“Mazhoranca hap garë formale për Teatrin”

0

Në Shqipëri, shumica e majtë në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese votoi të martën pasdite, ndryshimet në ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri në Tiranë, të cilat hapin një garë për realizimin e këtij projekti si dhe zhvillimin e zonës përreth, në qendër të kryeqytetit. Varianti i mëparshëm parashikonte që gjithçka të realizohej nga kompania “Fusha”, e cila merrte përsipër ndërtimin me fondet e saj të godinës së re sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, në këmbim të mundësisë për të ndërtuar një bllok pallatesh shumëkatëshe në zonën pas Teatrit në një sipërfaqe e cila në pjesën dërrmuese është në pronësi shtetërore.

Loading...

Shumica u tërhoq nga ligji i posaçëm i propozuar nga Qeveria, pasi hasi në kundërshtime nga Komisioni Europian, i cili në letrën dërguar autoriteteve shqiptare theksonte se i inkurajonte ato “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”. Por ndryshimet e miratuara sot në Komision duket se në të vërtetë hapin një garë thjesht formale dhe kompanitë e tjera që mund të ishin të interesuara janë në kushte tërësisht të pabarabarta me kompaninë “Fusha”

Afati që ju është lënë për dorëzimin e projektit është vetëm 30 ditë, një kohë, e cila sipas ekspertëve të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës” konsiderohet thuajse e pamundur nga pikëpamja teknike për realizimin e një propozimi serioz, ndërkohë që “Fusha” e ka tashmë të gatshëm. Vetë arkitekti danez Ingels, në emisionin Top Show në Top Channel ka pohuar se për projektin e Teatrit kishte nisur të punonte që prej dhjetorit të vitit 2016.

Së dyti, projekti i arkitektit Ingels, është prezantuar sikur të jetë porositur nga kompania “Fusha”. Por sërish është arkitekti danez ai i cili ka zbuluar se kërkesa për godinën e re të Teatrit i ka ardhur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ndryshimet e propozuara nga e majta u prezantuan sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në kuadër të shqyrtimit të dekretit të presidentit Ilir Meta i cili e ktheu pas ligjin e miratuar në fillim të korrikut për Teatrin, shoqëruar me një numër të madh vërejtjesh. Komisioni votoi pro dekretit të Presidentit, që sillte rrëzimin e ligjit, por deputetët socialistë nuk preferuan që ndryshimet t’i kalonin në një moment të dytë, duke zgjedhur amendimin e ligjit brenda shqyrtimit të dekretit. Një praktikë e kundërshtuar me forcë nga opozita, por për të cilën shumica solli precedentë të mëparshëm të ngjashëm që në kohën kur e djathta kishte qenë vetë në pushtet. Një zgjedhje e tillë bën që ndryshimet e propozuara të mos kalojnë më përmes presidentit por të hyjnë automatikisht në fuqi.

Mbledhja e Komisionit u zhvillua në një kaos të plotë, mes debatesh të ashpra mes palëve. Mbi thelbin e ndryshimeve të propozuar as që u diskutua, dhe të majtët, pas leximit të shpejtë të të gjitha neneve, e hodhën në votim. Një procedurë e zhvilluar ndërsa deputetët e opozitës ishin thuajse të gjithë në këmbë duke kundërshtuar. Kryetari i Komisionit, socialisti Eduard Shalsi, zgjodhi të mos kërkonte as formalisht votimin e çdo neni, duke kapërcyer nga neni 8 direkt në nenin e fundit 11 të projektligjit të propozuar prej tyre, duke i hapur kështu rrugë dërgimit në seancën e ditës së enjte në sallën e parlamentit. /VOA.

Loading...

Lini nje pergjigje