Skandal me kopshtet në Tiranë/ Ku i çon paratë e taksave Erion Veliaj?! Prindërit e fëmijëve…

0

Abuzimet e Bashkisë së Tiranës me fondet duket se nuk kanë fund. Prej disa ditësh gazeta ka nxjerrë fakte sesi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka abuzuar me tenderat apo dhe me punësimet. Por abuzimet e Veliajt duket se nuk ndalen me kaq. Lista e skandaleve të kryebashkiakut është shtrirë dhe tek kopshtet, të cilat janë në varësi të bashkisë. Gazeta pas disa denoncimeve të bëra nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me situatën e paprecedentë që po ndodh në kopshte, kreu një investigim nga ku identifikoi një sërë abuzimesh të kryera nga Bashkia e Tiranës. Gazeta mësoi se tek të gjithë prindërit e fëmijëve, edukatoret kishin shpërndarë një listë me të gjitha materiale dhe sendet që duhet të dorëzoheshin në kopësht. Në listën e siguruar nga gazeta, u kërkohet prindërve që ata të blejnë ngjyra druri dhe uji, letra A4, lapsa, gërshërë, kartona me ngjyrë, ngjitësa tubë, goma, prerëse për lapsat, fletore shkrimi si dhe letre të lagur. Por krahas këtyre sendeve, që prindërit duhet të paguajnë ekstra për faktin se nuk plotësohen nga kopshti ndonëse ata e paguajnë një tarifë për fëmijët e tyre që varion nga 30.000 lekë të vjetra e lart, abstrakti më i madh është se atyre u është kërkuar gjithashtu që të depozitojnë pranë kopshteve edhe letrën higjienike. Madje, skandali shkon më tej, pasi në listë prindërve u kërkohet që të dorëzojnë edhe përparëse, shapka, sapun lëng, pesë pako me kartopeceta, peshqir, si dhe nga një ilaç xhamash. Pra edhe pse qytetarët paguajnë për kopshtet, pasi në çdo faturë uji është një taksë që shkon enkas për kopshtet sepse ato janë në varësi të Bashkisë dhe jo Ministrisë së Arsimit, kushtet janë skandaloze, pasi prindërit detyrohen që t’i blejnë vetë gjërat për fëmijët. Por pikërisht ky detaj ngre dhe pyetjen se ku shkojnë gjithë këto lekë që Bashkia mbledh nga qytetarët për enkas për kopshtet? Kjo për faktin se në kopshte ndryshe nga sa deklarohet nga Bashkia, nuk plotësohen as kushtet më minimale për fëmijët. Duke detyruar kështu prindërit që të paguajnë trefish për fëmijët, njësoj si në kopshtet private.

Loading...

Në kopshte kushte skandaloze

Por krahas skandaleve të sipërcituara, organizmi në kopshtet e kryeqytetit është në kolaps total. Nga monitorimi i kryer nga gazeta, rezultoi se numri i fëmijëve në një grup arrinte deri në 40 veta. Duke e kthyer kështu në një situatë të paprecedentë pjesën mësimore në kopshte. Madje, veç kësaj një problem tjetër që u evidentua në kopshte, ishte dhe mungesa e lodrave për fëmijët. Detaj ky që i bënte kopshtet të dukeshin më shumë si institucione disiplinore sesa si ambiente formuese për fëmijët. Madje, në mungesë të lodrave, shumë prindër detyroheshin të çonin pranë kopshteve lodra të vjetra të cilat i kishin në shtëpi për të luajtur fëmijët. Ndërkohë krahas këtyre problematikave, çështja që ngre më shumë pikëpyetje është se si e shpenzon kryebashkiaku taksën që mbledh nga qytetarët për kopshtet? Kjo për faktin se situata është tepër alarmante, pasi nëse dërgon fëmijën në kopshtet shtetërore do të duhet të paguash vetë të gjitha shpenzimet. Ndërsa taksa që mblidhet ende nuk dihet se ku shpenzohet nga kryebashkiaku Erion Veliaj. / Endri ARIZI

Agjensia e Lajmeve Sot News

Loading...

Lini nje pergjigje