Ndriçim Mehmeti: Për çfarë t’ju uroj, kolegë të nderuar, në këtë vit të ri shkollor?

0
480

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në këtë vit të ri shkollor, do të doja me gjithë zemër t’ju uroja të nderuar koleg. Jo thjesht për të bërë qokën e radhës, por besoj se duhet kthyer në një rit, për njerëzit më të çmuar që ka shoqëria, e që sipas meje janë mësuesit të parët, ndër të gjithë. Po këtë vit nuk di sinqerisht për çfarë t’ju uroj? Një vit të mbarë sa për të thënë, apo një vit me më pak stres, me më pak strapacim, çoroditje, tallje, nëpërkëmbje, fyerje, papërgjegjshmëri.

Mos ndoshta e zmadhoj më shumë sesa duhet dramën e mësuesve shqiptar?

Mendoj se kam thënë më pak epitete, se ato që qeveria e shoqëria thonë sot për mësuesit. Le ti marrim me radhë deklaratat dhe faktet. A tallet Kryeministri (Komandanti ynë famëmadh) Rama, kur thotë: “Ne jua kemi rritur rrogat ju mësuesve. Por e di që nuk mjafton. Do të shohim llogaritë dhe do të mendojmë edhe për ju” Fakt. Qeveria nxori në korrik urdhëresën ku anulonte rritjen e rrogave të mësuesve dhe mjekëve. Në 5 (pesë) vjet të qeverisjes së Rilindjes, rroga u rrit në një masë qesharake, në vitin elektoral 2017. Ndërkohë u hoqën shpërblimet për mësuesit e lëndëve shkencore, u hoq pagesa e transportit për mësuesit e shkollave të mesme, u hoq shpërblimi i fund vitit prej 10 mije lek (të reja), prej dhjetorit 2013 e deri më sot.

A deklaroi Kryeministri Rama dhe menaxherja e tij në krye të MASR, se do të jepnin më shumë fonde për trajnimin e mësuesve. Fakt. U rrit numri i krediteve që kërkoheshin për trajnimin e mësuesve dhe për rrjedhojë mësuesi shqiptar pagoi nga 50-70 euro për trajnimin profesional. A u deklarua se më shumë fëmijë do të frekuentonin shkollën? Do të ndërtoheshin shkolla të reja, pasi braktisja shkoi deri në 0.8%, shkolla po korrte suksese të mëdha, ishin rritur kërkesat për ndjekjen e arsimit të detyrueshëm dhe atij të mesëm? Fakt. Prej 2013 e në vazhdim, numri i nxënësve që frekuentojnë shkollën ka rënë në mënyrë dramatike. Deklarimet dhe konstatimet e opozitës. Njerëzve që merren me arsimin se po na fironin fëmijët nga shkolla, qeveria i përgjigjej në mënyrë të vazhdueshme me arrogancë dhe kundërdeklarata, se “arsimi po njeh rilindje nga themelet”. Tani në 2018, Ministria e Arsimit është e shtrënguar të pohoj indirekt, se kemi jo firim, por shpërngulje masive dhe disinteresim për arsimin nga fëmijët dhe të rinjtë. Me dhjetëra shkolla të mbyllura prej veriut në jug, nën pretekstin “e mbylljes së klasave kolektive”. Në vendin e Fishtës, Drenovës, Jani Mingës, që bënë aq shumë për të mësuar fëmijët shqiptar, kur Shqipëria nuk ekzistonte si shtet, tani po mbyllen shkolla mbi 100 vjeçare. Për çarë do t’i urojmë mësuesit e atyre zonave ose më saktë, për çfarë t’i ngushëllojmë? Që nuk do të munden të ushtrojnë profesionin e tyre? Që nuk arritën të mbyllin me sukses ciklin e tyre normal të punës? Që vuajtjet dhe sakrificat e tyre vajtën dëm dhe tani nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të rrëmbejnë lopatën, kosën, shatin, a kërrabën, që të mund të mbijetojnë në këtë shoqëri, kaq të padenjë dhe të padrejtë për ta. Ku shkoi premtimi se Rilindja do të dixhitalizonte arsimin dhe shërbimet në gjithë Shqipërinë. Citoj nga programi i Rilindjes 2013-2017, fq. 41: “Së dyti, në futjen masive të shërbimeve në arsim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rritet si numri i përdoruesve ashtu edhe numri i ofruesve vendas të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës në këtë fushë për tregun shqiptar, rajonal e më gjerë. Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme”. Fakti. Të rinjtë kanë mbushur kampet dhe rrugët e Evropës, vriten e masakrohen, mbjellin, korrin, magazinojnë e transportojnë marijuanë, si i vetmi sektor me fitim në vend.

