuniste përfaqësohej nga një komunist i vetëm, ai Ramadan Çitaku, në presidium e dy nacionalistë me emër, Ndoc Çoba, Abaz Kupi, nacionalisti tjetër Baba Faja Martaneshi po edhe Kamber Qafmolla, kuestor fashist, dhe natyrshëm pyetja: përse ky përfaqësim mjeran i komunistëve në presidiumi i konferencës dhe ky nderimi i madh për nacionalistët? Përderisa më parë por edhe sot shkruhet se Partia komuniste ishte organizatore dhe drejtuese e Konferencës së Pezës dhe domosdoshmërisht pritej që shumica e presidiumit apo në baraspeshë të ishte me komunistë! Siç del në procesverbal, Ndoc Çoba mban fort spektrin e drejtimit të punimeve të Konferencës dhe nacionalistët i japin tonin Konferencës! Nexhmija kujton vetëm Ndoc Çobën në presidium – fsheh të vërtetën e hidhur se në presidium ishte e Abaz Kupi, ama meraku i madh të fshehë Kamber Qafmolla – komandant i Kuesturës fashiste të Tiranës, ndjekës i rrezikshëm i komunistëve, i zgjedhur kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (të përkohshëm) organi i vetëm e më i lartë i luftës. Qafmolla tradhëtoi të vetët (fashistët) dhe vihet në prehërin e komunistëve, të cilët e dekonspirojnë tek fashistët dhe pas disa javë arrestohet nga fashistët e gjyqi i lartë fashist i jep pafajësi: Qafmolla në lojë fashiste – komuniste! Ama dhe Qafmolla kurrë nuk u lakua nga organet komuniste dhe vetë EH, jetoi mjaft vite pas nëntorit ’44, u nda nga jeta pa asnjë goditje nga diktatura komuniste dhe në informacionin tim edhe në varreza janë pranë e pranë!

 

Të fortët komunistët apo nacionalistët?

Partia komuniste e Enver H. me dukje mbeten organizatorët dhe udhëheqësit e Konferencës së Pezës e të sjellësh argumente ndryshe (që mbajnë vulën e kohës ’42 – ‘45) sigurisht shiqetohesh me llojlloj akuza, por sido të jetë paraqesim për diskutim faktologji me referim procesverbalin e Konferencës mbajtur nga Nexhmije Xhuglini (Hoxha). Procesverbali ze vend qëndror në paneli i Konferencës së Pezës në Muzeumi Historik Kombëtar dhe kqyrim faktet, e vërteta mbeti në procesverbal nga edhe po citoj: “… Hapet mbledhja nga anëtari i Këshillit Ndoc Çoba për rëndësinë e kësaj Konference me rëndësi e përgjegjësitë tona para popullit.” Nexhmije H. e kujton ndryshe hapjen e Konferencës, ashtu siç dëshironte të ishte: “Pasi zunë vend delegatët, Myslim Peza si i zoti i shtëpisë, u uroi mirëseardhjen e tyre në Pezë. Pas këtij mori fjalën Enver Hoxha, si kryetar(!) i delegacionit të PKSH-së që ishte iniciatore e thirrjes së këtij Kuvendi.” Siç lexohet në procesverbal i mbajtur prej Nexhmije Xh., as Myslim Peza nuk u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe as Enver H. nuk mbajti fjalën e hapjes së Kuvendit, kur domosdoshmërisht pritej që emri EH të lexohej në procesverbalin e mbajtur nga e fejuara e tij! Detajet bëjnë historinë e Konferencës së Pezës dhe cilat janë detajet?

