Anomalitë sociale dhe “vetëqeverisja etike” e njeriut…

0
234

 

Gëzim Tushi

Nuk ka asnjë dyshim që tashmë shoqëria shqiptare po përballet me një varg fenomenesh anormale, një sulm frontal negacionesh morale në sjelljen e përditshme të njerëzve tanë. Të shfaqura dukshëm dhe me virulencë të lartë në familje, shkollë, vendet e punës, në komunitet dhe shoqëri. Deri në nivele shoqërisht shqetësuese dhe individualisht të pakontrolluara. Anomali që të bëjnë të mendosh se ku jetojmë? Në shoqëri normale apo në “spital psikiatrik”? Sepse dukuritë bezdisëse, sjelljet pa cipë të njerëzve e kanë dobësuar substratin qytetar dhe për pasojë është bërë i vështirë organizimi i shëndetshëm i jetës morale të shoqërisë. Si kurrë më parë, për fat të keq është përkeqësuar standarti i edukimit të aftësisë humane, të “vetpërmbajtjes etike” të njeriut. Përditë përballemi me dukuri të zgjeruara të krimit dhe amoralitetit që të bindin sociologjikisht se në shoqërinë shqiptare ka një proces të përshpejtuar të prishjes së rregullave, kodeve dhe parimeve morale të jetës. Kjo sepse në kohën e tanishme në shoqërinë tonë të liberalizuar dhe të sapo çliruar nga “kafazi i hekurt” i moralit të vjetër, duket po ndodhin procese, veprime etike të pakontrolluara, të shoqërura me prirje sociale deformuese.  Gjëndja e jetës morale tek shumë individë po reflektohet edhe tek statusi etik i shoqërisë, i cili është cënuar rëndë. Jo vetëm për shkak të orientimit modern dhe liberalizimit të shpejtë të jetës, por më shumë të konceptimit eksentrik të modernitetit moral dhe të zgjerimit të procesit të riorientimit kaotik, të thyerjes mekanike dhe organike të dogmave tradicionale, të ndryshimit të shpejtë të tabuve themelore të jetës morale, të përmbysjes së dhunshme të disa parimeve të vjetra të jetës etike superkolektiviste. Duke parë problemet që ka jeta morale në shoqërinë tonë, duke vlerësuar problemet etike duket qartë se jemi në një situatë serioze, kur me gjasa është bërë shumë e vështirë për ne intervenimi social në çështjet e ndërtimit të etikës personale, apo të aftësisë së njeriut për të organizuar në mënyrë spontane dhe të vetvetishme “vetqeverisjen etike” të jetës personale. Mund të ketë shumë arsye që kemi mbërrituar në këtë situatë, në të cilën shumë njerëz janë bërë etikisht anarkikë dhe nga pikëpamja sociale i pastabilizuar. Por besoj se duke e vlerësuar nga pikëpamja sociologjike, duket se në këtë situatë është me rëndësi dhe duhet vlerësuar dobësimi i mekanizmave të ndikimit social, zbehjes së mundësisë së njeriut, për të qënë njëherësh edhe shoqërisht i disiplinuar por edhe i aftë për të “vetëqeverisur” etikisht veten.

Në realitet duhet kujdes kur bëjmë vlerësime sociale të situatës etike në shoqërinë tonë. Sepse duhet ndarë ajo që është etikisht progresive dhe në përputhje me imperativat e zhvillimit dhe modernitetit të jetës, nga deformimet etike dhe qëndrimet eksentrike individuale. Sepse ka disa dukuri të jetës morale që janë pjesë integrale, të lidhura dhe kompatibile me lirinë dhe të drejtat e njeriut, me faktin që ai (njeriu) është identitet më vete në lirinë e vet, që ka dëshira dhe pasione të personalizuara, që ka konceptet autetntike për jetën, punën, qejfin, sjelljen dhe seksualitetin. Hapësira e lirisë në shoqërinë tonë si kurrë më parë është zgjeruar dukshëm. Kjo është një nga arsyet pse shoqëria jonë është e detyruar të zgjerojë konceptin, mundësinë dhe hapësirat për “diversitet moral” të lejuar të njeriut modern.  Ndoshta nga që vijmë nga shoqëri e mbyllur, me moral të hekurt puritan, dhe ndaj i zmadhojmë disa dukuri morale të cilat dikur kanë qënë tabu, dhe që sot po tentojnë të fitojnë “staus moral” dhe autoritet privat në jetën tonë publike. Sepse disa gjëra që dikur kanë qënë klasifikuar si “vese sociale” sot po bëhen shprehje të lirisë individuale. Kufiri i dikurshëm midis “virtytit” dhe “vesit moral” tashmë është kapërxyer, në shumë aspekte është bërë tejet konvencional. Vlera e paradigmave morale tradicionale është tronditur thellë. Limitet e moralit dhe amoralitetit janë “afruar” shumë, duke humbur dimensionin e detyrueshëm social, duke u vlerësuar më shumë me parimet e moralit personal, të shijeve individuale.