Premtim nga programi i Rilindjes 2013-2017. “Gjatë qeverisjes së mëparshme pesha e buxhetit për arsimin ndaj shpenzimeve buxhetore vjetore nuk e ka kaluar asnjë herë nivelin që kishte në vitin 2005. Shpenzimet publike për arsimin janë dy herë më të ulëta se niveli mesatar i vendeve të OECD. Qeverisja e djathtë ia la barrën e arsimimit buxheteve familjare. Analfabetizmi vlerësohet të ketë arritur në rreth 15%. Braktisja e shkollës në nivelin 9-vjeçar është në shkallën 10%. Jo rrallëherë, fëmijët në zonat rurale udhëtojnë me orë të tëra në këmbë dhe në dëborë, shi apo të ftohtë për të shkuar në shkollë. Të dhënat dëshmojnë se për çdo brez ka më shumë se 20 mijë të rinj që nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme. Veçanërisht duke filluar nga arsimi i mesëm, nxënësit dhe studentët lihen pa asnjë mbështetje për sa i përket këshillimit për vazhdimësinë e studimeve dhe karrierës së tyre. Qeveria e konsideron arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit. Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë”. Fakt. Sot shkollat janë të mbyllura. Arsimi cilësor është harruar tërësisht sepse mësuesit e matematikës në zonat rurale, japin edhe biologji, edhe kimi edhe fizikë, madje edhe histori. Sot kemi vetëm 3.2%  të PPB që harxhohet për arsimin dhe jo 5% siç ishte premtimi. Sot nuk flitet më kurse profesionale në zonat rurale, as për arsim profesional, se nuk ka nxënës dhe për pasojë shkollat do të kthehen për pak muaj në vendstrehimin e pëllumbave, pulave, dallëndysheve. Rrallë tek a dendur do të bëhen edhe vend magazinime ose stallë bagëtish të imëta e të trasha.

Doni më. Premti m i Programit të Rilindjes, fq. 47: “Nuk do të ketë asnjë shkollë me tre turne dhe asnjë klasë me më shumë se 30 nxënës. Prindërve dhe komunitetit do t’i krijohen mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, në rastet kur këta të fundit nuk i shërbejnë interesit më të mire të nxënësve.”  Fakt. Shkollë me tre turne nuk ka, po me dy janë sa të duash. Ama klasat në mes të kryeqytetit janë: Më e pakta 38 nxënës dhe më e maksimalja 47. Me këtë numër klasash, sidomos në klasë të parë, mësimdhënia ka efekt zero, edukimi qytetar po ashtu, cilësia – sa të doni. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, ministrja e arsimit gjen kohë dhe të tallet me mësuesit duke u dërguar këtë sms, në celularin që do t;jua hedhin në plehra mësuesve, nëse e marrin në shkollë: “Jam krenare per gjithcka Ti ben. Mirenjohese per mbeshtetjen ne rrugetimin e perbashket te reformimit te shkolles. Ende kemi sfida perpara, por Ti nuk je vetem! LNikolla”. Pra ministrja nuk u drejtohet dot me respekt duke i thënë ju por ti dhe ka harruar të shtoj: “Amanet librat falas në përdorim”. Pra a ja vlen t’ju them të nderuar koleg: “Një vit të mbarë shkollor e plot suksese”. Mua do të më dukej tallje e madhe nëse e bëja dhe tradhti e madhe ndaj profesionit që zgjodha me shumë dëshirë ta ushtroja.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here