 

Detaji 1. Ka marrë vlerën e së vërtetës së padiskutueshme se konferenca e Pezës organizohej nga komunistët, ndaj dhe domosdoshmërisht kryetari (drejtuesi) i Konferencës pritej të ishte Enver H., i publikuar kryetari i partisë komuniste, por vjen habia, siç shihet në procesverbal, që në krye të Konferencës kryetar i saj të jetë Ndoc Çoba dhe natyrshëm vjen pyetja: Mund të besohet që pozicioni i Çobës kryetar i Konferencës të jetë shenjë respekti e tolerance për të nga komunistët, si një figurë e shquar e Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë dalë prej tij apo ka tjetër arsye? Konferenca e Pezës ishte ngjarja më e rëndësishme e kohës dhe e pabesueshme duket që komunistët t’i japin vlerë e rëndësi nacionalistëve.

 

Detaji 2. Kryetari Çoba hap konferencën e pritet që delegacioni i Partisë Komuniste të mbante raportin e në procesverbal të lexohet emri Enver H. dhe vjen habia e dytë: Fjala i jepet Ramazan Jaranit, përfaqësuesi i Rinisë Nacionaliste – flet për domosdoshmërinë e bashkimit në luftë kundër fashizmit. S’mund të mos shihet fare qartë prirja e nacionalistëve se janë forca politike që kryeson.

 

Detaji 3. Hendeku thellohet dhe më kur pas Ramazan Jaranit sërish Çoba merr fjalën (që kishte hapur Konferencën), në procesverbal mbetën pesë fjalë: “Flet Çoba për bashkimin kombëtar. Çoba flet për të dytën herë dhe përfaqëuesi i partisë komuniste ende s’po shihet!

 

Detaji 4. Pas fjalës së Kryetarit Çoba (të dytën herë) dhe diskutimit të Ramazan Jaranit u vjen radha komunistëve dhe në procesverbal shenjohet me inicialet K. T. (Koço Tashko): “Lexohet referati politik i delegatit të Partisë Komuniste K.T.”Siç shihet, prishet “protokolli”: flet Tashko para Tarasit (EH) i deklaruar “kryetar i delegacionit të Partisë Komuniste” dhe përtej mesit të punimeve të Konferencës vjen radha për Tarasin të mbajë referatin e në procesverbal lexohet: “… Lexohet referati i shokut Taras për Këshillin Na. Çlirimtar.” Një komunist i thjeshtë (Koço Tashko) mban raportin para Enver H. i publikuar “njëshi” i partisë komuniste! Në mbledhjen e Plenumit Dytë të Beratit ç’thotë EH për referatin e tij në Konferencën e Pezës? “…Unë nuk isha në gjendje të mbroja tezën me nacionalistët. Unë dola ta lexoja atë referatin por që të mbroj tezën jo. Me një përgatitje të tillë do dilnin skena qesharake.”

 

Në debat,  Çoba triumfues mbi Tarasin!

Ndoc Çoba ul në gjunjë Tarasin për zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (të përkohshëm). Nacionalistët janë në të drejtën e tyre e të vendosur mos dalin nga Konferenca pa krijuar Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, organi më i lartë i Luftës, dhe ia arrijnë të fitojë forca e të drejtës së tyre edhe pse Miladini bën ç’mundet që nga Konferenca të mos dalë Këshilli, por të formohej gjatë luftës, dhe Miladini (jashtë konferencës) mbështetet vetëm nga EH. Argumenti, vjen nga Tashko: “Një ditë përpara Konferencës, në mbledhjen e delegatëve komunistë, shoku Miladin prapë tregoi majtizmin e tij, tregoi dëshirën t’i mbajë nacionalistët në lidhje me Partinë si individë që të mos mundin nacionalistët të marrin një personalitet politik të organizuar pak a shumë “e nesër të na tradhtojnë si Mihailoviçi”Me atë qëllim Miladini propozoi që Konferenca mos ketë të drejtë të krijojë Këshillin e përkohshëm Nacionalçlirimtar: “Ky këshill duhet të dalë nga lufta” dhe jo nga Konferenca. Këtë e kundërshtuan të gjithë, përveç një anëtar i KQ” [siç del në procesverbal ai është pikërisht Tarasi.] Të drejtën nuk mund tua marrim nacionalistëve të formojnë Këshillin, ata mund ta formojnë Këshillin edhe pa neve po të tregohemi kokëfortë, se janë mbledhur dhe nuk duan të ikin duarbosh. Bile në Konferencë gjëja e parë dhe gjëja e vetme që kërkuan ishte krijimi i Këshillit [të Përgjithshëm Nacional çlirimtar].