Në të vërtetë jetojmë në kohë postmoderne kur parimet themelore etike janë më shumë individuale, të lira se sa sociale dhe të detyruara. Natyrisht këto të kuptuara në kontekstin e shoqërisë së hapur dhe të sensit etik qytetar. Sepse në fakt në jetën tonë ka ca gjëra me natyrë etike që në jetën e individëve të caktuar po marrin të drejtën e qytetarisë dhe me të cilat duhet të mësohemi, të përshtatemi dhe t’i pranojmë. Shumë standarte morale të jetës moderne që shfaqen në shoqërinë shqiptare, janë prirje etike universale të cilat kanë filluar të bëhen dominante, pikërisht nga që e tillë është tipologjia e kohës moderne edhe në Shqipëri. “Koha etike” është pjesë e “kohës sociale” dhe ato nuk mund të jenë të ndryshme si tipologji. Kjo do të thotë se është e pamundur që në një shoqëri moderne, të hapur, të lirë, individualiste të pretendojmë që të kemi parime të vecanta apo të pretendojmë për etikë sui generis.  Por me sa duket për shkak të perceptimit anarkik të lirisë si të tillë dhe vecanërisht të konceptimit ambiguid të hapësirës së të drejtave të njeriut, duken qartë shënjat e qarta të liberalizimit ekstremal të jetës morale, të zbehjes së rolit dhe funksioneve disiplinuese të strukturave të tilla sociale më shumë rëndësi sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, tradita dhe komuniteti. Ne jemi të shqetësuar jo vetëm në nivelin e përgjithshëm social, por dhe për sjelljen dhe komportimin individual të njerëzve, tek sjellja e të cilëve ka shënja që tregojnë se ka rënë “pushteti” i moralit, forca e vlerave të traditës dhe e kohezionit moral të shoqërisë. Individi ka filluar të ecë i distancuar nga rregullat dhe normat e bashkëjetesës sociale. Më shumë duket se është prirja e njeriut që tenton të veprojë individualisht, duke neglizhuar vlerat morale dhe normat e jetës sociale. Sidomos kjo është e dukshme dhe kritike kur fjala është për të respektuar normat dhe rregullat e traditës, të cilat tani nuk e kanë më atë fuqi ndikuese, që kanë patur mbi individin në kushtet e shoqërisë tradicionale shqiptare. Deri këtu duket sikur ky evolucion është normal dhe kompatibël me parimet universal të jetës moderne.

Por analiza e thelluar e situatës morale të shoqërisë, sidomos vlerësimi i intensitetit të shthurjeve morale në shoqërinë tonë, janë të tilla, që sociologjikisht të mbushin mëndjen se jeta morale e shoqërisë shqiptare ka filluar të konceptohet, të formatohet dhe të zbatohet mbi jo mbi bazën e kërkesave “etikës sociale” forca e të cilës ka rënë, por më shumë të “moralit personal” dhe kërkesave të filozofisë liberale dhe parimeve të jetës individualiste. Në të vërtetë teorikisht ky është një problem i vjetër, i njohur për filozofinë, politikën, etikën, antropologjinë dhe sociologjinë politike.  Shekuj më parë kjo cështje ka qënë temë e debatit filozofik dhe cështje konceptuale. Të paktën që nga koha e ideve të Spinozës dhe pastaj të ideve iluministe brilante të Emanuel Kantit. Ide të cilat kanë qënë baza mbi të cilën u zhvilluan në kohë të ndryshme pikëpamjet pozitive për raportet e qeverisjes morale sociale dhe individuale. Mësime iluministe që kanë shumë vlerë të padyshimtë, dhe që sipas mendimit tim mund dhe duhen shfrytëzuar si vlera edhe për kohën tonë. Sepse në themel të tyre ka qënë trajtimi i raporteve të njeriut me etikën si cështje universale që në cdo rast ka lidhje me idenë për lirinë si “autonomi”, si “vetëpërcaktim individual”. Kjo ide është një mësim i madh që duhet njohur dhe shfrytëzuar, pikërisht tani në kohën moderne dhe shoqërinë tone, kur fuqia e qeverisjes morale të shoqërisë është gjithnjë e më e kufizuar.