Nacionalistët u heqin nga dora Miladinit e EH edhe shansin e fundit që të mbajnë formal Këshillin e Përgjithshëm Nacional çlirimtar që ai të mbajë lidhje vetëm me komisarët e çetave e jo me Këshillin, organi më i lartë i Luftës. Koço Tashko: “Kur u detyrua të pranojë krijiminn e Këshillit, shoku Miladin bën një tjetër propozim, po me atë qëllim: Këshilli të mos ketë të drejtë, gjersa të formohet Shtabi Madhor, i cili do të dalë nga lufta, të mbajë lidhje me çetat partizane e vullnetare, dmth çetat vullnetare të mos lidhen përmes Këshillit, por përmes komisarëve tanë politikë, përmes Partisë Komuniste. Mbledhja nuk e pranoi këtë propozim, se po tua propozonim nacionalistëve ata do të kujtonin menjëherë që nuk e kishim me sinqeritet e deshim t’i kishim si kuaj me kapistallin në dorën tonë. Pastaj shoku Miladin më përjashton nga çdo funksion i konferencës, veç atij të delegatit. Unë përjashtohem si një nga raporterët nga presidiumi dhe Këshilli i Përgjithshëm. Dhe me pak fjalë përjashtohem nga puna me nacionalistët.” EH është përfaqësues i Miladin P. në Konferencë e sjell aty pikëpamjet e tij politike, por ato ndeshin në muri i pakalueshëm nacionalist e shihet në dy-tre rreshtat e mbetur në procesverbal: Kryetari i Konferencës Ndoc Çoba kërkon të krijohet shtatmadhoria (Këshilli) e luftës por Tarasi është kundërshtues e mëton të sfidojë kryetarin Çoba. Tarasi: “Shtatmadhoria ashtë e kopjume nga ndonjë shtet tjetër.”Kryetari Çoba i përgjigjet prerë Tarasit: “Shtatmadhori tjetër nuk mund të vijë” dhe shtatmadhori do jetë vetëm Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Tarasi kërkon që Këshilli të mos krijohet në Konferencë por në luftë, se është “… lufta që do t’i nxjerrë këto shtatmadhori.” Argumenti i Tarasit përkit saktësisht me tezën e Miladinit: “… Këshilli i përkohshëm Nacional çlirimtar duhet të dalë nga lufta e jo nga Konferenca”. Tarasi ironizon: “lufta nuk bëhet me maskë.”  Dhe Kryetari Çoba është i prerë: propozoj të formohet ma parë Këshilli [i Përgjithshëm] dhe t’i jepet kompetenca për rregullimin e punëve të luftës.” Dhe Këshilli u krijua, siç kërkoi kryetari Çoba.

 

Vendimet e Pezës – letër e vdekur

Në 50 vjet pushtet komunist e vetme ngjarje që dominoi/dominon historinë e Luftës ishte/është Konferenca e Pezës e mbuluar atëherë e më pas me merita të mëdha se “krijoi” Frontin Nacionalçlirimtar dhe hodhi bazat e këshillave nacionalçlirimtare. Konferenca e Pezës vlerësuar me sinqeritet dhe në kushte lirije, pa asnjë forcë detyruese në Plenumi i Dytë nëntor ’44, nga Enver Hoxha, komisari i Shtabit dhe “koka” e PKSH: Çështja e Frontit Nacionalçlirimtar për ne nuk ishte e qartë. Ushtria identifikohej me Frontin dhe Fronti as që u krijua, përkundër pikë së pari ne nuk shihnim rëndësinë që kishte fshatarësia për Partinë dhe luftën […] Çështja e Frontit tek ne nga fillimi deri vonë shtrohej në punën me nacionalistët dhe kjo si një sektor pune i dorës së dytë e të tretë. […] Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim një ide të qartë ç’ishte Fronti dhe këshillat Nacionalçlirimtare. […] Ne vetë nuk e shihnim në dritën e vërtetë Frontin dhe ç’duhet të bënte e të përmblidhte në gjirin e vet ky Front. […] Duhet të kuptonim mirë se Ushtria s’ishte Fronti por një pjesë e Frontit. […] Këshillat ishin formale, konsideroheshin organe të Partisë e nuk kishin asnjë vleftë. […] Pas Konferencës së Pezës u formuan këshillat nacionalçlirimtare, mbetën formale e të mbyllura. […] Në Vlorë e në Gjirokastër këshillat u quajtën sovjete […] këshillat ishin bërë organe të drejtpërdrejta të Partisë, aty flitej në emër të Partisë. Propaganda për Partinë bëhej e hapët e nga një punë e tillë krahinat e Vlorës ndahen në dy kampe, ai i komunistëve dhe i nacionalistëve dhe çdo ditë ashpërsohej puna. Po kështu ngjau dhe në vende të tjera, në Korçë e në Elbasan. […] Të gjithë ne udhëheqësit nuk kishim një ide të qartë ç’ishte Fronti dhe këshillat nacionalclirimtare dhe këshillat për ne ishin disa grupe të rastit të cilat do të ndihmonin luftën e mobilizimin, por rolin e vërtetë e perspektivën ne nuk e kishim. Këshillat mbetën këshilla që duhet të gjenin kuaj për partizanët ose për ndonjë komandant dhe për t’i sjellë bukë një reparti, për të marrë si shpërblim në rast mungese buke, të shara ose fyerje si tradhtar apo sabotator.

Konferenca e Pezës, për momentin që u mbajt e vendimet që mori, meriton të kujtohet gjithnjë por vendimet e Pezës mbetën letër e vdekur, pse Fronti as që u krijua, lufta civile gjalloi e ashpër nga komunistët, këshillat nacionalçlrimtare mbetë formale dhe shumë morën emrin Sovjete (të Stalinit), në Jug u shpallë të ashtuquajturat republika sovjetike, Konferenca e Pezës nuk u bë kurrë faktor bashkimi në një Front të vetëm dhe mbeti një emër i zbrazët.

 

 Xhela Gjeçovi, Panorama 2017:15 shtator

Gjon Junçaj, Panorama 2017: 18 shtator.

 AQSH, Fondi 14, dosja 2-2/1, 1944

 AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942

 Po aty.

  Faksimile e dokumentit: Vasfi Baruti. Enver Hoxha në optikë të re, 2013:274

AQSH,  Fondi 14, dosja 2, 1942

 Rezolucioni i Kongresit të Parë, 1948:20 nëntor

Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë. Tiranë 1968:34

Standard 2012:23 mars.

Dita 2017: 14 shtator

 Ymer Dishnica, intervistë. Bashkimi 1945:16 shtator.

 Koço Tashko. AQSH, Fondi 14, dosja5, 1942

Paneli i Konferencës së Pezës: në Muzeumi Historik Kombëtar.

Ramadan Çitaku, Kujtime në  Pezë, gazeta Luftëtari 1945:16 shtator.

Proces-verbali i Konferencës, i botuar në Korrieri 2004:20 tetor. Dhe në paneli: Konferenca e Pezës, Muzeumi Historik Kombtar.

 Nexhmije Hoxha. Korrieri 2004:20 shtator.            

 Proces-verbali i Konferencës, i botuar në Korrieri 2004:20 tetor

 Paneli i Konferencës së Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar

Po aty.    

 AQSH, Fondi 14, dosja 2/1, 1944.

AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942.

Po aty

Procesverbali. Paneli i Konferencës së Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar

Po aty

Po aty.

 AQSH, Fondi 14, dosja 5, 1942

Procesverbali. Konferenca e Pezës: Muzeumi Historik Kombëtar.

Po aty.

  AQSH, Fondi 14, dosja 2/1,  nëntor 1944

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here