Sa më shumë kohë ka kaluar në rrugën e demokracisë, aq më shumë jemi bindur si shoqëri, por dhe individualisht, se liria morale nuk është “vetëpërcaktim kolektiv”, por më shumë është një “vetëqeverisje individuale” e vlerësimit të vetë jetës dhe normave të sjelljes së njeriut. Koncepti i lirisë morale është transformuar në paradigmën e saj si “mos kufizim i mundësive të njeriut”, apo si presion që vjen nga vetja, nga të tjetër apo nga kufizimet, detyrimet dhe pengesat që vendos shoqëria. Në këtë kontekst duket se ka shumë faktorë që cënojnë lirinë e individit në shoqërinë tonë, sic janë dobësia e vullnetit, mungesa e aftësisë, fantazisë që janë pengesa të natyrës së brendshme të njeriut. Por në të njëjtën kohë ka dhe pengesa që vijnë nga “jashtë”, nga fuqia që kanë rregullat dhe konvencionet morale e sociale të shoqërisë. Ky është koncepti modern i kohës. Ne kemi nevojë të zhvillojmë idenë që pranon larine morale si “…moskufizim i mundësive e cila lidhet me idenë e individit autonom – individi që nuk sundohet nga të tjerët dhe që është zot i vetes”. Është e vështirë sot të kërkosh që në shoqërinë tonë të ketë jetë morale të përbashkët, kontraktuale dhe kolektiviste si në kohën e kaluar. Parimet morale të jetës liberale janë parime diverse, jo deterministe, por sidoqoftë për shkak të rolit social ato duhet të kenë një format social dhe kontraktual, duke i parë si vlera të dobishme të jetës dhe ndërtimit të aftësisë së njeriut për të patur “zonën e vetërespektit” moral për veten, të tjerët dhe shoqërinë. Nuk ka dyshim që tashmë në kohën moderne “kolektivizmi moral” i së kaluarës edhe në shoqërinë tonë ka marrë fund. Është e pamundur jeta morale e njeriut të formatohet me parime uniforme sociale, me shije dhe etikë të përbashkët, të determinuar, uniforme.

Njeriu është qënie tërësisht e lire. Por në thelb ai ka marrëdhënie morale kontraktuale me shoqërinë, dhe që për këtë arsye është i detyruar që të zbatojë një tërësi rregullash morale që vijnë nga tradita, koha dhe moderniteti. Unë besoj se tashmë nuk kemi më kohë për të humbur, por as kohë të tepërt që të mbetemi në pritje të “Godosë morale”, apo të mundësive se mund një ditë të ringremë konturet dhe fuqinë kolektive të moralit social, apo të rindërtojmë paradigmat e moralit kolektiv të së kaluarës. Në vend që të merremi me utopi apo të mbetetmi në suazën e një anarkie sociale dhe në fushën e ngushtë të arkaizmit moral të panevojshëm, të padobishëm për kohën, të pamundur për t’u realizuar praktikisht, do të ishte mirë që të merremi me të vërtetën e shoqërisë dhe mundësitë e përmirësimit moral të individit dhe shoqërisë sonë në etapën në të cilën jemi.  Jeta kolektiste dhe morali i përbashkët si etikë sociale e ideologjizuar janë vetëm imazhe utopike të së kaluarës, që nuk kanë as shanse, mundësi zbatimi, por as vlerë utilitare për kohën moderne. Nuk ka dyshim koha kërkon që të gjejmë piketa të tjera orientuese dhe mbështetëse, që të mund të na ndihmojnë në përmirësimin e treguesve moralë të jetës sociale dhe ndryshimin e qëndrimeve individuale të njerëzve tanë. Idetë e filozofëve të kohës moderne na mësojnë që të pranojmë jo vetëm të vërtetën që është sot, por edhe ato që do të jenë akoma më shumë në të ardhmen. Kjo do të thotë që është më e udhës rruga e ndërtimit të jetës morale mbi bazën e lirive liberale, që duhet të mbështet jo në dogma morale kolektiviste, në parime të përbashkëta dhe vlera të unifikuara por në “postulate minimale” morale dhe në konceptimin individualist të vlerës së tyre. Por natyrisht si qytetarë. Sepse jeta morale e shoqërisë po tenton të dalë nga kornizat e ideologjisë së vjetër. Ajo bazohet në parimet  e lirisë, që lejon bashkëjetesën dhe bashkëekzistencën në paqe të traditave, sjelljeve individualiste të jetës moderne, të koherencës moderne. Sepse tashmë morali i shoqërisë tonë po merr formë individualiste dhe e gjithë godina e etikës sociale sikurse thotë filozofi Xhon Grei, po mbështetet në “themel etik individualist të pakompromentueshëm” (John Gray, “Liberalizmi”, faqe 85)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here